E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore përgatit strategjinë e bashkëpunimit

13/01/2010  Nisin diskutimet
Banka Botërore një ndër donatorët kryesorë të Shqipërisë do të nisë diskutimet me qeverinë për Strategjinë e Partneritetit me Shqipërinë për 3-4 vitet e ardhshme. Dje ka mbërritur në vendin tonë zëvendëspresidenti i ri i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Philippe Le Houérou. Kjo vizitë do të zgjasë deri më 16 janar dhe në thelb të saj janë diskutimet dhe konsultimeve për këtë strategji. Sipas burimeve zyrtare, në këtë strategji do të përfshihet bashkëpunimi i ardhshëm me Shqipërinë në mbështetje të prioriteteve të zhvillimit të vendit. Gjatë vizitës së tij katër ditore në Shqipëri, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore do të takohet me Presidentin e vendit, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, liderin e opozitës Edi Rama dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit ndërkombëtar. Gjatë kësaj vizite ai pritet të vizitojë edhe disa projekte të financuara nga Banka Botërore. Aktualisht ky institucion financiar ndërkombëtar ka ofruar miliona euro kontribut për vendin tonë veçanërisht në sektorë të rëndësishëm për ekonominë, siç është energjetika, furnizimi me ujë të pijshëm, infrastruktura, apo edhe bujqësia.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›