E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama feston 19-vjetorin e PS vetëm me deputetët, në mesnatë pelegrinazh në kishën e Shna Ndoit



Aristir Lumezi

Përvjetori i 19 i krijimit të PS do të mbetet për shumë deputetë socialistë i paharruar. Grupi i deputetëve socialistë dhe kreu i PS Edi Rama ishin ftuar dje pas takimit të falënderimit për grevistët e urisë të këtij qarku, në një darkë festive ku “të zotët e shtëpisë” kishin përgatitur shumë surpriza. Surpriza e parë e mbrëmjes, ishte mbërritja enkas nga Italia e këngëtares së njohur Elsa Lila. Elsa vinte në këtë mbrëmje si një ish greviste urie, e cila qëndroi rreth 10 ditë bashkë me të gjithë grevistët në çadrën e ngujimit përpara godinës së Kryeministrisë. Madje shëndeti i saj u rëndua shumë ditët e fundit, por mundi të qëndronte deri ditën që greva e urisë u mbyll. Këngëtarja e njohur ishte e ftuar për vetë raportet miqësore që ajo kishte krijuar me grevistët nga Qarku i Lezhës gjatë qëndrimit të saj në të. Pas Elsës, një tjetër surprizë e këndshme për të pranishmit ishin dhe humoristët e “Portokallisë”, Salsano Rrapi dhe Gjini, të cilët improvizuan në sallë me kryetarin socialist intervista, dhe rreth fushës së pikturës, të cilat kanë sjellë një tjetër atmosferë gjatë darkës festive. Por surprizat nuk mbaronin këtu, gjatë gjithë mbrëmjes kantautori lezhjan Mark Gjoka ka shoqëruar me muzikën e tij deputetët dhe kreun socialist, duke e bërë atmosferën jashtë çdo nuance formaliteti. E ftuar ishte dhe mjekja Alketa Hila, mjekja e grevës së urisë, e cila kaloi 19 ditë bashkë me grevistët në çadër. Në përfundim të darkës dhe festës së organizuar në Lezhë, Rama dhe disa nga deputetët, para kthimit në Tiranë kanë bërë dhe pelegrinazh në Laç, në Kishën e Shna Nojt, pasi mbrëmë ishte dhe “Nata e Shna Nojt” ku shumë besimtarë kalojnë gjithë natën rreth mureve të kësaj kishe.
Mbrëmja
Menjëherë pas përfundimit të takimit me socialistët dhe simpatizantët e qytetit të Lezhës, aty rreth orës 20:30, rreth 45 deputetë të grupit parlamentar socialist, që kishin mbërritur në qytetin e Lezhës, së bashku me grevistët e urisë së këtij qarku dhe të zgjedhurit e PS në komuna dhe bashki të këtij qarku u bashkuan në restorant “Dashi” në qendër të qytetit. Menyja e mbrëmjes ishte peshk dhe prodhime deti, për të cilat Lezha dhe laguna e saj njihet në të gjithë vendin. Për shkak të shpërndarjes së deputetëve socialistë në zonat e tyre elektorale, ku organizuan minifesta me strukturat socialiste, shumë deputetë, veçanërisht ata të zonave të skajshme, nuk mundën të ishin mbrëmë prezentë. Edhe kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi nuk mundi të ishte aty pasi gjendej në Tepelenë. Por darka e mbrëmshme zhvillohej në të njëjtën orë kur zhvillohej dhe një nga ndeshjet e shumëpritura të Kampionatit Botëror, Angli-SHBA. Por dhe kjo nuk ka prishur atmosferën, pasi në ambientet e lokalit ishin vendosur monitorë nga ku grupe-grupe të pranishmit ndoqën emocionet e saj.

