Gjykata mbyll të riun në psikiatri
Gjykata e Tiranës ka vendosur mbylljen në psikiatri të një 29-vjeçari me çrregullime mendore, i cili veç të tjerash i ka sjellë probleme edhe policisë për shkak të depozitimit të denoncimeve të pakuptimta në këtë institucion. Vendimi është marrë pak ditë më parë nga gjyqtarja Ardiana Bera, e cila ka vendosur të pranojë kërkesën e Spitalit Psikiatrik, si dhe vetë pacientit për ta mbyllur atë në spital, për t’u mjekuar derisa të ketë përmirësime të shëndetit. Në vendimin gjyqësor thuhet se Shërbimi i Psikiatrisë pranë QSUT, i është drejtuar togave të zeza për shtrimin e detyruar të 29- vjeçarit F. Muça, me origjinë nga Burreli dhe banues në Tiranë. Muça është ekzaminuar nga një mjeke specialiste, e cila ka konstatuar se, ai vuan nga çrregullime deziluzionale. “Në momentet e shtrimit ka qenë mjaft i shqetësuar, bënte veprime të pakontrolluara duke bërë denoncime të shumta dhe të pakuptimta në polici, si dhe ka shkëputur marrëdhëniet me të afërmit, duke jetuar i izoluar, duke braktisur punën, duke mos marrë ilaçet në mënyrë të rregullt. Sipas mjekëve specialistë, pacienti Muça mohon veprimet e kryera prej tij, me qetësi, me një pamje të inatosur, duke shikuar rreth e rrotull me dyshim, duke kërcënuar mjekun me fjalët: “Do përgjigjesh me këto veprime”, duke pretenduar se i mohojnë të drejtat e tij, duke refuzuar nënshkrimin e kartelës”, thuhet në vendimin gjyqësor, ku më tej pohohet se: “Në këto kushte, shërbimi i psikiatrisë pranë QSUT, i kërkon gjykatës shtrimin e detyruar të këtij personi, duke paraqitur si provë shkresore kartela mjekësore të pacientit F.Muça, e çelur më datë 12 maj 2010”. Pas shqyrtimit të kërkesës së QSUT-së, gjyqtarja argumenton se nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi që Muça vuan nga çrregullime mendore, të tilla që e bëjnë atë të rrezikshëm për veten e vet dhe për të tjerët. Për të arritur në këtë përfundim gjykata thotë se ka dëgjuar mjekun që ka kryer shtrimin e të riut, drejtuesen e repartit që ka lejuar shtrimin, vetë pacientin Muça, si dhe babain e tij, B. Muça. Mjekët specialistë pohuan në gjyq se nga ekzaminimet që i janë bërë, Muçës, ai rezulton se vuan nga një çrregullim afektiv bipolar,(mikst psikotik). E thënë ndryshe: krijim i gabuar i marrëdhënieve me të tjerët, madje dhe me njerëzit e familjes. Më tej pohohet se pacienti është shtruar me diagnozën çrregullime deziluzionale, çka do të thotë se lënia e tij e lirë e nxjerr jashtë kontrollit. Gjykata pohon në fund se dëgjoi edhe vetë pacientin Muça, i cili u paraqit me një qetësi gati fëmijërore, duke kërkuar pranimin e kërkesës, por për një afat të shkurtër të qëndrimit në Spitalin Psikiatrik. fa.ma