E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore, ndjesë qeverisë shqiptare për projektin e Jugut

Philippe le Houerou: Banka Botërore gaboi
Zëvendëspresidenti i Bankës Botore rrëzoi akuzat e hershme të opozitës ndaj projektit të Jugut dhe koordinatorit të këtij projekti Jamarbër Maltezi, dhëndër i Kryeministrit. Ai deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se me Projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare janë bërë gabime nga ana e Bankës dhe s’ka pasur asnjë provë për korrupsion
Banka Botërore kërkoi ndjesë zyrtarisht dje për keqinterpretimin për qëllime politike shqiptarçe të çështjeve të brendshme të politikave të saj. E papritur dhe e paprecedent është që Banka Botërore të kërkojë ndjesë, e ca më pak për një vend të vogël si Shqipëria. E paprecedent është edhe që personeli vendas brenda BB-së në Tiranë, me lidhje të qarta familjare me opozitën, të nxjerrë raporte konfidenciale të brendshme dhe jopërfundimtare të Bankës Botërore dhe t’i keqpërdorë ato për qëllime ngushtësisht politike. Ky veprim synoi që Banka Botërore të përfshihej në luftën politike vendore, duke cenuar rëndë pavarësinë dhe paanshmërinë e BB-së. Kjo gjë ishte e rendë, pasi zhvendosi çështjen nga diskutim i brendshëm i politikave të vetë BB-së në luftë politike mes palëve në proces zgjedhor.
Nuk ka pasur asnjë provë për korrupsion dhe asnjë shkak nga ana e Bankës Botërore për të nisur hetime ndaj qeverisë shqiptare, lidhur me zbatimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare. Ky është deklarimi publik që ka bërë dje nga salla e mbledhjeve të Këshillit shqiptar të Ministrave, Philippe le Houerou, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore. Numri dy i Bankës Botërore, institucion financiar ndërkombëtar që ka mbështetur shumë projekte të rëndësishme në Shqipëri, duke shprehur vlerësimin për bashkëpunimin 19-vjeçar mes dy vendeve në rreth 70 projekte, deklaroi dje se Banka Botërore nuk ka konstatuar asnjë shkelje apo korrupsion në projektin e Jugut. Madje, ai pranoi se janë bërë gabime, por nga ana e Bankës Botërore, që do të kihet kujdes të mos ribëhen në vende të tjera në projekte të ngjashme. Duke qenë konkret në deklaratën e tij, ai pranoi se BB në inspektimin e bërë synonte të shihte nëse ishin zbatuar politikat e saj, dhe jo të hetonte punën e palës shqiptare. “Megjithatë, ashtu siç ndodh me të gjitha marrëdhëniet, ka raste kur gjërat nuk shkojnë mirë. Në këtë pikë, dua që të jem shumë i drejtpërdrejtë për sa u takon ndodhive të vitit të kaluar në lidhje me Projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare. Bankës i vjen shume keq, që një inspektim që synonte të shihte nëse Banka i ishte përmbajtur ose jo politikave të veta, solli akuza kundër veprimeve të qeverisë në lidhje me këtë projekt”, - ka nënvizuar zëvendëspresidenti i Bankës Botërore gjatë pranisë së tij dje në mbledhjen e qeverisë. Ndonëse numri dy i një prej institucioneve financiare më të rëndësishme ndërkombëtare, ai nuk ngurroi të pranonte përgjegjësinë e institucionit të tij lidhur me projektin e Jugut.
“Dua të jem shumë i qartë se procesi i Panelit të Inspektimit nuk heton veprimet e klientëve tanë dhe nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër nuk pati asnjë provë për korrupsion në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht duhet të pranojmë që Banka ka bërë gabime në këtë projekt. Ne po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen, këtu apo në ndonjë vend tjetër”, - ka deklaruar zëvendëspresidenti i Bankës Botërore.
Deklarata e zv.presidentit të BB-së ishte një shuplakë tjetër për kleptomanët dhe mitomanët socialistë që udhëhiqen nga motoja “shpif e gënjej dhe s’kam turp, ndaj s’ke ç’më bën”.
Në një intervistë për BBC-në, para një viti, koordinatori i projektit, Jamarbër Maltezi deklaroi që çështja e lindur nga Paneli i Inspektimit ishte një problem i brendshëm i BB-së, ashtu siç deklaroi edhe dje zv.presidenti i BB-së, për politikat e brendshme të BB-së dhe nuk kishte të bënte me qeverinë, pasi çdo qeveri është sovrane dhe zbaton legjislacionin vendor.
Ndërkaq, Maltezi në një tjetër intervistë për “standard” po një vit më parë, i pyetur nga gazetari se “projekti përfshin gjithë bregdetin e Jugut, por shpeshherë në publik ka edhe një perceptim sikur ky projekt është vetëm Jala. Cila është përgjigja juaj?”, - ai është shprehur: “Ky perceptim është si pasojë e problemit të brendshëm të Bankës Botërore lidhur me respektimin e politikave të saj nga Menaxhmenti i Bankës. Dilema shtrohet nëse Banka duhet të mbështesë forcimin e shtetit ligjor (siç është sugjeruar nga Aide Memoire i Bankës i 11-22 tetorit 2004, ku kërkon të vijojnë prishjet e ndërtimeve të paligjshme në zonën e Jonit) apo duhet të kujdeset vetëm për luftën ndaj varfërisë, siç thotë në 2008-n dhe moscenimin e kushteve ekonomike të banorëve pavarësisht nëse janë të ligjshëm apo jo. Problemi i Bankës u tentua të shitej si problem me qeverinë apo zyrën e koordinimit të projektit nga gazetarë pranë grupeve ndërtuesish/botuesish të kontrolluar me sms. Natyrisht, janë sajesat e vazhdueshme që ndodhin kur bashkohen ymerët me dylberët. Në të vërtetë, projekti përfshin gjithë zonën bregdetare të Jugut. Për efekte planifikimi përfshihet zona nga Parku Kombëtar Llogora deri në kufi me Greqinë, ndërsa për efekte investimesh publike përfshihet edhe Orikumi.
Plani i Zhvillimit i Zonës Bregdetare paraqet kriteret mjedisore dhe kulturore që duhen respektuar gjatë hartimit të planeve lokale. Kriteret rrjedhin nga Kodi Evropian i Sjelljes në Zonën Bregdetare dhe janë diskutuar me palët e interesuara për 9 ditë në tetor 2007. Disa nga këto kritere kufizuese të ndërtimeve janë: mosndërtimi me struktura permanente në brezin 100 m larg vijës bregdetare, mosndërtimi në terrenet me pjerrësi mbi 30%, pasi rrezikon rritjen e erozionit, mosndërtimi në hundat apo kepet që hyjnë në det për të ruajtur peizazhin, mosndërtimi në zonat e paqëndrueshme gjeologjike, mosndërtimi afër monumenteve të kulturës etj”.

