Qahen për Kosovën në KS, por pa sukses

Konsultimet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën kanë përfunduar pa ndonjë rezultat konkret për situatën në veri të Kosovës.
Madje, thuhet se edhe pse serbët u “qanë” nuk patën sukses në New York.
Seanca e konsultimeve është mbajtur prapa dyerve të mbyllura dhe është kërkuar nga Rusia, që ka ripërsëritur kërkesën e tyre për sqarim të situatës së krijuar në veri, por vendet perëndimore kanë shprehur qëndrimin e tyre që problemi në veri të Kosovës mund të zgjidhet vetëm më dialog, nëpërmes intervenimit të Bashkimit Evropian dhe assesi ndryshe.
Anëtarët e shteteve perëndimore në Këshillin e Sigurimit konsiderojnë që situata në veri të Kosovës është nën kontroll dhe KFOR-i dhe EULEX-i kanë vepruar në përputhshmëri me rezolutën e UN për Kosovën.
Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në KB kanë thënë se e kuptojnë seriozitetin e situatës por nuk ka çka të diskutohet për të.
Sipas agjencive të huaja të lajmeve konsultat në KS janë mbajtur pas shqetësimeve të Rusisë për eskalimin e situatës në Jarinje, përderisa KFOR-i dhe EULEX-i kishin vepruar me plumba gome pasi ishin sulmuar nga serbët e veriut me gurë dhe ishin plagosur rreth 7 ushtarë të KFOR-it dhe mandej disa serbë.
Serbët si zakonisht janë “qarë” për situatën e krijuar dhe janë ankuar në kinse atë që KFOR ka thyer “neutralitetin”, edhe pse vet ata kanë qenë nxitës të dhunës në veri të Kosovës, një gjë që e ka sqaruar edhe KFOR-i në një komunikatë për shtyp, ku thuhet se ata nuk kanë nxitur dhunë.
Duke sqaruar veprimet e 27 shtatorit bëhet e ditur se KFOR-i, duke bërë sigurimin e një pike kontrolli të EULEX-it ishte i detyruar të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj disa veprimeve të dhunshme dhe të rrëmujshme të kryera kundër trupave të tij nga persona të panjohur.
KFOR-i po ashtu bën të ditur se ka pasur raporte të konfirmuara të gjuajtjes së gurëve dhe përpjekjeve të dhunshme për të thyer perimetrin e sigurisë së KFOR-it.
“Më vonë atë pasdite, më të shtëna u qëlluan në drejtim të personelit të KFOR-it, si dhe u hodhën mjete shpërthyese drejt ushtarëve të KFOR-it. Si pasojë e këtyre veprimeve, nëntë ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime të lehta, gjersa raporte të pakonfirmuara tregojnë për shtatë individë të lënduar lehtë në mesin e protestuesve të dhunshëm”, thuhet në njoftim.