E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore sugjeron heqjen e TVSH-së

Autori i Lajmit: red.
Banka Botërore paraqet dy skenarë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nëse viti i ardhshëm do të jetë me reshje dhe me një situatë të favorshme në bursa, atëherë çmimi do të rritet nga 6 deri në 8 për qind. Por, nëse 2010-a do të jetë një vit i ngjashëm me atë që lamë pas me një situatë të vështirë hidro-energjetike, çmimi i energjisë për konsumatorët duhet të rritet mbi 10 për qind. Ja se si shprehet eksperti i Bankës Botërore, Dimitrius Papanathasiu, “nëse situata është si në vitin 2009 me prodhim të lartë të energjisë dhe me çmime të ulëta në rajon, në vitin 2010 unë mendoj se çmimi duhet të rritet nga 6 deri në 8 për qind. Por, nëse situata do të ishte si në vitin 2008, me prodhim të paktë dhe çmime të larta, atëherë me keqardhje them se në vitin 2010 çmimi duhet të rritet mbi 10 për qind. Gjithsesi, është e vështirë të përcaktohet me saktësi se sa mund të rritet çmimi i energjisë”- tha Papanathasiu. Përfaqësuesit e Bankës Botërore i kanë bërë thirrje qeverisë të mbrojë shtresat e varfra përballë rritjes së çmimit të energjisë. Institucioni financiar ndërkombëtarë ka sugjeruar edhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në faturat e energjisë. Sipas Bankës Botërore në 5 lekë energji elektrike, 1 lek është TVSH-ja të cilën, Ekzekutivi mund ta heqë, duke lehtësuar konsumatorët.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›