E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin

Autori i Lajmit: red.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë të mbështetur dhe nga Këshilli i Ministrave për të bërë një shqyrtim paraprak nëse anëtarët e saj kanë konflikt interesi me ligjin e “Lustracionit”. Kuvendi ka kërkuar gjithashtu dhe heqjen e pezullimit të ligjit, vendim ky i marrë në mbledhjen e parë të Kushtetueses. Por të dyja këto kërkesa janë hedhur poshtë si të pabazuara në ligj. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë shpjeguar se sipas Kushtetutës, vetëm kjo gjykatë ka të drejtë shqyrtimin e këtyre çështjeve. Gjykata në fillim të mbledhjes ka vendosur shqyrtimin njëherësh të tre kërkesave, atë të 38 deputetëve të opozitës, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit por edhe të Shoqatës së Prokurove për ligjin e “Dosjeve”. Më pas me një kërkesë me shkrim të bërë nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj është vendosur shtyrja e mbledhjes për në datën 7 maj.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë shqyrtimin për ligjin e “Lustracionit”. Anëtarët e kësaj gjykate, pas mbledhjes vendosën që shqyrtimin për ligjin të zhvillohet në një seancë tjetër, e cila do të mbahet më 7 maj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen e shqyrtimit erdhi pas kërkesës nga ana e Partisë Socialiste për shtyrjen e seancës, pasi mungonin përfaqësuesit ligjor të saj. Edhe pse ka vlerësuar si jo të vlefshëm arsyetimin e Leskaj për shtyrje të mbledhjes, Kushtetuesja e ka cilësuar si të domosdoshme praninë e ekspertëve socialistë dhe ka vendosur për shtyrjen e shqyrtimit të ligjit të shumëpërfolur. Po dje Përfaqësuesi ligjor i Parlamentit ka kërkuar që të shqyrtohet qenia në konflikt interesi e Gjykatës Kushtetuese. Por, Gjykata theksoi se kërkesa e Kuvendit për konflikt interesi nuk qëndron. “Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Asnjë anëtar i saj nuk ka dhënë dorëheqjen për konflikt interesi, pra nuk ka konflikt. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetence të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë Kushtetuesen në realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjitha këto argumente bëjnë Gjykatën Kushtetuese që në këtë rast ta konsiderojë të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit”, - u shpreh Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa e Kuvendit ka hasur gjithashtu dhe në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të cilët e kanë quajtur të pabazë atë. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë këto dy institucione i qëndrojnë idesë se gjykata është garanti i Kushtetutës. Ligji i shumëdiskutuar i dosjeve ka bërë që Gjykatës ti dërgohen tri kërkesa, respektivisht nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit që kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji. Të tre këto kërkesa janë vendosur të shqyrtohen së bashku. Në padinë e datës 30 janar 2009, që përkonte edhe me ditën kur i ashtuquajturi ligji i Dosjeve hyri zyrtarisht në fuqi, PS i referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t u zgjedhur. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të Dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Kurse sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i Lustracionit cenon të drejtat themelore të njeriut të sanksionuara në Kushtetutë si barazinë e shtetasve para ligjit, neni 18, dhe të drejtën për tu zgjedhur, neni 45. Po sipas tyre, ligji bie ndesh dhe me disa ligje në fuqi. Është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese hap shqyrtimin e kërkesave të sipërpërmendura. Në seancën e dt.16.02.2009, Gjykata Kushtetuese vendosi “Pezullimin e ligjit deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj.
Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›