Rama: Qeveria po përgatit huamarrjen e 300 mln USD
Kryetari i Partisë Socialiste denoncoi dje Qeverinë mbi përgatitjen e një huaje të brendshme për muajin qershor, e cila sipas PS, do të jetë një “zhvillim potencialisht i rrezikshëm për ekonominë shqiptare” si dhe do ketë “pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private”. Rama shprehu “shqetësimin serioz” mbi përgatitjen manovrës së huasë të brendshme nga bankat tregtare, e cila sipas PS “parashihet të kapë shifrën e frikshme 300 milionë dollarë, për muajin qershor me interesa kërcënuese për qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private”, sqaroi ai në një prononcim për median nga selia rozë, e cila sot feston 19-vjetorin e formimit të saj. “Kërkojmë me ngulm transparencë të plotë lidhur me këtë zhvillim potencialisht të rrezikshëm të ekonomisë shqiptare, i bëj thirrje Saliut, Ridvanit, dhe Fullanit të mos luajnë me zjarrin e qëndrueshmërisë financiare të këtij vendi”, nënvizoi kundërshtari politik i Kryeministrit Berisha, dhe shtoi se “shqiptarët nuk meritojnë t’i paguajnë një tjetër haraç të rëndë politikës së verbër ekonomiko-financiare të Qeverisë”.

Islami: PS fiton në 2013 nëse Rama nuk kandidon për bashkinë

Aristir Lumezi

Edi Rama nuk duhet të rikandidojë sërish për Bashkinë e Tiranës. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore Kastriot Islami në një intervistë për “Panorama” shprehet se moskandidimi i Ramës për mandatin e katërt, për Bashkinë e Tiranës do ta bënte atë më të fortë për zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Por sipas tij, fitorja e PS si në zgjedhjet vendore ashtu dhe ato të përgjithshme do të vinte vetëm nëse e majta del e bashkuar në to. Islami bën një analizë të situatës politike dhe mundësive se si PS dhe kreu i saj do të hyjë në garat e ardhshme elektorale, duke filluar me ato për pushtetin vendor.
Zoti Islami, pak ditë më parë profesor Servet Pëllumbi u shpreh se Edi Rama nuk duhet të kandidojë për një mandat të katërt për bashkinë e Tiranës, por të merret më shumë me partinë. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Rama me shumë gjasa mendon se duhet dhe do të jetë përsëri kandidati i PSSH për Bashkinë e Tiranës. Nga analiza e veprimeve të deritanishme dhe duke ekstrapoluar sjelljen e deritanishme politike të Ramës, opsioni i moskandidimit është pothuajse i përjashtuar prej tij ose për të qenë i saktë, me pak gjasa. Fabula se “nuk është koha për t’u marrë me këtë çështje” apo se “ende nuk e kam vendosur se çdo të bëj” është tanimë shumë e vjetër. Kjo lloj fabule do të artikulohet deri pak javë para ditës së zgjedhjeve të vitit tjetër. Sepse, nëse Rama realisht nuk do të rikandidonte për këtë post, aktualisht Kryetari i PSSH që synon fitoren e PSSH në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e për rrjedhojë edhe postin e kryeministrit, do ta kishte shumë të lehtë të deklaronte se nuk do të ishte Rama kandidatura për Bashkinë e Tiranës dhe se do të niste një proces për gjetjen e kandidaturës më të mirë, për fitimin e Bashkisë së Tiranës. Ky vendim do të shtyhet deri në momentin kur Rama ta ketë të qartë nëse Bashkia e Tiranës ka më shumë shanse të fitohet apo shanset e fitores janë pothuajse zero.
Ndërkohë që prej 11 muajsh kemi një rezistencë të PS për hapjen e kutive, ndërsa qëndrimet janë luhatur nga rrëzim të Qeverisë, në “çliro ekonominë”. Mendoni se çështja e kutive duhet të pushojë si çështje përpara betejës për Tiranën?
