Merkel:"Gazi"po dëmton reputacionin rus"

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se Rusia po rrezikon të dëmtojë reputacionin e saj si furnizuese me energji e Europës, në mosmarrëveshjet me Ukrainën për gazin. "Mendoj se besueshmëria e Rusisë është në rrezik. Unë do të flas nesër më kryeministrin rus Vladimir Putin në lidhje me këtë cështje", tha Merkel në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Britanisë së Madhe Gordon Braun. Vladimir Putin pritet të vizitojë Gjermaninë të premten, ku do të takojë edhe homologen e tij Merkel. "Ukraina dhe Rusia duhet të negociojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe për furnizimet me gaz. Vendet europiane nuk duhet të vazhdojnë të vuajnë problemet e pazgjidhura politike", u shpreh Merkel. Merkel dhe Braun kanë diskutuar edhe për situatën në Lindjen e Mesme. Kryeministri britanik theksoi se ai pajtohet plotësisht me mendimin e Merkel, për ndërmarrjen e veprimeve konkrete. "Ne do të mbështesim cdo iniciativë për gjetjen e një zgjidhjeje të problemit", tha Braun. Gordon Braun deklaroi se Britania e Madhe do të vinte në dispozicion të gjitha burimet e saj për të zgjidhur konfliktin në Rripin e Gazës dhe për të arritur një marrëveshje paqeje.