Maqedoni,nis procesi për dosjet

Parlamenti i Maqedonisë ka zgjedhur përbërjen e Komisionit për verifikimin e fakteve, që shënon fillimin e procesit të hapjes së dosjeve në vend. 87-të deputetët e pozitës dhe opozitës, të pranishëm në votim, mbështetën përbërjen e komisionit për lustrim. Votimi u krye pas konsensusit paraprak midis partive më të mëdha politike në vend. Kryetar i Komisionit është zgjedhur Agim Mehmeti, ndërsa zëvendës i tij historiani Gjorgji Malkovski. Komisioni do të ketë 11 anëtarë. Partia në pushtet, VMRO-DPMNE e përshëndeti zgjedhjen e komisionit për lustrim dhe shfaqi shpresë se ky komision do t'i përgjigjet me sukses detyrës historike, që i është besuar. Partneri i saj i koalicionit, partia shqiptare BDI njoftoi se komisioni për lustrim do të punojë me përgjegjësi të madhe dhe nuk do të kryejë gjuetinë e shtrigave. Partia opozitare LSDM vlerësoi se para komisionit qëndron një detyrë e vështirë dhe serioze. Sipas LSDM-së, ky komision do t'ia dalë t'i bëjë ballë trysnive të mundshme politike që do të mund të ushtroheshin mbi të. Zgjedhjen e Komisionit për lustrim e përshëndeti edhe PDSH-ja opozitare, duke bërë të ditur se është me rëndësi të vecantë që kryetari i tij do të jetë nga radhët e opozitës. Funksionarët e zgjedhur dhe emëruar të komisionit për verifikimin e fakteve si dhe ushtruesit e posteve në këtë veprimtari e shërbime tjera të karakterit publik, do të duhet të dorëzojnë një deklaratë se nuk kanë bashkëpunuar me policinë sekrete. Më pas komisioni do të kërkojë të dhëna nga organet shtetërore dhe do të analizojë besueshmërinë e këtyre deklaratave. Maqedonia është në mesin e vendeve të fundit të Europës që nuk e ka zbatuar lustrimin.