E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ftesën nuk ua sollëm ne"

Ambasadori amerikan, Xhon Uidhërs II, tha dje: “Mirëserdhe në NATO Shqipëri” dhe se ftesa ishte fitore e të gjithë shqiptarëve. Uidhërs II i bëri komentet nëpërmjet një deklarate të posaçme të ambasadës amerikane në Tiranë. Ambasada e quajti “një ditë gëzimi si për Shqipërinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Është një ditë me domethënie historike si për shqiptarët, ashtu edhe për amerikanët”. Në deklaratë përmendet se, “siç tha Presidenti Bush më herët, Shqipëria do të jetë një anëtare e shkëlqyer e Aleancës”. Ambasadori tha se shprehte përgëzime për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, jo vetëm në emrin e tij, por edhe në emër të qeverisë amerikane dhe popullit amerikan. “Ne, populli amerikan, mes anëtarëve të tjerë të Aleancës, ju thërrasim juve, popullin shqiptar, të hyni në Aleancën më të rëndësishme të politikës së jashtme në historinë tonë. Kjo ishte Aleanca që përbënte shtyllën tonë të sigurisë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kur ekzistonte kërcënimi i përplasjes bërthamore. Kjo është një Aleancë që, në kushte ekstreme, na përkushton t’u ndihmojmë edhe me jetët e ushtarëve tanë. Siç tha Presidenti Truman në vitin 1949, me rastin e themelimit të Aleancës së NATO-s, “siguria dhe mirëqenia e secilit anëtar të kësaj bashkësie varet nga siguria dhe mirëqenia e të gjithëve. Asnjëri prej nesh i vetëm nuk mund të arrijë begatinë ekonomike dhe sigurinë ushtarake. Asnjëri prej nesh i vetëm nuk mund të sigurojë vazhdimësinë e lirisë”, - thuhet në deklaratë. Po ashtu, ambasadori veçoi se ftesa e Shqipërisë në NATO “nuk ishte vepër e jona; nuk ishte çështje fati apo vendndodhjeje gjeografike, nuk ishte as një çështje përllogaritjesh gjeopolitike”, por “kjo ftesë, thënë thjesht dhe qartë, është një triumf i popullit shqiptar; i asnjë partie apo një tjetre, por i të gjithë shqiptarëve, i të gjitha partive që punojnë dhe sakrifikojnë së bashku”. Për Shtetet e Bashkuara, ftesa është një prej angazhimeve më të rëndësishme që “ne mund të marrim përsipër për popullin shqiptar. Dhe ky angazhim njeh përkushtimin e të gjithë shqiptarëve ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin, pas natës së errët të komunizmit”, - thuhet në deklaratë. Duke kujtuar vargjet e një poeteshe shqiptare, ambasadori përsëriti se 9 vjet më parë, gjatë zgjerimit të parë të NATO-s, Presidenti Klinton iu drejtua të sapoftuarve të atëhershëm: “Mirëserdhët në shtëpi, në bashkësinë e lirisë”, ndërsa “unë ju them ju, “Mirëserdhe Shqipëri”!

Londra: Hap i rëndësishëm dhe i merituar

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar  David Miliband, tha dje, se ftesa e NATO-s për Shqipërinë “është një hap i rëndësishëm dhe plotësisht i merituar për Shqipërinë ”. Ministri i Jashtëm britanik tha gjithashtu, se ftesa është “njohje e progresit që ka bërë Shqipëria në reformat e brendshme dhe rolin që po luan Shqipëria në rajon dhe më gjerë, duke përfshirë edhe rolin e saj në Afganistan”. Ministri tha se Britania pret me kënaqësi të vazhdojë të punojë përkrah Shqipërisë, si miq anëtarë në  NATO. Përgëzime u bënë edhe nga ambasada britanike në Tiranë dhe ambasadori Fraser Wilson. Ata u bashkuan me popullin shqiptar, në festimin e marrjes nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim. Ambasadori i ka dërguar mesazhe urimi Presidentit dhe Kryeministrit. “Bashkëpunimi midis partive politike, i cili ka kontribuar shumë në këtë ftesë nga NATO,-ja tani duhet të vazhdojë në kryerjen e reformave të rëndësishme, sidomos atë elektorale dhe në  drejtësi, të cilat i duhen këtij vendi për zhvillim të mëtejshëm”, - njoftoi ambasada britanike në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›