E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Europiane ul normën e interesit me 0.5 përqind

Banka Qendrore Europiane, në një lëvizje surprizë, ka vendosur të ulë normën e interesit me 0.5 përqind, duke e cuar në 2 përqind, minimumi i saj që nga lindja e monedhës euro. Banka Europiane ka vendosur gjithashtu të ulë edhe normën e depozitave me një pikë, duke e cuar në 1 përqind. Në mbledhjen e fundit të vitit 2008, Banka Qendrore Europiane kishte vendosur uljen më të madhe të normës së interesit me 0.75 përqind, që është ndjekur edhe nga dy ulje të tjera, përkatësisht me nga 0.5 përqind. 8 tetorin e kaluar, si kundërpërgjigjje ndaj përkeqësimit të krizës ekonomike, që tashmë është zgjeruar, Rezerva Federale Amerikane, Banka Qendrore Europiane, Banka e Anglisë dhe banka të tjera qendrore në botë vendosën të ulin normat e interesit me 0.5 përqind. Por që në atë kohë, uljet e normave të interesit kanë vazhduar në rend të ç'rregullt. Në SHBA Rezerva Federale ka vazhduar uljet e normës, duke e cuar këtë të fundit gati në zero. Prej disa kohësh, norma e interesit në SHBA varion nga zero deri në 0.25 përqind. Që nga java e kaluar, Banka e Anglisë lëvizi me një ulje prej 1.5 përqindësh, duke shënuar një minimum të normës së interesit, pas tre shekujsh historie të këtij institucioni. Ndërkohë që Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Zhan Klod Trishe ka deklaruar se Eurozona po vuan tronditjet më të mëdha financiare. "Të dhënat e fundit të muajve nëntor dhe dhjetor tregojnë një përkeqësim të ekonomisë në Eurozonë. Presionet inflacioniste janë ulur shumë, edhe pse rreziqet mbi qëndrueshmërinë e cmimeve në afatin e mesëm dhe të gjatë vazhdojnë të jenë të balancuara. Synimi ynë është të shmangim kurthin e likuiditetit", u shpreh Zhan Klod Trishe. Trishe ka shtuar se statistikat e fundit tregojnë një ngadalësim të ekonomisë së vendeve të zonës euro, që i detyrohet intensifikimit të paqëndrueshmërisë financiare. Sipas tij, paqendrueshmëria financiare do të vazhdojë për një periudhë të gjatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›