Palortoja, lagjja aristokrate e qytetit të gurtë
GJIROKASTËR- Palortoja vazhdon të ruajë pamjen e saj fisnike dhe mbizotëruese mbi qytetin e Gjirokastrës. Shtëpitë hijerënda, megjithëse jo në gjendjen e tyre më të mirë, vazhdojnë të tregojnë madhështinë e dikurshme të këtij komuniteti dhe bashkëjetojnë me ndryshimet e reja pozitive. Qetësia tradicionale prishet nga zërat e gjimnazistëve dhe automjetet që lëvizin po në zonën e gjimnazit të famshëm “AsimZeneli”, ndërsa brenda sokakëve ajo është kudo prezente. “Jetojmë në një lagje të përkryer. Prej 50 vitesh banoj këtu dhe nuk e ndërroj këtë vend me asnjë tjetër. Më duket se kjo është epiqendra e qytetit tonë, pasi kur dal në terracë, e shoh Gjirokastrën në pëllëmbë të dorës. Shtëpitë kanë qenë më të bukura se kaq, por shtrimi i rrugëve me kalldrëm u dha shumë hijeshi. Ndërsa përsa i përket infrastrukturës, është bërë më e mirë, marrëdhëniet me njerëzit janë ftohur së tepërmi”. Kështu shprehet kur e pyet për Palortonë një personazh shumëdimensionalësh i Gjirokastrës, Raqi Paskali. “Tri janë njerëzit e famshëm të Sokakut të të Marrëve: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe unë. Ndodheshim të tre në një barkë. Kur filloi furtuna, ata të dy u trembën, kurse unë dola ballëlartë”,- vijon me shaka Raqi, një nga banorët më të njohur të Palortosë dhe sokakut më të famshëm të saj. Ndërsa pjesa e re e qytetit rritet e zhvillohet ditë pas dite, e vjetra ruan të njëjtin imazh prej qindra vitesh. Qysh prej fillimit të funksionimit si qytet, fizionomia dhe struktura, megjithëse me zhvillime të vazhdueshme, kanë mbetur pothuajse të njëjtat, edhe pse kanë kaluar shumë breza. Ndërmjet lagjeve që përbëjnë pjesën e vjetër e që mbajnë emra të veçantë e disi të çuditshëm, Palortoja është më e famshmja. Jo vetëm nga fakti se u bë për pjesën më të madhe të shqiptarëve e njohur për 45 vjet me radhë si vendlindja e Enver Hoxhës, por për vlerat dhe kapacitetet që i dha jo vetëm vendit, por edhe botës.
Pak histori
Palortoja, në fakt, njihet si lagjja kryesore e qytetit të Gjirokastrës. Ajo është edhe më e vjetra dhe e ka zanafillën fill pas daljes së banorëve nga kalaja dhe përhapjes së tyre fillimisht rreth saj. Përveç strukturës dhe pozicionit dominues që ka jo vetëm mbi qytet, por edhe mbi të gjithë luginën, konsiderohet edhe si zona ku ka jetuar aristokracia e qytetit. Është lagjja që i ka dhënë administratës së perandorisë osmane dhe shtetit shqiptar në të gjitha kohërat udhëheqës të shquar në fushën politike, ushtarake e shkencore, si dhe në fushën e artit, të kulturës. Me dhjetëra qenë kadilerët, profesorët, ministrat e të tjerë. Sipas dokumenteve historike, edhe dritat e para elektrike i mori kjo lagje. Për herë të parë, energjia elektrike u instalua në shtëpinë e Mulla Teki Karabinës, i cili theu konservatorizmin që sundonte qytetin për këtë fenomen të ri. Shoqëria italiane e asaj kohe, që ishte pronare e centralit elektrik, ia lidhi instalimet falas. Në disa shtëpi, drita elektrike erdhi që në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Lagjja Palorto kishte Liceun Francez, i hapur në nëntor të vitit 1923. Pas 5 vitesh të funksionimit të tij, ish- liceu u shndërrua në shkollë profesionale italishte, e çalë, ndërsa në vitin 1936, pas kërkesave të popullit u çel përsëri një shkollë e mesme që ishte gjysmake. Po në këtë gjimnaz, në vitin 1943, u dënuan me pushkatim disa gjirokastritë, ndërsa klasat e tij u shfrytëzuan gjatë periudhës fashiste për qeli burgu.
