Erdogan mbështetje të fuqishme Maqedonisë

Maqedonia dhe Turqia nuk kanë çështje të hapura politike, do ta përforcojnë veç më bashkëpunimin e ngushtë bilateral dhe do ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin tregtar-ekonomik.
Turqia në mënyrë të përforcuar do të vazhdojë që ta përkrahë Maqedoninë në procesin e integrimit të saj euroatlantik.
Këtë sot e potencuan në pres-konferencë kryeministrat e dy vendeve Nikolla Gruevski dhe Recep Tayyip Erdogan, i cili sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup.
Erdogan theksoi se dy vendet kanë një histori dhe kulturë të përbashkët, e cila njihet edhe nga lidhjet ndërnjerëzore të miqësisë. theksoi edhe se personalisht do të angazhohet për rritjen e investimeve turke në Maqedoni.
Ai kërkoi që Maqedonia ta marrë vendin e merituar në NATO dhe në BE.
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan kërkoi mirëmbajtjen dhe ruajtjen e objekteve të periudhës osmane në territorin e Maqedonisë.
Sipas tij, nga këto objekte historike kanë dobi të dyja vendet. Erdogan e theksoi këtë në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Kryeministri i Turqisë ka komentuar edhe çështjen e emrit me Greqinë, duke theksuar se qëndrimet e Greqisë karshi emrit të Maqedonisë janë të padrejta dhe të pakuptueshme.
"Eshtë e drejtë natyrore që Maqedonia të përdor emrin e saj kushtetues. Në këtë proces ne ju përkrahim dhe kemi qenë me Maqedoninë. Në këtë kontekst shtesat për emrin si e Epërme, e Poshtme apo Veriore nuk kanë asnjë rëndësi dhe nuk kanë kuptim në këtë drejtim", theksoi Erdogan.
Ai ka folur edhe mbi cështjen e integrimeve në strukturat evroatlantike, duke theksuar se Maqedonia do të bëhet anëtare e BE para Turqisë.
"Në raport me integrimet evropiane, mendoj se Maqedonia do të bëhet anëtare para nesh. Shumë shpejt po përparon. Në këtë drejtim ne jemi në fillimin e negociatave, por nuk duhet të keni dyshim se Maqedonia do të jetë anëtare e BE-së para Turqisë", theksoi kryeministri turk.
Dy kryeministrat konstatuan nivelin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike. Kryeministri turk Erdogan kërkoi që sektori privat turk të përforcojë investimet në Maqedoni.
Kryeministri i Maqedonisë Gruevski, edhe një herë i konstatoi lidhjet e shkëlqyeshme, ndërsa fakt më i mirë për miqësi, theksoi, është Marrëveshja për partneritet strategjik i nënshkruar me Turqinë.
Ai shprehu falënderim ndaj Turqisë për përkrahjen që e jep në përfshirjen e Maqedonisë drejt NATO-s dhe në ruajtjen e identitetit tonë. (INA)