Deklarimi sipas etinsë dhe besimit fetar
15/01/2010 Në vitin 2011 nis regjistrimi zyrtar i popullsisë në Republikën e Shqipërisë
Për procesin janë akorduar 15 milionë euro nga qeveria dhe donatorët
Vitin e ardhshëm qeveria shqiptare do të nisë regjistrimin e popullsisë, me anë të të cilit të gjithë qytetarët do të deklarojnë edhe etninë dhe besimin fetar. Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA) u miratua në parim pyetësori, që do t’u bëhet i ditur qytetarëve gjatë procesit të regjistrimit, i cili pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Vlerësohet se qëllimi i regjistrimit të popullsisë është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend, si dhe të përbëjë pikënisjen për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit ministri i Shtetit Genc Pollo ka deklaruar se regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm, që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011. “Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare”, - ka deklaruar ministri Pollo. Por, pas procesit të deklarimit duhet të ketë verifikime, pasi mund të ndodhë që të ketë abuzime me qëllim përfitimi. Sipas REPOBA, regjistrimi i shërben mirëqeverisjes, zhvillimit institucional të saj, u jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe do të shërbejë si një bazë e mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet. Procesi i regjistrimit do të realizohet nga INSTAT-i me mbështetje të ekspertëve nga Bashkimi Europian dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Mësohet se vlera e gjithë këtij procesi do të arrijë në 15 milionë euro, nga të cilat 5 milionë do t’i ofrojë qeveria shqiptare. Ky regjistrim nga pikëpamja teknike sjell si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, i cili konsiderohet si një nga teknikat më moderne për regjistrimet e të dhënave. Projekti i regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë në formën e të dhënave elektronike individuale. Gjithashtu regjistrimi do të kontribuojë në forcimin e kapacitetiteve për zhvillimin e një infrastrukture në funksion të sistemit statistikor, në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Shifrat nga PBDNJ-ja
Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek në vendin tonë, konsideron se numri i minoritarëve është më i madh nga ç’mendohet. Vetë kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule ka vlerësuar jo shumë kohë më parë se minoritarët grekë zënë rreth 20% e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, përqindje që nuk e has në asnjë të dhënë zyrtare, as nga organizmat ndërkombëtare.
Të dhënat nga CIA
Shërbimet sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, në faqen zyrtare në internet shkruajnë se sipas të dhënave të vitit 1989 në Shqipëri jetojnë 95% shqiptarë, 3% grekë dhe 2% janë minoritete të tjera, ku përfshihen vllahët, romët, serbët, maqedonasit, bullgarët. Për sa i përket besimit, thuhet se, megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, 70% janë myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% janë besimtarë katolikë.
Përqindjet sipas Tiranës
Megjithëse gjatë këtyre 19 vjetve të fundit nuk është bërë ndonjë regjistrim i etnisë së popullsisë shqiptare, nga ana e qeverisë shqiptare disa të dhëna të mëparshme, të cilat datojnë fundin e viteve ’80, tregojnë se minoriteti grek në Shqipëri shkon nga 2.8% në 3% të popullsisë. Pas këtij minoriteti renditen pakicat e tjera. Këto janë të dhënat e vetme zyrtare që disponon shteti shqiptar lidhur me etnitë në vend.
Greqia dhe minoriteti
Menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri në fillim të viteve ’90, shumë shqiptarë emigruan drejt Greqisë dhe të shumtë ishin ata që ndërruan edhe emrin për ta pasur më të lehtë të gjenin punë. Ndërkohë Athina zyrtare ka lidhur pensione për minoritarët grekë në Shqipëri, por edhe për të tjerë. Përmes këtij veprimi dyshohet se qëllimi është për të regjistruar edhe jominoritarët si pakicë greke.
Paskal Milo
Eshtë kërkuar me kohë nga ndërkombëtarët
Ish-ministri i Punëve të Jashtme Paskal Milo e vlerëson tepër normale regjistrimin e popullsisë në bazë etnie, e cila ka qenë edhe kërkesë e paraqitur nga institucionet e Bashkimit Europian. “Është një kërkesë normale, një kërkesë e përsëritur e BE-së, është brenda standardeve që duhet të plotësojë Shqipëria. Një kërkesë e tillë është bërë pa shumë vjetësh, madje mund të them se është i vonuar si proces”, - tha Milo. Ai kujton se rreth 8-9 vjet më parë u ndërmor një nismë për regjistrimin e pasurive, që u tha se do të ishte edhe regjistrimi i popullsisë, por që nuk rezultoi i mjaftueshëm. Duke iu referuar vendimit që popullsia të regjistrohet edhe në bazë besimi fetar, ish-shefi i diplomacisë shqiptare thotë se nuk është i domosdoshëm. “Për sa i përket regjistrimit në bazë besimi, nuk është i domosdoshëm, por është diçka që do ta bëjë çdo qeveri. Ky regjistrim bëhet më shumë për evidentimin e numrit të saktë të minoritarëve në Shqipëri”, - deklaroi Milo.
Sabri Godo
Regjistrimi në bazë etnie e besimi i padobishëm
Politikani Sabri Godo thotë se procesi i regjistrimit të popullsisë në bazë etine dhe besim nuk do të sjellë asgjë të dobishme, nuk do t’u japë ndonjë gjë më të mirë shqiptarëve. “Këto më duken krejt të padobishme. Në përgjithësi regjistrimet bëhen për problemet që ka shoqëria, në mënyrë që shteti dhe shoqëria të nxjerrin përfundime dhe të dinë se si duhet t’i zgjidhin. Por nuk di se çfarë do të zgjidhim nëse do të bëjmë regjistrimin në bazë të përkatësive fetare të njerëzve”, - deklaroi politikani Godo, president nderi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane. Në reagimin e tij për procesin e regjistrimit të popullsisë në bazë besimi fetar Godo nuk e vlerëson pozitivisht. Ai thotë se regjistrimi i përkatësisë fetare mund të sjellë edhe ndonjë debat mes besimeve. “Është fare e qartë se kjo mund të çojë më pas në diskutime në nxitjen e rivaliteteve fetare. Unë nuk shoh asgjë pozitive në këtë”, - ka deklaruar politikani Godo.