E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka botërore, 15 milionë lekë për projektin "zhvillimi i burimeve natyrore"

Autori i Lajmit: red.
Shtimi i pyjeve komunalë me bimësi të re dhe kafshë të egra nga shoqatat e pyjeve në rrethin e Elbasanit, po mbështetet nga projekt "Zhvillimi i burimeve natyrore", financuar me 15 milionë lekë nga Banka Botërore. Përfitues të fondit të Bankës Botërore janë 15 shoqatat e pyjeve në komunat e rrethit të Elbasanit, të cilat përmes tij, do të shtojnë fondin pyjor me mbjelljet e akacies, lisit me farë, por dhe për përmirësimin e pyjeve private malore dhe rezervuarëve të vegjël, në shërbim të kafshëve të egra dhe bagëtive. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave Haxhi Murati tha se "krahas mbjelljes të fidanëve të ndryshëm pyjorë, që bëhet nga fondet e buxhetit të shtetit, kemi përfituar 15 milionë lekë nga projektet e Bankës Botërore, ku përfitues janë Shoqatat e Pyjeve në 15 komunat e qarkut". Sipas tij, fondi i Bankës Botërore nuk do të përfundojë me kaq, pasi çdo komunë mund të hartojë paketa për miniprojekte të ndryshme në parcelat pyjore komunale. Murati shtoi se institucioni po bashkëpunon ngushtë me komunat, me të cilat është planifikuar dhe studimi për planin e menaxhimit për pyjet komunale. Me vendim të Qeverisë Shqiptare për transferimin e pyjeve dhe kullotave pushtetit vendor, tashmë fondi prej 25.000 hektarë pyje dhe kullota i ka kaluar Pushtetit Lokal, i cili ia ka dhënë nën administrim Drejtorisë Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave në Elbasan.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›