Alibia se PSSH po merret me transparencën e zgjedhjeve gjatë të gjithë 11 muajve pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 do të mbetet gjithnjë e më e dobët dhe gjithnjë e më pak e besueshme e mbi të gjitha penguese për përgatitjet e nevojshme që PSSH duhet të bëjë, për betejën më të vështirë elektorale, betejën për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011. Nga ana tjetër, është lehtësisht e kuptueshme se e gjithë strategjia e veprimeve radikale gati dyvjeçare rezulton me më shumë lidhje me betejën e ardhshme elektorale për Bashkinë e Tiranës, sesa me transparencën e zgjedhjeve që në fakt PSSH po e përdor si një mekanizëm për bezdisjen dhe lodhjen e qeverisjes së Berishës. Kjo lloj strategjie e bën betejën për Tiranën, për Ramën me rrezik shumë të lartë dhe shumë konfliktuale.
Keni ju disa argumente mbi të cilat mbështetet rikandidimi i Edi Ramës për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës?
Më shumë janë të “ashtuquajturat argumente” të Ramës, sesa argumente racionalë të një analize. Në realitet argumentet e Ramës për të rikandiduar janë të dobëta, por që shkojnë shumë me sjelljen e deritanishme politike. Fillimisht më duhet të them se Rama do të shqyrtojë këtë opsion nëse janë shanset për fitore për atë si individ, apo barazim rezultati, sepse nëse do të rezultojë një rezultat negativ, ndoshta vendimi do të ishte ndryshe. Ti kthehemi “të ashtuquajturave argumente” të Ramës për rikandidim. Së pari, Rama pa klientelën e Bashkisë së Tiranës, ndjehet shumë më i dobët si Kryetar i PSSH dhe shumë i dobësuar për të përballuar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme; nuk është më aspak sekret se kjo klientelë, përfaqëson në mënyrë direkte lidhjet me gjithçka ofron Bashkia e Tiranës dhe në mënyrë indirekte interesat e medias së lidhur ose jo me Bashkinë apo bizneset që përfitojnë nga Bashkia. Por edhe klientela e ngushtë e Ramës nuk është e përgatitur të ndërrojë “partner” sepse me shumë gjasa “kryetari i ri i Bashkisë do të ndërronte shumë nga personazhet financiaro-mediatikë”. Së dyti, Rama mendon se me pushtetin e Bashkisë rriten shumë shanset e fitores në zgjedhjet e përgjithshme në konkurrimin me pushtetin e Berishës. Rama gjykon se përplasja me Berishën në zgjedhjet e përgjithshme mund të jetë e suksesshme vetëm si përplasje pushtet i Bashkisë - përballë pushtetit të Qeverisë, jo midis opozitës dhe Qeverisë. Së treti, Rama modelin e tij për kapjen e kreut të PS përmes zotërimit të postit të kryetarit të Bashkisë, nuk dëshiron t’ia “dhurojë” askujt tjetër, sepse ka shumë frikë që ky mund të ishte fundi i tij politik. Ose e thënë ndryshe, Rama ka shumë frikë nga cilido që do të fitonte bashkinë dhe do të kishte forcën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse mendon se ai do t’i merrte kreun e PSSH; qoftë ky edhe personi “më i afërt” që ndokush mund të mendojë se është “delfini i Ramës”. Së katërti, Rama gjykon se rruga më e përshtatshme për t’u bërë Kryeministër, është vetëm kalimi nga zyra e Bashkisë te zyra e Kryeministrit; çdo opsion tjetër i duket shumë i vështirë e gati i pamundur. Për Ramën, kalimi përmes “politikanit parlamentar” që bëhet kryeministër është gati i përjashtuar. Së pesti, Rama mendon se projekti i tij i “politikës së re” i mbështetur në rifitimin e Bashkisë e Tiranës, do të rigjallërohej duke u rikthyer në kalin e betejës së ardhshme për fitimin e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Së gjashti, Rama duke qenë se ka vendosur të mos largohet nga PSSH edhe sikur të humbë përsëri zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, e gjykon të vështirë rimbajtjen e postit të kryetarit të PSSH pa pasur postin e kryetarit të Bashkisë. Dhe se fundi, Rama mendon se ai është i vetmi që mund ta fitojë Bashkinë e Tiranës dhe kushdo tjetër do të dështonte. Në fakt të gjitha këto, përsëris, janë më shumë vetëm arsyetime të Ramës.
