E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, çmimi në botë gati përgjysmohet, në Shqipëri ulet disa qindarka

Çmimi i naftës në tregjet botërore po ulet në mënyrë të menjëhershme, duke arritur në çmimin e para një viti, kohë kur nafta nisi të shënonte rekorde nga muaji në muaj. Çmimi i naftës në botë gati po përgjysmohet me rekordin e shënuar dy muaj më parë kur arriti të shitej me 147 dollarë për fuçi. Sipas agjencive të huaja, dje çmimi i naftës pësoi ulje të madhe, menjëherë pas vendimit të 7 bankave qendrore në 7 vende, për uljen e normës bazë të interesit. Dje bursat shënuat çmimin e naftës 86 dhe 84 dollarë për fuçi, një ulje e konsiderueshme kjo. Çmimi i naftës ka dy muaj që ka nisur të zbresë, që nga koha kur ai shënoi rekordin historik prej 147 dollarësh për fuçi. Në më shumë se dy muaj çmimi është ulur më shumë se 60 dollarë për fuqi, por vetëm tregu shqiptar duket se është krejt i pandjeshëm ndaj kësaj uljeje që po pëson çmimi i naftës në tregjet botërore.

Qëkur çmimi i naftës nisi të ulej në bursat ndërkombëtare, tregtarët shqiptarë për një kohë të gjatë disajavore nuk e reflektuan uljen në treg, duke u justifikuar se nafta në depozitat e tyre është importuar kur çmimi në tregjet botërore ishte i lartë. Por tash pas 2 muaj kur nafta ka nisur të ulë çmimet, tregtarët shqiptarë vazhdojnë të mbajnë çmime të larta për të. Në tregun e Tiranës në pikat me pakicë, nafta ka një çmim prej 155-156 lekë/litër, kur vetëm dy muaj më parë çmimi arriti në deri në 170-175 lekë litri. Siç vihet re, në dy muaj tregtarët shqiptarë kanë arritur të ulin çmimin rreth 10 apo 15 lekë për litër. Ky është i vetmi reflektim që ndien tregu shqiptar. Por duket se më tolerantë janë tregtarët në qytetet e vogla, larg metropolit. Në disa prej tyre çmimi i naftës eurodizel është deri 150 lekë/litër. Siç duket, tregtarët kryeqytetas kanë arritur “të njohin” të fshehtat e tregut, pasi mendojnë se në Tiranë, duke qenë kërkesa më e madhe edhe çmimi pranohet më i lartë, pasi në këtë tregti të çuditshme tregtarët shqiptarë nxiten nga vetë konsumatorët, të cilët edhe kur çmimi shënoi rekorde, nuk e ulën kërkesën për karburante. Dy muaj më parë shqiptarët treguan se janë ndër të vetmit konsumatorë që nuk ndikohen nga rritja e çmimit, pasi vazhduan të përdorin mjetet e tyre me të njëjtat ritme si më parë, kur çmimi i naftës ishte në nivele më të ulëta.

INSTAT: Shtatori rriti çmimet 1.1 për qind

Pas uljes në muajin gusht, shtatori riktheu rritjen e çmimeve. Sipas INSTAT-it, indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2008, shënoi një rritje prej 1.1 për qind, krahasuar me muajin e kaluar (gusht 2008). Por gjithsesi, niveli i inflacionit për shtatorin është brenda objektivave në 2.7 për qind. Alketa Spartaku, drejtorja e Informacionit në INSTAT, bëri me dije dje në një konferencë për shtyp se ndryshimi vjetor në muajin shtator 2008 / shtator 2007 është 2.7 për qind ose 1.7 për qind më i ulët se një vit më parë. Sipas saj, indeksi i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2.1 për qind. Brenda këtij grupi rritja me e madhe prej 7.1 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ndërkohë që rritje çmimesh vërehen edhe në nëngrupet “mish” me rreth 2.9 për qind, “ bukë e drithëra” 2.5 për qind më i lartë dhe “qumësht, djathë e veze” 1.3 për qind më shumë. Gjatë këtij muaji, rritje të lehtë shënon indeksi i çmimit edhe për grupin “pije alkoolike dhe duhan” me rreth 1.3 për qind, “veshje dhe këpucë” me rreth 0.3 për qind dhe “argëtim, kulturë” me një rritje 10.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›