Albin Kurti arrestohet me dhunë e gaz lotsjellës
Pas shumë përpjekjesh dhe disa dështimesh, policia e Kosovës ka arrestuar dje liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, të kërkuar nga EULEX-i për trazirat e shkurtit të vitit 2007. Arrestimi u krye pak orë pasi Kurti tha në një konferencë për shtyp se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Përveç Kurtit, u arrestuan edhe pesë aktivistë të tjerë të “Vetëvendosjes”. Sipas Lëvizjes, policia ka përdorur dhunë, gaz lotsjellës, sprai djegës, grushte dhe shkelma për të arrestuar gjashtë aktivistët. “Vetëvendosje” ka njoftuar se ata janë rrahur edhe në rajonin e policisë aq shumë, sa aktivistët e arrestuar kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Policia e Kosovës nuk mohon se e ka përdorur dhunën, por sipas zëdhënësit, Baki Kelani, ajo ka qenë “proporcionale”. Sipas policisë, pesë aktivistët e tjerë të arrestuar bashkë me Kurtin “kanë penguar punën e policisë”. “Mund të konfirmojmë faktin se Policia e Kosovës ka zbatuar urdhrin e lëshuar nga Prokuroria Speciale, me të cilën kërkohej sjellja e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para organeve të drejtësisë. Unë konfirmoj se gjatë zbatimit të urdhëresës, Policia e Kosovës ka hasur në një rezistencë aktive nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë përdorur mjete të ndryshme, për të penguar arrestimin e z. Kurti”, tha Kelani për REL. Aktivistët e lirë të lëvizjes e kundërshtojnë këtë variant. Xhelal Sveçla tha se policia, në përpjekje për ta arrestuar Kurtin në selinë e “Vetëvendosjes”, ka përdorur forcë të tepruar mbi pjesëtarët e lëvizjes. “Përkundër bllokadës pasive të aktivistëve, ata e arrestuan liderin Albin Kurti dhe së paku 6 aktivistë të tjerë. Këtë dhunë e shfaqën përkundër impotencës së tyre për arrestimin e strukturave paralele dhe qindra figurave udhëheqëse skajshmërisht të korruptuara dhe zgjodhën mënyrën më të lehtë që të ballafaqohen me aktivistët duarthatë të ‘Vetëvendosjes’”, tha Sveçla, duke shtuar se në aksion morën pjesë qindra policë me uniformë dhe me rroba civile. “Kanë përdorur gaz lotsjellës, është përdorur sprai djegës, janë përdorur shkopinjtë e gomës, shkelmat, grushtet, çdo mjet rrethanor i tyre për t’i goditur aktivistët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, edhe pasi lideri Albin Kurti është arrestuar”, tha Sveçla. Zëdhënësi i Policisë mbron variantin se policia ka përdorur forcë proporcionale. “është përdorur një forcë proporcionale për ta vënë situatën nën kontroll. Mund të them se është përdorur edhe sprai”, pohoi Kelani. Ai mohoi variantin se aktivistët janë rrahur në polici, por pranoi se ata e kanë kërkuar ndihmën mjekësore. “Mund të jenë plagosur gjatë përpjekjeve për të kundërshtuar arrestimin e Kurtit”, tha ai duke shtuar se ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që, sipas tij, janë lënduar gjatë operacionit për arrestimin e Kurtit. Një gjykatës i EULEX-it ka lëshuar urdhër-arrest për zotin Kurti, i cili akuzohet “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale dhe për pjesëmarrje në një grup, që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare”. Akuzat kanë të bëjnë me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues. Akuza për “thirrje për rezistencë, në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës” është kërkuar të hidhet poshtë nga vetë prokuroria. Zoti Kurti ka thënë se këtë proces gjyqësor e sheh si “proces me motive politike”. (REL)