Ju vetë gjeni argumente se pse Edi Rama nuk duhet të rikandidojë?
Ka pak mundësi për të mos thënë aspak fare, por ato nuk janë zero. Kjo ndodh nëse Rama dhe këshilltarët e tij arrijnë në përfundimin se shanset për të mos fituar Bashkinë apo për të prishur zgjedhjet janë pothuajse zero. Në këtë rast, Rama do të pranonte të moskandidonte duke ia lënë këtë mundësi ose një “kundërshtari” ose “një delfini” dhe në këtë mënyrë humbjen ia faturonte pjesërisht dikujt tjetër, duke tentuar të organizohej për fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme me argumentin se tani “pesha e pushtetit qendror dhe të Bashkisë së Tiranës” do ta “fundosnin” Berishën dhe votuesit do të kërkojnë ndryshim. “Delfinin” do ta zgjidhte për ta promovuar pavarësisht se do të binin dakord së bashku se Bashkia nuk fitohet. Kurse “kundërshtarin” do ta pranonte me kompromisin për ta shtyrë sherrin pas zgjedhjeve të përgjithshme, pra “duke i lënë kandidimin për Bashkinë në 2011” me “marrëveshjen/pazarin” për të pasur “mirëkuptimin”, për mbështetjen e tij për Kryeministrin nëse PS fiton zgjedhjet e 2013. Por edhe në këtë opsion “humbjeje” të Bashkisë së Tiranës, më shumë përmes një “pazari”, PS do të pësonte goditje dhe rrudhje duke rritur shumë shanset e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme 2013.
Nëse kreu aktual i bashkisë dhe i PS, rihyn në garë për mandatin e ri, ka mundësi fitimi të zgjedhjeve apo jo?! Ju si e kalkuloni këtë mundësi?
Për të mos spekuluar me përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet pranuar se është ende shpejt për të dhënë konsiderata të sakta e të plota ndërkohë që tendenca mund të parashikohet. Në këtë këndvështrim, Rama do të kishte shanse fitoreje vetëm nëse bashkon të majtën, në çdo rast tjetër shanset janë shumë të ulëta për fitore, bile janë më të larta shanset e humbjes. Por nga ana tjetër, do të ishte gati e pamundur që e majta e bashkuar të pranojë Ramën si kandidat për Bashkinë e Tiranës vetëm nëse do të kishte një “marrëveshje paketë” edhe për zgjedhjet e vitit 2013 pra e thënë më shkoqur, për postin e Kryeministrit nëse e majta do të mund të fitonte. Natyrisht për të llogaritur shanset e fitores, duhen marrë parasysh edhe faktorë të tjerë të cilët kanë dinamikën e tyre. Natyrisht beteja varet shumë nga kandidati kundërshtar, pra ai i PD. Varet nga situata politike në prag të zgjedhjeve. Disa parametra elektoralë që do të ndikonin në shanset e kësaj beteje të ashpër zgjedhore do të ishin: 1) dinamika e LSI, 2) konsumimi i PD nga qeverisja e vendit dhe 3) konsumimi i Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, 4) sjellja e të gjithë të majtës dhe veçanërisht e kundërshtarëve të Ramës dhe 5) organizimi dhe sjellja e të gjithë të djathtëve jashtë qeverisjes Berisha dhe e kundërshtarëve të Berishës. Por, nëse e majta nuk bashkohet, shanset për Ramën dhe çdo kandidaturë tjetër janë më shumë për të humbur sesa për të fituar Bashkinë e Tiranës.
Brenda kësaj analize, por nisur dhe nga precedenti i zgjedhjeve të 2009, nëse Edi Rama humb betejën për Bashkinë e Tiranës, mendoni se ai ikën nga PS, apo rimbetet në krye të saj deri në fund të mandatit të ri katër vjeçar të tij?
