E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi, gjyqtarët penalistë i dërgojnë një memo KLD-së

Gjyqtarët penalistë e kanë kundërshtuar hapur transferimin e tyre për në godinën ku më parë kanë ushtruar detyrën gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Madje, për të sqaruar arsyet pse nuk e pranojnë një transferim të tillë, si dhe duke kërkuar ndihmë nga KLD-ja, 13 prej tyre kanë nënshkruar një memo, në të cilën rendisin pretendimet e tyre. Burime brenda grupit të gjyqtarëve bëjnë të ditur se e kanë kundërshtuar hapur dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Sipas tyre, ende nuk e kuptojnë pse janë larguar nga Gjykata e Tiranës, aty ku kanë qenë deri katër ditë më parë, pasi arrinin ta menaxhonin punën me sallat e gjyqit që kishin, kushtet ishin më të mira. Tashmë, sipas tyre, me largimin edhe të gjyqtarëve administrativë, në atë gjykatë ngelen vetëm 20 gjyqtarë dhe shumë hapësirë bosh, ndërkohë që ata janë vendosur në zyra pa kushte dhe me salla gjyqi sa gjysma e atyre që kishin në Gjykatën e Tiranës. Memoria e nisur në KLD-ja është nënshkruar nga 13 gjyqtarë penalistë, ndërkohë që nuk kanë preferuar ta nënshkruajnë atë 2 prej tyre. Por, sipas gjyqtarëve, ndonëse ka kohë që është nisur në KLD, ende nuk është përfshirë në rend dite, madje duken të pashpresë se këshilli do ta marrë në shqyrtim memon e tyre. Megjithatë, shprehen disa prej tyre, shpresojnë që KLD ta marrë në shqyrtim sa më parë, duke e futur në rend dite, t’i dëgjojë argumentet e tyre dhe t’i japin një zgjidhje problemit që i shqetëson që nga dita kur morën vesh se duhet të shpërnguleshin për në vendin e ri të punës. “Një zyrë, një sallë gjyqi. Kjo është pamja që të ofrohet. Zyra e gjyqtarit përballë sallës së gjyqit. Në korridor përplasen gjyqtarë, prokurorë, avokatë, familjarë dhe të pandehurit e shoqëruar nga togat e shoqërimit. Këto janë kushtet tona të sigurisë në këtë gjykatë, e cila nuk të ofron as pamjen e një të tille”, - shprehen disa nga gjyqtarët penalistë të Gjykatës së Tiranës, të transferuar prej disa ditësh në godinën ku më parë ishin gjyqtarët e Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›