E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë ul me 0.5% normen e interesit

Banka e Shqipërisë, pritet që të ulë së shpejti normën e interesit për lekun me 0.5 përqind. Që do të thotë se tashmë norma bazë e interesit të kredive do të jetë 5.75 për qind. Ulja u be per efekt te krizes globale 

TIRANE-Efektet e krizës globale mbërrijnë edhe në Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, pritet që të ulë së shpejti normën e interesit për lekun me 0.5 përqind. Që do të thotë se tashmë norma bazë e interesit të kredive do të jetë 5.75 për qind. Pritet që ky vendim të zyrtarizohet gjatë ditës së mërkurë, kur propozimi do të shyqrtohet nga Këshilli Mbikqyrës. Dhe nëse merr "ok-in" nga ky Këshill, atëherë bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Propozimi për uljen e normës së interesit ka hasur në kundërshtimin e mjaft ekspertëve, të cilët thonë se ky vendim do të dobësojë pozitat e lekut, ndërkohë që të tjerë ekspertë mendojnë se kjo masë do të shërbejë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve.
Ulet interesi
Zhvillimet e fundit në tregun e kredive dhe sinjalet jo fort optimiste që po shfaq ekonomia e brendshme, e kanë nxjerrë Bankën Qendrore në vendimin për të ulur normën e interesit. Mësohet se ekspertët e politikës monetare në Bankën e Shqipërisë do t'i propozojnë Këshillit Mbikqyrës që të ulë me 0.5 përqind normën e interesit për lekun duke e argumentuar këtë si një masë për të lehtësuar kreditimin dhe për të nxitur ekonominë, e cila po ndjen presionin negativ të krizës globale. Të njëjtat burime shpjegojnë se ky propozim do të shqyrtohet nga Këshilli Mbikqyrës këtë të mërkurë dhe të gjitha gjasat janë që propozimi të marrë "ok-in" për uljen e normës. Dhe nëse ndodh kështu, atëherë norma bazë e interesit të kredive do të shkonte në 5.75 për qind. Në fakt ky nuk është një propozim që bëhet për herë të parë, pasi ulja e normës është kërkuar më parë edhe nga disa banka private, të cilat, shkojnë edhe më tej, duke kërkuar një politikë edhe më agresive nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim.
Ekspertët
Por vendimi për uljen ose jo të normës së interesit të kredive është diskutuar për disa javë në Bankën e Shqipërisë duke përplasur dy grupe ekspertësh që nuk ndajnë të njëjtat mendime për këtë çështje. Një pjesë e ekspertëve që merren me hartimin e politikave ekonomike që do të ndjekë Banka e Shqipërisë ishin dakord për uljen e normës, duke e parë këtë veprim jo vetëm si një masë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve, por edhe për të furnizuar bankat me më shumë likuiditet dhe me kosto më të ulët. Por nuk ndajnë të njëjtin mendim me ta një pjesë tjetër ekspertësh. Sipas tyre, efekti i kësaj mase në uljen e interesave të kredive për qytetaret dhe bizneset mund të jetë i papërfillshëm. Përkundrazi, argumentojnë ata, një ulje e normës bazë mund të ketë disa pasoja të tjera jo pozitive për ekonominë, ku më kryesorja do të ishte ajo e dobësimit të lekut. Megjithatë banka ka marrë tashmë një qëndrim përfundimtar. Dhe nëse ai do të zyrtarizohet edhe nga Këshilli Mbikqyrës, atëherë duke filluar që nga kjo e mërkurë bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Por ajo që mbetet për t'u provuar është nëse kjo ulje do të transmetohet nga bankat tek kreditë që ato japin për biznesin dhe qytetarët.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›