Kriza globale, Bushi takohet me Sarkozinë
Nju Jork - Pas polemikave të shumta dhe debateve, se si duhet vepruar për të shpëtuar nga kriza globale, George Bush-i, për SHBA-në dhe, Nicolas Sarkozy e Manuel Barroso, për Bashkimin Evropian, kanë zhvilluar dje, të parin hap konkret në Camp David. Për një kohë të shkurtër, ndoshta brenda nëntorit, në Nju Jork, do të mblidhet G8-a, në nivel të krerëve të shteteve, për të diskutuar rrethreformave sistematike, për të projektuar të ardhmen e financave globale. Sipas të dhënave të para, në takim, mund të jenë të ftuar edhe Korea e Jugut, Australia, Arabia Saudite, Zvicra, Afrika e Jugut dhe Meksika. “Do ta organizoj këtë takim për një kohë të shkurtër dhe do të prezantohen, si vendet e zhvilluara, dhe ato me nevoja emergjente” - ka thënë Bushi, duke shtuar se do të punohet së bashku, për të modernizuar sistemet financiare të vendeve, për të qenë të sigurt që, një krizë si kjo e fundit, të mos ndodhë më. “Kriza financiare botërore shpërtheu në Nju Jork dhe është e drejtë që të zgjidhet po këtu” - ka shtuar Sarkozy. Sipas tij, së bashku do të mund të ndërtohet një kapitalizëm që do të jetë më i respektueshëm ndaj njeriut, vendeve dhe të ardhmes. “Duhet të marrë fund një kapitalizëm që është maniak ndaj fitimeve në një kohë të shkurtër. Kemi një krizë globale dhe duhet të gjejmë një përgjigje globale të denjë për shekullin ku jemi” - tha ai. Para takimit, presidenti francez, Sarkozy, ka bërë thirrje për ndryshime në sistemin financiar global. Ai po kërkon një samit liderësh botërorë deri në fund të vitit, në të cilin shpreson se do të diskutohet rreth politikave të reja financiare.