PR-ja: Të miratohet sa më parë Kodi Zgjedhor
TIRANË - Republikanët kërkojnë miratimin sa më parë të Kodit Zgjedhor. Në Asamblenë rajonale të PR-së në Vlorë, kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, ka kërkuar ndërtimin e një koalicioni, ku, vota e shqiptarëve, të përcaktojë peshën e çdo subjekti. “Partitë e koalicionit qeverisës, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale, për të sanksionuar përgjegjësitë qeverisëse në të gjitha nivelet, por edhe bashkëpunimin elektoral dhe ndërtimin e një koalicioni ku, vota e shqiptarëve, të përcaktojë peshën e çdo subjekti”, - tha Mediu. Kryetari i PR-së, Mediu, ka deklaruar se, pa një Kod Zgjedhor, nuk mund të ketë funksionim normal, organizativ dhe elektoral të partive politike. “Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që e djathta të jetë e unifikuar”, - tha Mediu. Thuajse në të njëjtën linjë kanë qenë edhe partitë e tjera të koalicionit qeverisës, drejtues të të cilave kanë kërkuar miratimin sa më shpjet të Kodit Zgjedhor. Miratimi i këtij drafti, do të sanksiononte përfundimisht edhe qëndrimet që partitë do të mbajnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.