E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndryshon destinacionin e të ardhurave të privatizimit

Të ardhurat tatimore kanë shënuar mosrealizime gjatë gjithë këtij viti. Në dogana 65 mln USD më pak


Skemë e re për përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s dhe OSSH-së.


Fokusi tek investimet


TIRANË- Qeveria ndryshon destinacionin e përdorimit të fondeve të përfituara nga privatizimet e kompanive ARMO dhe OSSH. Skema aktuale parashikonte që pjesa kryesore e të ardhurave nga privatizimi i kompanive strategjike të përdorej për shlyerjen e borxhit publik.


Sipas vendimit të djeshëm të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, një pjesë e tyre do të futen në buxhetin e shtetit për t'u përdorur më pas për investime publike. Me këtë vendim synohet të kompensohet deri në një fare mase mospërmbushja e planit në të ardhurat në buxhetin e shtetit, të cilat gjatë këtij viti kanë shënuar mosrealizime.


"Në këtë takim, ato (të ardhurat nga privatizimet) trupëzohen të gjitha në buxhet. Kjo qeveri nuk mund të shpenzojë dhe nuk do të shpenzojë kurrë, qoftë edhe një qindarkë të vetme, jashtë ligjit të buxhetit. Ndryshon raporti i përdorimit të tyre për investime, me përdorimin e tyre për shlyerjen e borxhit", - tha Kryeministri.


Pavarësisht kësaj, kreu i ekzekutivit nuk bëri publike sasinë e të ardhurave të përfituara nga privatizimet strategjike që do të përfshihen në buxhetin e shtetit.


Për sa i përket kërkesës së Ministrisë së Financave për të bërë një rishpërndarje të fondeve në buxhetin e shtetit të vitit 2009, Berisha theksoi se rishikimi i parametrave ekonomike është tejet i nevojshëm për shkak edhe të rritjes ekonomike tej parashikimeve që pati ekonomia e vendit gjatë vitit të shkuar. "Rritja ekonomike e vitit 2008 është më e madhe se sa ajo që ishte parashikuar.


Ajo ishte 8 për qind dhe në këtë kontekst, një rillogaritje e parametrave është e domosdoshme", - tha ai. Por, me përdorimin e një pjese të të ardhurave nga privatizimeve për investime publike dhe jo për shlyerjen e borxhit publik parashikohet një rritje e mëtejshme e tij, e cila u pranua vetë edhe nga Kryeministri i vendit.


"Pranohet rritja 1 për qind e borxhit, duke ngelur sërish 4 për qind nën borxhin që ne gjetëm në vitin 2005. Ne synojmë që, siç do të diskutojmë për kuadrin makroekonomik, vitin e ardhshëm të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin dhe, deri në vitin 2012, ne të kemi një defiçit buxhetor rreth 3 për qind", - tha Berisha.


Të ardhurat


Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, kreu i ekzekutivit ka vënë theksin edhe në mos përmbushjen e planit për këtë vit në të ardhurat nga doganat. Sipas tij, shkaku kryesor i krijimit të një boshllëku prej 65 milionë dollarësh ka të bëjë me uljen e çmimeve të mallrave të importit si, karburantet, hekuri, drithrat , etj. "Rënie dramatike pësoi çmimi i hekurit.


E njëjta gjë ka ndodhur me çmimin e grurit, por me grurin kësaj here nuk ndodhi për shkak të krizës, por për shkak të prodhimit. Edhe çmimi i tij nga 460 dollarë zbriti në 140 -160 dollarë, në çmimet më të ulëta, që janë rekord historik. Këto bënë që me planin doganat të lënë një boshllëk prej 65 milionë dollarësh.


Kjo jo duke u krahasuar me vitin e kaluar, sepse në raport me 2008-n të ardhurat në Shqipëri janë 7 për qind më të larta, ndërkohë që tatimet janë në realizim mbi 100 për qind", - tha ai. Po ashtu, sipas Kryeministrit, mosplotësim të planit duke krijuar një boshllëk prej 25 milionë dollarësh ka pasur edhe në të ardhurat e nga pushteti lokal, mungesa e të cilave ka ndikuar në rritjen e deficitit buxhetor.


"Ka pasur një mosplotësim të planit nga qeveritë vendore, të cilat kanë lënë pa arkëtuar mbi 25 milionë dollarë nga taksat që ato duhet të mbledhin", - tha ai duke u zotuar për mbajtjen e këtij defiiti nën kontroll nga qeveria.


Energjetika, licensat në një sportel

TIRANË- Të gjitha projektet që kanë të bëjnë me sipërmarrje në fushën e energjetikës tashmë do të shqyrtohen nga një qendër e posaçme. Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën ngritjes së Qendrës Kombëtare për Aplikimet Energjetike (QKAE) e cila do të funksionojë në formatin "Qendër me një ndalesë të vetme", si një institucion bashkërendues dhe lehtësues, për procedurat e marrjes së lejeve ose të autorizimeve të nevojshme për ngritjen e të gjitha llojeve të projekteve, në fushën e energjisë elektrike në vend.


Ndër funksione kryesore të QKAE-së, do të jetë lehtësimi i procesit të lëshimit të licencave, lejeve, autorizimeve apo të akteve të tjera administrative, për të gjitha llojet e projekteve, në fushën e energjisë elektrike.


Kjo do të arrihet duke bashkërenduar procedurat për dhënien e licencave, të autorizimeve dhe lejeve nga ministritë e linjave apo institucionet e tjera.


Pas fillimit nga puna e QKAE-së, çdo investitor i interesuar që të investojë në projekte energjetike në vend nuk do ta ketë të nevojshme që të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm në çdo institucion përgjegjës por do të mjaftohet vetëm duke u drejtuar tek kjo e fundit. Deri më tani, në Shqipëri janë miratuar projekte energjetike që kanë të bëjnë me HEC-e, TEC-e dhe parqe eolike të cilat prodhojnë energji duke përdorur energjinë e erës.


Po ashtu, pjesë e punës së QKAE-së do të jetë edhe dhënie e mendimeve dhe sugjerimeve për krijimin e ligjeve për institucionet publike, që kanë të bëjnë me funksionin parësor të kësaj qendre. Por, me krijimin e QKAE-se është i nevojshëm miratimi i një serë ndryshimesh ligjore, të cilat do t'i jepnin asaj të drejtën për të kryer detyrën.


Sipas asaj çka është përcaktuar edhe në projektvendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të nevojshme ligjore QKAE-ja do të kryejë funksionet e saj, të përcaktuara në këtë vendim, për aq sa kjo lejohet nga legjislacioni në fuqi. Buxheti i QKAE-së miratohet së bashku me buxhetin vjetor të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa edhe për periudhën në vazhdim deri në miratimin e buxhetit të vitit 2010 shpenzimet të mbulohen nga kjo ministri.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›