Pjesë nga letra e qeverisë shqiptare për Bankën Botërore, shkurt 2009

Mangësitë e raportit të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore i janë paraqitur Bordit Ekzekutiv të kësaj banke nga qeveria shqiptare. Me anë të një analize të gjatë të raportit në fjalë, qeveria hedh poshtë dyshimet e ngritura nga paneli për paligjshmëri në procesin e shembjes së ndërtimeve në bregdet. Duke vënë përballë raportit fakte të akumuluara nga institucionet shtetërore, analiza e qeverisë i kërkon Bankës Botërore që të rishohë pjesët e pavërteta të këtij raporti ose në të kundërt, të mos e marrë atë parasysh. Në këtë analizë, qeveria shqiptare sqaron se grupi i punës i Panelit të Inspektimit është treguar i njëanshëm, megjithëse ka pasur në dorë dokumentacionin e plotë. Për më tepër, raporti arrin në gabime, sipas qeverisë, duke mos njohur ligjet shqiptare, si ligji i legalizimit dhe ai i planifikimit urban.

Përfundimi i analizës sonë për raportin e Panelit të Inspektimit

Përmbledhtazi, duam të theksojmë se pasqyrimi i një tabloje të shtrembëruar, bazuar në keqinformime dhe keqinterpretime të fakteve as ndihmojnë njeri, as përputhen me reputacionin e Bankës si institucion. Ne mendojmë se reputacioni i Bankës Botërore do të dëmtohet thellësisht, duke pranuar dhe duke vepruar në bazë të raportit të Panelit të Inspektimit, që është i pabazuar nga faktet në terren dhe me deklarata që mund të interpretohen si thashetheme kundrejt qeverisë. Në të ardhmen, ne do të inkurajonim Panelin ose të përhapte investigimet për të përfshirë një pasqyrë të plotë të ligjeve të vendit në fjalë, ose të shmangë prezantimin e argumenteve të pabazuara, të mbështetura kryesisht në opinione dhe observime personale te Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë.

Në këtë çështje dhe bazuar mbi sa u tha më lart, qeveria e Shqipërisë dëshiron të tërheqë vëmendjen e drejtuesve më të lartë të bankës për të rikonsideruar raportin e Panelit të Inspektimit përpara se ta parashtrojnë atë drejt Bordit, duke e bërë të disponueshëm për publikun. Ne i kërkojmë Bankës që ose të rishkruajë pjesët që kanë të bëjnë me institucionet shqiptare në raportin e Panelit të Inspektimit, ose të anulojë të gjithë raportin. Së fundmi, qeveria i kërkon dashamirësisht Bankës të angazhojë Departamentin e saj të Integritetit Etik ose çdo departament tjetër të përshtatshëm, për të nisur një hetim në lidhje me arsyet që bënë Panelin e Inspektimit të prodhonte një raport të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›