Banka Qendrore Evropiane ul interesin e euros, zbuten kreditë shqiptare
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ndërmarrë një vendim për uljen e normës bazë të interesit për euron me 0.5 për qind. Tashmë euroja në eurozonë ka një normë interesi prej 3.75 për qind pas uljes së saj me 0.5 përqindje. Efektet që jep një vendim i tillë, do të ndodhin edhe në vendin tonë, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e kredive jepen në valutë të huaj dhe kryesisht në euro. Një fakt të tillë e pohojnë ekspertë të bankingut, të cilët deklarojnë se vendimet e BQE-së reflektohen edhe në sistemin bankar shqiptar, pasi ndryshimi i normës bazë të euros bën automatikisht ndryshimin e euroborit, baza e interesit për kreditë apo dhe depozitat në euro. BQE-ja e mori një vendim të tillë unanim me 7 banka të huaja në gjithë botën, të cilat vendosin njëzëri të ulin normën e interesit me 0.5 për qind në vendet e tyre. Ky vendim përfshin banka qendrore në SHBA, në Evropë, Kanada, Kinë, Britani të Madhe dhe Zvicër. Me këtë vendim norma bazë e interesit e Rezervës Federale në Amerikë zbret nga 2 për qind në 1.5 për qind.
Sipas ekspertëve, një vendim i tillë ka si synim në normalizojë tregjet dhe të lehtësojë peshën që ndien ekonomia nga rënia në bursa. Vendimi i BQE-së në fakt është lajm i mirë vetëm për kreditorët shqiptarë që kanë marrë kredi në euro. Ndërkohë që e kundërta ndodhi në korrik të këtij viti me kreditë shqiptare të cilat u shtrenjtuan, pas vendimit të BQE-së për të rritur me 0.25 koston e euros, duke e çuar normën bazë të interesit në 4.25 për qind. Ndërkohë që tani pritet të ndodhë e kundërta, të përfitojnë kreditorët dhe të humbasin disi depozituesit. Sipas ekspertëve të tregjeve valutore, një vendim i tillë do të gjejë pa dyshim pasqyrim edhe në uljen e barrës së pagesës së qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë marrë kredi në euro. Vitet e fundit, bankat e pranishme në vend kanë këshilluar klientët e tyre që të parapëlqejnë kredi në monedhën evropiane. Për më tepër, një gjë e tillë ka qenë paracaktuar edhe nga fakti se ndërtuesit kanë preferuar të shesin apartamentet në euro, si një monedhë më e shëndoshë se dollari apo leku shqiptar. Nga viti në vit, në përputhje me këtë, por edhe me faktin se në vendin tonë prurjet nga emigrantët janë më të shumta në euro, pagesat janë preferuar të kryhen në monedhën evropiane.
Ulja e normës bazë të euros, efekte edhe jashtë eurozonës
Vendimi i BQE-së për ndryshimin e normës bazë të interesit të euros pritet të japë efektet e saj edhe në vendet që nuk janë në eurozonë. Së pari, ky efekt do të ndihet në importet që kryejnë këto vende, mes tyre edhe në Shqipëri. Por gjithashtu ndikimi do të shtrihet tek depozitat dhe kreditë e bankave të nivelit të dytë. Nga njëra anë, një pjesë e qytetarëve do të përfitojnë nga kjo masë dhe pikërisht janë ata që kanë marrë kredi në banka dhe ata që kanë depozituar paratë në bankat e kursimeve do të pësojnë humbje, pasi ulet interesi. Sipas ekspertëve të bankingut, ulja e normës së interesit të euros, mendohet se do të sjellë uljen e kostos së huamarrjes në euro në tregun ndërbankar. Kjo, sepse ulet kostoja e huamarrjes nga BQE-ja dhe kjo transmetohet në tërë nivelin bankar. Si pasojë, vlerësohet se do të ulen edhe indekset e lidhura me huamarrjen në euro, si për shembull EURIBOR-i apo LIBOR-i për euron.