Lagjja aristokratike
“Palortoja është një nga lagjet më të rëndësishme të qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, si përsa u përket komplekseve monumentale e arkitektonike, ashtu edhe për familjet e mëdha”. Ky është përcaktimi që studiuesi Vladimir Qirjaqi jep për këtë pjesë të qytetit të gurtë. Zekatët, Angonatët, Skëndulatët, Kokalarajt, Hoxhatët, Kallajxhinjtë, Kokobobot etj, janë disa prej familjeve të mëdha, të pasura e aristokratike që kanë bërë historinë e lagjes dhe vetë qytetit. “Ajo që mund të vlerësohet në historinë e ndërtimit të saj, është fundi i shekullit të 17-të dhe fillimi i shekullit të 18-të. Me sa duket, pas reformave turke të Tanzimatit dhe forcimit të Ali pashë Tepelenës, ndërroi edhe karakteri i lagjes, nga e krishterë në muslimane (dëshmuar nga Evliah Celebia); në vitin 1780 në këtë lagje ndërtohet edhe xhamia. Në të gjitha pemët gjenealogjike të familjeve të mëdha, historia e tyre përshkruhet në 7-8 breza, pra, në rreth 250 vjet. Ndoshta, familja e madhe e Hoxhatëve bën përjashtim në këtë areal (bashkësi); mund të jenë misionarë fetarë të ardhur nga lindja. Data e ndërtimit të shtëpive monumentale, karakteristikat e tyre, mënyrat e organizimit përsëritin njëra-tjetrën duke kërkuar perfeksion deri në fund të shekullit të 18-të. Skema me në qendër shtëpinë e madhe të princit dhe përreth saj gjithë familjet e tjera të fisit, duket se dëmtohet rëndë pas rënies së Turqisë dhe forcimit të shtetit shqiptar. Ndryshimet sociale, politike dhe tregtare tashmë shohin edhe nga perëndimi, aty ku u gjetën mallrat e shtrenjta, por edhe teknologjinë dhe mënyrat e reja të jetesës. Ndoshta, të parët Kallajxhinjtë, ndërtojnë palacinën italiane, pas tyre Hoxhatët që ndërtojnë një miks ndërmjet mënyrës tradicionale dhe asaj të Marsejezës dhe kulmi arrin te Emin Kokalari, një nga tregtarët më të famshëm me Italinë, që ndërton vilëzën e tij nga Verona dhe që fatmirësisht funksionon akoma unikale”, rrëfen më tej Vladimir Qirjaqi. “Gjirokastra është një qytet me karakter të dukshëm bizanto-venecian. Thelbin venecian, madje, nuk e humbi as pas pushtimit nga turqit, në kuadër të një marrëveshjeje që Principata e Venedikut nënshkroi me Perandorinë Osmane (viti 1502). Ky aspekt është më së miri i theksuar me tipare të ndryshme në kalanë e qytetit, Pazarin e Vjetër, Pazarin e Ri, Varosh. Lagjja Palorto është një nga më të shquarat, përsa i përket shtresës së të pasurve”, përmbyll Qirjaqi.
Rrëfimi: Dikur, njerëzit kishin më tepër dashuri
Zare Hoxha banon në këtë lagje prej 61 vjetësh, kohë në të cilën erdhi nuse në fisin e Hoxhatëve. Ajo thotë se në vitin 1947 gjithçka ishte e shkatërruar nga lufta, por ato vite i kujton me nostalgji për marrëdhëniet e shkëlqyera me të gjithë. “Kur erdha unë, pjesa më e madhe e shtëpive ishin të shkatërruara. Tani gjendja është shumë më e mirë, përsa u përket ndërtimeve, por atëherë dashuria ndërmjet njerëzve ishte më e madhe dhe më e sinqertë. Ndërmjet Hoxhatëve natyrisht që ishim shumë të lidhur, por edhe me të gjitha familjet e tjera shkonim shumë mire. Çdo gëzim dhe hidhërim i ndanim së bashku”,- tregon nënë Zarja. Me shumë krenari tregon edhe një nga traditat më të mira të banorëve të kësaj lagjeje, pastërtinë. “Është lagje shumë e pastër. Historikisht, të gjithë banorët, jo vetëm të pasurit që kanë pasur mundësi, por edhe të varfrit kanë qenë dhe janë shumë të pastër”,- rrëfen më tej Zare Hoxha.
Palortoja e figurave të njohura
Ndërsa Gjirokastra vazhdimisht ka dhënë personalitete të shquara në të gjithë fushat, lagjja “Palorto” ka pjesën e saj kryesore. Ndoshta, grumbullimi në këtë zonë i pjesës aristokratike krijonte më tepër mundësi shkollimi e përparimi.Eqrem Çabej, Ismail Kadare, Emin Kokalari, Farudin Hoxha, Emin Musliu e Muntaz Dhrami janë disa prej emrave më të shquar në morinë e figurave të njohura, me përmasa kombëtare apo evropiane që janë lindur apo kanë jetuar në Palorto. Megjithatë, gjimnazi “Asim Zeneli” dhe Sokaku i të Marrëve radhiten përkrah dhjetëra banesave të vjetra e karakteristike si elemente të njohura e të veçanta. Ndërsa kohërat kalojnë e brezat ndryshojnë, shndërrimet janë elemente shtesë të një epoke të ndritur.