E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zhjedhjeve pritet të marrë nesër në shqyrtim projektvendimin për miratimin e modelit të fletës së votimit. Bazuar në nenin 97.1 dhe 98 të Kodit Zgjedhor duke i shtuar edhe disa elementë, përcaktimi i të cilave i takon KQZ-së, zbardhet mënyra se si do të votojnë shqiptarët në 28 qershor. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë herë zgjedhësit do të votojnë vetëm në një fletë votimi. Fleta e votimit, duhet të përmbajë emrat e partive politike apo kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit të cilat vendosen në të sipas rendit alfabetik. Përbri emrit të partisë vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Radha e renditjes së tyre përcaktohet sipas rendit alfabetik. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo partie politike anëtare të koalicionit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve të KQZ-së. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundërfletë dhe numri i serisë shënohet vetëm në kundërfletë. Për zgjedhjet për Kuvendin, zgjedhësi voton me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Në realicionin shoqërues të vendimit thuhet se fleta e votimit për partitë politike dhe koalicionet duhet të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Gjithashtu fleta e votimit duhet të jetë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjësën e pasme të saj. Modeli i fletës së votimit i paraqitur për miratim parashikon se gjatësia e fletës së votimit do të jetë fikse pavarësisht numrit të subjekteve (parti politike dhe koalicione) që do të marrin pjesë në zgjedhje në 12 zonat zgjedhore. Në dokumentin e KQZ-së janë parashikuar çështje teknike si lloji i letrës, madhësia e saj, vendosja e logos së KQZ-së, stemës së Republikës së shqipërisë, lloji i shkrimit etj që përbëjnë edhe elementët e sigurisë të fletës së votimit. Psh. lloji i letrës që parashikohet të përdoret është atermark 90gr/m2 100% pulp, me fibra karboni ultraviolet, 2 shtresa, e ratifikuar ne fazën përfundimtare, me certifikate origjine. Dimensionet e fletës së votimit do të jenë: gjerësia e fletës së votimit 300 mm dhe gjatësia në 420 mm.
Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›