E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë: Bankat të mos nxjerrin paratë jashtë vendit

Ky hap ndërmerret me qëllim që, bankat private në Shqipëri, të ruajnë gjendje likuiditeti.

TIRANË - Banka e Shqipërisë ndalon pa afat, të gjitha bankat e nivelit të dytë (private) që të nxjerrin pará nga Shqipëria, për t’ua dërguar ato bankave mëmë në vendet e tjera.

Lajmi konfirmohet nga burime të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, ky hap ndërmerret me qëllim që, bankat private në Shqipëri, të ruajnë gjendje likuiditeti. Të njëjtat burime bënë të ditur se, këto ditë, bankave të nivelit të dytë, u është bërë e qartë se ndalohen të nxjerrin valutë nga Shqipëria, duke ua dërguar ato bankave mëmë. Burimet e mësipërme, bënë të ditur se, ky urdhër i lëshuar, është pa afat dhe se, zbatimi i saj është një përpjekje për të parandaluar çdo lloj mundësie të prekjes së sistemit financiar shqiptar nga kriza botërore që, fillimisht pushtoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, së fundi, Evropën. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, urdhri është vijim i vendimit që mori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të fundit, ku ishte vendosur për reduktimin e transaksioneve të dhënies së valutës nga bankat e nivelit të dytë. Një gjë e tillë bëhet me qëllimin e vetëm që, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, të kenë para të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo situate të mundshme krize, ekonomike apo financiare.

Treguesit e likuiditetit

Sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë, duke ruajtur nivele të mira të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por duke evidentuar përsëri rënie të cilësisë së portofolit të kredisë dhe të treguesve të likuiditetit. Këtë e evidentoi Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, më 8 tetor. Në mbledhje, u vu në dukje se, në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar, arriti në pothuaj 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 3.6 pikë përqind, në krahasim me fundin e vitit 2007. Investimet në letra me vlerë arritën në rreth 19 për qind të totalit të aktiveve, duke u rritur me 1 pikë përqindje, në krahasim me fundin e vitit 2007. Në fund të qershorit 2008, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare, rezultoi 1.3 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner, rezultoi 16.6 për qind. Cilësia e kreditimit, është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurenca në treg. Raporti i kredisë, me probleme ndaj totalit të portofolit të kredisë, u ngjit në 4.3 për qind. Në këtë nivel, ky raport, është ende më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit dhe konsiderohet i pranueshëm. Sakaq, kredia në valutë, vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Afati mesatar i maturimit të kredisë është zgjatur. Veprimtaria është financuar nga depozitat e publikut, të cilat përfaqësojnë 80 për qind të totalit të aktiveve. Një burim paralel i financimit të veprimtarisë janë, gjithashtu, edhe linjat e kredisë nga grupet bankare zotëruese, të cilat zinin 8.6 për qind të totalit të aktiveve. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit, ka shfaqur një rritje të lehtë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, duke u ngjitur në nivelin 17.3 për qind. Si rezultat i investimit në aktive me rrezik më të lartë, sektori bankar ruan prirjen rënëse të treguesit të likuiditetit.

Ndërhyrjet e fundit në tregun e parasë

TIRANË - Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit, informoi këtë fundjavë mbi ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë dhe në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008. Duke sqaruar Operacionet e tregut të hapur, BSH-ja tha se, ndërhyrjet në tregun e parasë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008, kanë vijuar të kryhen nëpërmjet instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë, marrëveshjes së anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, me një mesatare javore prej 3.74 miliardë lekë. Kurse, mbi përdorimin e instrumenteve mbështetëse, BSH-ja njoftoi se, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008, për investimin e likuiditeteve të lira, bankat përdorën depozitën njëditore, niveli mesatar ditor i së cilës ishte 3.8 miliardë lekë, në krahasim me 2.6 miliardë lekë në tremujorin e kaluar. Në kushtet e plotësimit të nevojave në tregun ndërbankar, instrumenti i kredisë njëditore gjeti përdorim minimal edhe gjatë këtij tremujori, rreth 0.26 miliardë lekë, në 3 raste përdorimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›