Dëmtohet linja hekurudhore, ndalet treni i linjës
13/01/2010 Elbasan-Librazhd, shpëtojnë pasagjerët
Dëmtohet linja hekurudhore, ndalet treni i linjës, përbënte rrezik kalimi. Dje rreth orës 11.00 kur mashinisti është lajmëruar të ndalë trenin në afërsi të fshatit Mirakë ku linja i afrohet rrjedhës së Shkumbinit. Me të marrë lajmërimin mashinisti ka manovruar dhe ndalur trenin e linjës disa metra larg vendit të rrezikshëm. Në tren ndodheshin rreth 100 udhëtarë, të cilët kanë vazhduar për në destinacion me mjete të rastit. Burime të sektorit të emergjencave deklaruar se në segmentin hekurudhor Elbasan-Librazhd në afërsi të tuneleve të fshatit Mirakë ishte regjistruar një rrëshqitje dhe gërryerja e trashesë së linjës hekurudhore. Treni i pasagjerëve i linjës Tiranë-Pogradec ishte duke udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, por në afërsi të fshatit Mirakë reshjet e dendura të shiut dhe rrëshqitja e dheut kanë dëmtuar rëndë hekurudhën. Punëtorë të mirëmbajtjes dhe mashinisti kanë mundur të manovrojnë duke ndaluar trenin vetëm pak metra larg rrezikut. Pasagjerët kanë zbritur nga treni dhe Drejtoria e Hekurudhës ka marrë masa për të gjetur autobusë për t’i transportuar ata në drejtim të Pogradecit. Por mjaft prej udhëtarëve më pas janë nisur me mjete të rastit drejt destinacionit të tyre. Përgjegjësi i mirëmbajtjes së linjave Skënder Sinani shprehet se udhëtarët kanë qenë në rrezik, pasi hekurudha në këtë vend nuk ishte e sigurt. “Mundëm të njoftojmë mashinistin dhe të parandalojmë fatkeqësinë. Morëm të gjitha masat për të zbritur udhëtarët dhe në bashkëpunim me drejtorinë i transportuam ata me autobusë. Por udhëtimi me tren në këtë aks rrugor nuk është i sigurt. Duhen ndërhyrje dhe investime që traseja të garantojë lëvizjen e trenave”. Ndodhur përballë kësaj situate Drejtoria e Hekurudhës në Elbasan ka pezulluar pa afat lëvizjen e udhëtarëve në këtë aks rrugor. L. Lleshi