Depërtim në Veri

Autoritetet e Prishtinës duket të jenë të vendosura për ta shtrirë autoritetin e tyre në Veri të Kosovës, përmes një plani që është hartuar me ndihmën e pranisë ndërkombëtare në vend.
Të enjten, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Shefi i ICO’së Pieter Feith dhe Shefi i Misionit të EULEX’it Yves de Kermabon, kanë deklaruar se janë të vendosur për zbatimin e këtij plani.
Një ditë më herët, Gazeta Express botoi pjesë të këtij plani, i cili është lansuar javën e kaluar në bllogun e Gerard Gallucci, ish-administrator i UNMIK’ut për qytetin e Mitrovicës.
Kryeministri Thaçi, pas mbledhjes së Qeverisë, pranoi se opinioni tashmë është i informuar për këtë dokument. “Mendoj se sot janë prezantuar disa ide, mund të them të nxjerra nga dokumenti i përbashkët i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, deklaroi Kryeministri, të enjten.
Më pas, ai ka folur në terma të përgjithësuara rreth këtij plani.
Sipas tij, gjithçka po zhvillohet në përputhje të plotë me Planin Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Strategjia pra është për vënien e ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në kuadër të krijimit të rrethanave të reja demokratizuese dhe participuese të qytetarëve në procesin demokratik në gjithë territorin e Shtetit”, tha Thaçi.
Në fokus të këtij plani, është shuarja e strukturave paralele serbe, që funksionojnë në disa pjesë të Kosovës.
“Tash mund të flasim më tepër për individë, sesa për struktura”, është shprehur Kryeministri, duke shtuar se në këtë synim e ka mbështetjen e plotë edhe të komunitetit ndërkombëtar.
“Definitivisht ky është viti i konsolidimit të plotë të Shtetit të Kosovës”, tha ai.
“Në këtë drejtim, angazhimi i institucioneve qendrore dhe atyre lokale në Mitrovicë, do të rritet dhe do të punojmë ngushtë si Qeveri me të gjitha autoritetet vendore e ndërkombëtare. Është një proces ky shumë demokratizues, ofrues dhe integrues, për të gjitha komunitetet”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës është kritikuar vazhdimisht për mungesë të planit për shtrirjen e autoritetit të saj, në gjithë territorin e vendit.
Shefi i ICO’së, Pieter Feith, ndërkaq, pranoi se po punohet në një plan për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në gjithë vendin, mirëpo shtoi se asgjë në këtë drejtim nuk është finalizuar.
“Ne po vazhdojmë konsultimet tona të ngushta me Qeverinë për strategjinë në Veri. Është një projekt i përbashkët ndërmjet Qeverise dhe neve. Kur të arrijmë në konkludim final, ne do t’u njoftojmë”, tha Feith para gazetarëve, pas një takimi që pati me Kryeministrin Thaçi.
Më i drejtpërdrejtë, të enjten, ka qenë Kermabon, njeriu që drejton misionin europian për rend dhe ligj - EULEX.
Ai, gjatë një vizite që i bëri Komunës së Ranillukut, tha se nuk mund të ekzistojnë dy sisteme të drejtësisë, duke iu referuar vendimit politik të Beogradit për emërimin e gjykatësve serbë në Veri të Kosovës.
“Tani prioriteti ynë kryesor është që gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës të kthehen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, në mënyrë që drejtësia të ushtrohet nga një gjyqësor i vetëm vendor dhe shumetnik”, tha Kermabon.
“Në asnjë shtet në Europë nuk ekzistojnë dy sisteme gjyqësore që veprojnë njëkohësisht dhe në të njëjtin vend”, shtoi ai.
Shefi i EULEX’it tha se misioni i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund ekzistimit të strukturave paralele.
“Me dy juridiksione, nuk mund të ketë drejtësi. Kjo mund të shkaktojë vendime kundërthënëse të cilat do të jenë në kundërshtim me të drejtat e popullatës. Në Kosovë mund të ketë vetëm një sistem juridik”, tha Yves de Kermabon.