Banka Boterore, jo abuzim me raportin
Kuvendi vijoi dje debatet per bregdetin e Jales dhe ndertimet qe po behen ne te. Ministri i Financave, Ritvan Bode, i beri te qarte opozites te qetesohet e te mos akuzoje me, pasi per kete ceshtje Banka Boterore, do te shprehet konkretisht ne 19 shkurt. "Po abuzoni me raportet e Bankes Boterore per Jalen. Shume shpejt do e merrni vesh se per cfare behet fjale. Bordi i Bankes do te mblidhet dhe ne 19 shkurt do te dale me nje deklarate, ku do te flitet per ceshtjen e Jales", sqaroi Bode. Ndaj ai u beri thirrje deputeteve te opozites, qe te mos flasin me me mashtrime e akuza, te pa bazuara si tullumbacet e shfryra. Ministri u shpreh se deri me sot, deputetet socialiste, ankoheshin se pse nuk pro prisheshin ndertimet pa leje, tashme thone pse prishen. Duke iu pergjigjur akuzave te deputetit, Taulant Balles, Bode theksoi se qeveria nuk ka abuzime me projektin. Madje sipas tij, projekti ka lidhje me procedurat e brendshme te Bankes Boterore, jo te ekzekutivit. "Paneli i inspektimit te BB-se ka si mision investigimin e procedurave te brendshme te Bankes dhe jo investigimin e qeverise shqiptare, u shpreh ministri", u shpreh Bode. Por sipas socialistit, Taulant Balla, kryeministri Sali Berisha dhe familjaret e tij, po pervetesojne dhe po e shesin bregdetin shqiptar. Balla theksoi se ashtu sic e denoncoi kete korrupsion me tokat ne bregdet e konkretisht me projektin ne Jale, ashtu u vertetua dhe nga investigimi i Bankes Boterore. "Keshtu doli Paneli i Investigimit te Bankes Boterore dhe mediat amerikane denoncuan dhendrin e Sali Berishes dhe vete Sali Berishen, per shperdorime ne projektin e studimit "Per bregdetin jugor te Shqiperise", u shpreh ai. Ndaj sipas Balles, mazhoranca duhet ta kete te qarte, se numerimi mbrapsht per te, ka filluar. "Skandalet tuaja per fat te keq, e turperojne Shqiperine cdo dite. Fundi i tunelit eshte shume afer. Kane mbetur edhe 136 dite", vijoi deputeti socialist. R. Rapushi