E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Shqipërisë: Qeveria, kujdes me deficitin

Autoriteti bankar i kërkon qeverisë të mbajë brenda nivelit të përcaktuar deficitin buxhetor për vitin 2009


Këshilli Mbikëqyrës mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 5.75%. Treguesit ekonomikë rritje të lehtë, por nën mesataren afatgjatë

Banka e Shqipërisë i ka kërkuar edhe njëherë qeverisë të jetë e kujdesshme me shpenzimet, në mënyrë që deficiti buxhetor të mbetet brenda niveleve të kërkuara.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se politika fiskale ka vijuar të ruajë karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke u reflektuar në rritjen e nivelit të deficitit buxhetor dhe të konkurrencës së sektorit publik për mjete monetare.


Kjo politikë ka ndikuar në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ajo është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë. "Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme.


Për këtë arsye, ne do të vlerësonim marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009 dhe fokusimin e buxhetit të shtetit në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik për vitin 2010 e në vazhdim"-, tha dje guvrnatori Fullani.


Banka e Shqipërisë gjatë gjithë këtij viti i ka kërkuar qeverisë të jetë e kujdesshme me deficitin buxhetor. Vetë kryeministri deklaroi dje se qeveria është e angazhuar të mbajë deficin buxhetor në 4.2%. Ai tha se qeveria synon të ulë në 3% deficitin buxhetor deri në vitin 2012.


Ekonomia

Ekonomia shqiptare ka pësuar një rritje të lehtë në tre-mujorin e dytë të këtij viti. "Treguesi i tendencës ekonomike regjistron një prirje të lehtë rritëse gjatë kësaj periudhe, pas rënies së theksuar në tremujorin e parë, ndërkohë që shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese në ekonomi rezulton i rritur.


Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht këtyre zhvillimeve, treguesit e mësipërm mbeten në nivele të ulëta historike dhe poshtë mesatares së tyre afatgjatë",- tha Fullani pas mbledhje së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.


Ndërkohë përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të dytë kanë pësuar edhe treguesi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, dy indekse shumë të rëndësishme në projeksionet ekonomike. Gjatë muajit korrik inflacioni vjetor arriti në 2.2 për qind, ose 1.5% më e ulët se korriku i një viti më parë.


Duke parë zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare, Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, e cila që në fillim të këtij viti është 5.75 për qind. Parashikimet flasin për një përmirësim të ekonomisë botërore gjatë vitit 2010.


Ekspertët parashikojnë që në Shtetet e Bashkuara pritet që ritmet e rritjes ekonomike të arrijnë nivelet e parakrizës në fund të vitit 2010 dhe në fillin të 2011-ës, gjë e cila pritet të reflektohet në të gjithë vendet e përfshira nga kriza ekonomike.

Kreditimi, interesat në rënie pas prillit

Gjatë këtij tre-mujori janë vënë re disa zhvillime pozitive në sistemin bankar. Guvernatori i BSH-së tha se interesat për kreditë e reja në lekë janë ulur në muajin qershor duke vijuar prirjen rënëse të vërejtur që në muajin prill.


"Rënie e normave të interesit regjistrohet edhe për kreditë e reja në euro gjatë këtij muaji. Megjithatë, është ende shpejt të flasim për një lehtësim të ndjeshëm të kostos së kredidhënies nga sistemi bankar",- tha ai.


Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për rritjen e gatishmërisë së qytetarëve për të depozituar kursimet në bankat e nivelit të dytë dhe përmirësim të lehtë të cilësisë në portofolin e kredive. Megjithatë gjatë muajit qershor është vënë re një ngadalësim i ndjeshëm i rritjes së tepricës së kredisë.


Në muajin qershor norma vjetore e rritjes së portofolit te kredisë u ngadalësua në 14%, ndërkohe që në krahasim me muajin maj kredia u zvogëlua me rreth 1 miliardë lekë.


"Bankat vazhdojnë të aplikojnë politika të shtrënguara kreditimi, duke reflektuar shqetësimin e tyre për rritjen e raportit të kredive të këqija ndaj totalit, por edhe duke shprehur pasigurinë e tyre për zhvillimet e aktivitetit ekonomik në të ardhmen.


Këto politika së bashku me pasigurinë për zhvillimet e ardhshme duket të kenë ndikuar edhe në tkurrjen e kërkesës për kredi",- tha Fullani.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›