Banka Botërore: Vetëm 48% e bizneseve përdorin e-mail
Mungesa e kulturës dhe mundësisë ekonomike na pozicionon të fundit në rajonin e Europës Juglindore, sa i takon përdorimit të kompjuterit dhe marrjes së informacionit nga interneti. Kështu, dërgimi i e-mail-eve, ose komunikimi i bizneseve me postë elektronike në Shqipëri është në nivel 48.7 për qind, kurse në vend të parë renditet Estonia, ku gati 95 për qind e bizneseve e përdorin komunikimin elektronik. Po ashtu, në lidhje me marrjen e informacionit përmes internetit apo pasja e një faqeje interneti te bizneset shqiptare është në nivel të ulët, ku gati 30 për qind e disponojnë atë. Në vend të parë edhe këtu është Estonia, ndërsa në vendet e rajonit të Ballkanit, më mirë se ne pozicionohen bizneset e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në përgjithësi, vendi ynë renditet nga ekspertët e BB-së në vend të 96-të sa i takon aftësisë për të konkurruar në botë, por në fushën e teknologjisë është shumë më keq. “Te treguesi i aftësisë për të përdoruar teknologjinë e fundit e rendit Shqipërinë në vend të 105-të, kurse në drejtim të bashkëpunimit mes universiteteve dhe industrisë për kërkim dhe zhvillim, pozicionohet e 133-ta”, evidenton raporti. Treguesit e “cilësia e institucioneve shkencore dhe kërkimore”, na rendit të 128-ët, kurse “shpenzimet e kompanive për kërkim dhe zhvillim” dhe “kapacitetet për inovacione”, na pozicionojnë respektivisht në vend 126 dhe 120.
#