E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa zgjidhje për Gjilanin

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë takuar të enjten për konsultime shtesë, për t’i dhënë fund procesit elektoral në Gjilan.

Por, pa sukses.

As në këtë takim, anëtarët e KQZ’së nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar që pasoi mosmiratimi i rezultateve përfundimtare për votat e Gjilanit.
Anëtari i AAK’së në KQZ, Blerim Burjani, ka konfirmuar për Express takimin e mbajtur ndërmjet anëtarëve dhe kryetares Nesrin Lushta dhe diskutimet që janë bërë për votat e Gjilanit.

“Jemi takuar dhe jemi konsultuar se si të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Burjani, të enjten.

Ai ka njoftuar se KQZ është ballafaquar edhe më padinë e LDK’së, e cila ka kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit për rinumërim dhe hetim të votave të Gjilanit.
Deri më tani, dy partitë politike nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.

PDK insiston në certifikimin e rezultateve në bazë të raportit të Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe shpalljen e kryetarit të ri. Kurse, LDK vazhdon të mbajë qëndrim se e vetmja zgjidhje është respektimi i vendimit të KZAP’së për rivotim edhe në Gjilan, sikurse në Prizren dhe Lipjan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›