Banka e Shqipërisë ul me 0,25% normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot raportin e politikës monetare. Në mbledhjen e mesditës, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë me 0,25 për qind normën bazë të interesit.
Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, tha se kjo masë u mor për të nxitur konsumin dhe investimet në vend.
Fullani deklaroi se në gjysmën e dytë të vitit po bien trysnitë inflacioniste, duke filluar që nga muaji gusht.
Por opozita socialiste e vlerësoi si shumë të vonuar këtë masë të Bankës Qendrore. Deputetja Ermelinda Meksi pohoi se opozita ka dy vjet që kërkon të ulet norma bazë e interesit, sepse ka rënë kreditimi.
Sipas saj shqetësimi më i madh ekonomik është rritja e borxhit publik; dhe kostoja e borxhit që po rritet shumë.
Sipas Meksi, ulja e sotme e normës bazë të interesit nuk pritet të japë efekt sepse është e vonuar dhe problemi është përkeqësuar. /voa/