E Shtunë, 31 Tetor 2026

Le Houérou- Berisha: Shqipëria, historia jonë e suksesit

Zyrtari i lartë i BB-së, z. Philippe Le Houérou, e cilësoi marrëdhënien e këtij institucioni financiar me Shqipërinë një histori suksesi dhe për këtë arsye qeveria shqiptare ka tashmë një tjetër marrëveshje bashkëpunimi me të. Përmes tij, Banka Botërore i premtoi dje qeverisë shqiptare ndihmë financiare për të rikthyer në normalitet zonat e goditura nga përmbytja në Shkodër. Ardhja në Tiranë e numrit 2 të BB-së kishte të bënte me përcaktimin e një strategjie bashkëpunimi që përfshin periudhën 2010-2013, strategji që do të bazohet më së shumti në prioritetet e qeverisë. Kështu, Berisha zbardhi një nga projektet e rëndësishme që nënvizohet edhe për shkak të situatës në veriperëndim të vendit. Berisha mblodhi dje Komitetin e Planifikimit të Strategjive, mbledhje në të cilën merrte pjesë edhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, z. Philippe Le Houérou, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë. Duke marrë fjalën, Kryeministri e cilësoi këtë mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20-vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me BB-në. Z. Berisha theksoi se vizita e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore, Philippe Le Houérou, është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BB-së. Në këtë kontekst, Kryeministri i shprehu mirënjohjen më të thellë zëvendëspresidentit për partneritetin e shkëlqyer dhe ndihmën eficente që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Kryeministri u shpreh se falë ndihmës financiare në qindra projekte të zbatuara, Banka Botërore bëri të mundur që Shqipëria të shndërrohej nga një prej vendeve më të varfra, me sistemin totalitar më të egër, në vendin me ekonomi të zhvilluar tregu dhe me institucione të një demokracie funksionuese. Duke shprehur vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri, Kryeministri Berisha u ndal në veçanti në të gjitha fushat ku Banka Botërore ka kontribuar me ndihmën e saj. Për sa u përket projekteve në fushën e transportit, Kryeministri vuri në dukje se BB ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat segmenti Milot - Rrëshen të autostradës Durrës - Prishtinë, si dhe projekti i rrugëve dytësore, projekt që po shndërro, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë. Duke u ndalur në fushën e bujqësisë, Kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj në 4 vjet, zgjoi interesin e zëvendëspresidentit të Bankës Botërore për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj në aspekte të veçanta të këtij projekti. Si një çështje shumë të rëndësishme, Kryeministri veçoi reformën në shëndetësi. Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se zv.presidenti i BB-së garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë do të jetë e pakursyer dhe se e konsideron reformën si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Duke cilësuar arsimin si përparësinë më madhore të qeverisë shqiptare, Kryeministri vlerësoi se ndihma e Bankës Botërore në këtë drejtim është shumë e dobishme. Për sa i përket projekteve për zhvillimin e zonës bregdetare, Kryeministri shpjegoi se janë qartësuar të gjitha problemet në rrafshin dypalësh dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me bankën. “Në këtë drejtim, - u shpreh Kryeministri, - zëvendëspresidenti Philippe Le Houérou siguroi qeverinë shqiptare se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare. Duke marrë fjalën zv/presidenti i BB-së, Philippe Le Houérou, u shpreh se për Bankën Botërore, Shqipëria është histori suksesi, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit. “Këto arritje të rëndësishme, - theksoi ai, - janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjes së institucioneve të tregut në Shqipëri, fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist”. zv.presidenti i BB-së u shpreh se tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, BB tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. “Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE”, - nënvizoi zv.presidenti i BB-së. Duke u ndalur në zhvillimet e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare, zv.presidenti i BB-së sqaroi se BB-së i vjen keq që në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›