Po të lexohen në thellësi veprimet e Ramës, ai është përgatitur të qëndrojë në PS edhe nëse humb Bashkinë e Tiranës. Kjo është ngjarje pothuajse e sigurt. Duhet kuptuar thelbi i shkeljes se statutit për rikandidimin e tij në krye të PS, ishte thjesht dhe vetëm marrja e një mandati katër vjeçar 2009-2013 në mënyrë që në çdo rast të jetë në krye të PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shumë nga “miqtë e tij dhe njëkohësisht këshilltarë”, i sugjerojnë “të qëndrojë në krye të PSSH për të provuar mundësinë e “kapjes së postit të kryeministrit në zgjedhjet e vitit 2013”. Por kjo bën që PSSH e futur në “spiralen e dështimeve”, siç kishte parashikuar vetë Rama në 2005 kur “këshillonte Fatos Nanon”, mund të shkonte nga humbja në humbje dhe do të kthehej në një forcë politike e rrudhur në nivelet deri ndoshta jo më shumë sesa 20 për qind. Nëse Rama nuk rikandidon, ai do të ndjehej më “i fortë” për të drejtuar fushatën e vitit 2013 dhe tentuar suksesin e këtyre zgjedhjeve.
Si konkluzion, cilat janë pikat që e mbajnë PS larg fitoreve elektorale?
Një PS me program “të një partie liberale”, me statut që “prish demokracinë e brendshme dhe solidaritetin”, me veprime “radikale e spontane” të pazakonta për PS dhe me “ekip më shumë klientelist sesa tipik të majtë”, ka shumë pak gjasa të mund të programojë sukses për votuesit dhe të majtën. Dhe për rrjedhojë “një e majtë klienteliste” dhe “e përçarë” flet fatkeqësisht më shumë për dështime të saj…Dhe kjo vjen vetëm sepse Rama mendon vetëm sesi të bëhet Kryetar Bashkie dhe prej këndej Kryeministër dhe asgjë të tjetër…Dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë pa identitet dhe pa aspirata, model totalisht i gabuar dhe pa asnjë dyshim më shumë gjasa do të rezultonte i dështuar..gjë që unë dhe çdo socialist nuk do ta dëshironte…

PR nis përgatitjet për zgjedhjet vendore
Mediu në Fier: Të ndryshohet sistemi zgjedhor, listë kombëtare për partitë

Partia Republikane ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 2011. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, gjatë një takimi të kryesisë së saj me Asamblenë e PR në qytetin e Fierit, kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor. Sipas tij, të gjitha partitë duhet të përfaqësohen mbi bazën e votave që marrin nga elektorati. “çdo subjekt politik duhet të përfaqësohet në Parlament me anë të votave të marra ditën e zgjedhjeve. Duhet që nëqoftëse do të ngelet ky sistem proporcional rajonal, të bëhen korrigjimet e mundshme. Ky sistem duhet të ketë patjetër një listë kombëtare, dhe ajo që është më e rëndësishme, administrimi i zgjedhjeve. Një rëndësi të veçantë ka procesi i numërimit, i cili tregon transparencën maksimale për fitoren e çdo force politike që ka elektoratin e saj, elektorat që e bën pjesë e Parlamentit”, u shpreh Mediu. Madje, ai foli dhe për një sistem elektronik votimi dhe numërimi të votave. Kreu i PR-së u shprehu qëndrimin e tij dhe ndaj kërkesës së vazhdueshme të socialistëve për transparencën e zgjedhjeve. “Qëndrimi ynë është i qartë, nëse PS kërkon të verë në diskutim vendimin e Kolegjit Zgjedhor, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ashtu siç propozoi edhe Asambleja e Këshillit të Europës. Respektimi i Parlamentit dhe Institucioneve, siç kërkon Bashkimi Europian, vlerësimin e mbështetjes së BE dhe SHBA për zgjedhjet e qershorit, si dhe përgjegjësinë për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme, që të mos diskutohen më problemet zgjedhore”, u shpreh Mediu nga Fieri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›