E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, spitali i Kukësit nuk ka ilaçe

Ethet hemorragjike Mungesa e ripravinës i detyron mjekët kuksianë të dërgojnë rastet e rënda drejt Tiranës

Ndërsa ethet hemorragjike rrezikojnë jetë njerëzish prej gati një muaji në Kukës, zbulohet se spitalit të këtij qyteti i mungon ripravina, medikamenti kryesor që lufton këtë infeksion vdekjeprurës. Ministria e Shëndetësisë u kujtua vetëm dje të dërgonte specialistët në zonën ku deri tani janë prekur nga virusi 12 persona, por specialistët nuk bëjnë dot asgjë për sa kohë spitali i zonës nuk ka medikamentet e duhura. Spitali i Kukësit është detyruar të dërgojë në Tiranë pacientët me gjendje të rëndë, për t’u trajtuar me ripravinë, ndërkohë që këto raste mund të trajtoheshin plotësisht në Kukës, nëse furnizimi me medikamente do të ishte bërë normalisht.

Pacienti i dymbëdhjetë

Një fëmijë i shtruar dje në pavijonin infektivit në spitalin e Kukësit e çoi në 12 numrin e personave të prekur nga ethet hemorragjike. Mjeku infeksionit, Mark Nufi, shef i pavijonit të infektivit, tha për gazetën “Shqip” se rasti i fundit ishte një fëmijë 12 vjeç nga fshati Myç Mamëz 3 kilometra larg qytetit të Kukësit, ndërsa ende mund të priten edhe raste të tjera që mund të rrisin numrin e të prekurve nga ethet. Por mjeku tha se gjendja është nën kontroll dhe se të sëmurët ndodhen që të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Ministria premton ilaçe

Nisur nga rreziku që paraqet sëmundja e etheve hemorragjike, që është edhe ngjitëse nga njeriu te njeriu apo nga kafsha te njeriu, një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë i kryesuar nga Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave të Shëndetit ka udhëtuar të dielën në orët e mbrëmjes në Kukës për të parë nga afër situatën e etheve në pavijonin e infektivit. Pipero dhe disa specialistë kanë vizituar të sëmurët që ndodhen të shtruar, si dhe kanë verifikuar kushtet në të cilat trajtohen. Nga ana tjetër, Pipero është informuar nga vetë të sëmurët mbi mënyrën se si jetojnë dhe si janë infektuar me ethe.

Gjithashtu, siç mësohet në drejtorinë e spitalit të Kukësit, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë janë njohur edhe me faktin e mungesës së një medikamenti të domosdoshëm për kurimin e të sëmurëve të një faze të caktuar. Konkretisht, në spitalin e Kukësit ka munguar medikamenti “ripavirinë”, një mungesë që siç tregoi mjeku Nufi, i ka detyruar mjekët e Kukësit t’i dërgojnë pacientët në Tiranë. “Dy të sëmurë i dërguam dje në Tiranë, ndërsa dy të tjerë i kemi dërguar para një jave”, tha Nufi. Ai sqaroi se dërgimi në Tiranë kishte të bënte vetëm me mungesën e ripavirinës. “Pacientët mund t’i trajtojmë në Kukës, më mirë na sillni këtu ripavirinë, sesa t’i sjellim ne pacientët në Tiranë”, i ka thënë mjeku drejtorit të politikave të shëndetit dhe ky i fundit ka premtuar se do të dërgojnë një sasi të caktuar ilaçesh të tilla në Kukës. Mësohet se ekipi i ministrisë ka premtuar për spitalin e Kukësit edhe një aparat analizash të kohës për të bërë të mundur diagnostikimin e shpejtë në të gjitha rastet e sëmundjeve infektive, përfshi edhe ethet hemorragjike.

Dezinfektohen fshatrat

Në Drejtorinë e Shëndetit Parësor në Kukës mësohet se janë ngritur ekipe specialistësh për të bërë spërkatjen e vatrave të infektuara me ethet hemorragjike. Nisur nga raportet e dërguara nga reparti i Infektivit, del se vatrat e etheve vdekjeprurëse janë një përhapje e gjerë në Kukës dhe në Has, kryesisht në fshatrat ku edhe më herët ka pasur shfaqje të kësaj sëmundjeje. Në rrethin e Kukësit ethet janë shfaqur në fshatrat Shëmri, Myç Mamëz, Morin etj. Ndërsa në Rrethin e Hasit, në fshatrat Tregtan, Vranisht, Golaj etj. Drejtues të shëndetit thanë se kanë siguruar një sasi të caktuar kaotrine, preparati i nevojshëm - një lloj helmi kundër rriqnave dhe se në banesat e pacientëve dhe mjedise të tjetra kryesisht vathë të bagëtive etj., po kryhen spërkatje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›