Bush, kokë më kokë me shqiptarët

Kryetarja e deputetëve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, pati një takim domethënës në Bukuresht, në kuadër të Samitit të NATO-s, me presidentin amerikan Xhorxh Bush. Mesazhi për bashkëpunim të ngushtë shkon në të njëjtën linjë të politikës së re, të një opozite ndryshe nga ajo e 17 vjetëve në Shqipëri. Valentina Leskaj është pjesë e delegacionit të Shqipërisë në ditën historike të ftesës së marrë për anëtarësim në NATO. “Besoj se të gjithë shqiptarët e kanë pritur me padurim këtë moment. Ata mezi kanë pritur një mesazh pozitiv, pasi marrja e ftesës do të thotë një hap për një faqe të re në historinë e Shqipërisë”. Kjo ka qenë deklarata e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, përfaqësuese e opozitës në delegacionin e Bukureshtit. Ajo është shprehur se marrja e ftesës është një ditë historike për vendin tonë, sepse tashmë ka nisur edhe puna për t’u bërë pjesë e aleancës më të madhe të lirisë. E kontaktuar nga “Korrieri”, Leskaj veçoi se në Bukuresht mbizotëron një atmosferë pozitive dhe ka një vlerësim të madh për Shqipërinë nga ana e vendeve anëtare të NATO-s. “Ishte i rëndësishëm fakti që presidenti Xhorxh Bush zhvilloi një takim para samitit me delegacionin shqiptar dhe e vlerësoi për arritjet e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar dhe unë, personalisht, e falënderova për ndihmën që ai ka dhënë për vendin tonë dhe për mbështetjen e tij në këtë moment të rëndësishëm”, - ka përshkruar Leskaj takimin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, në atë takim me delegacionin shqiptar që tregoi edhe njëherë mbështetjen që Uashingtoni i jep vendit tonë. Leskaj theksoi se tashmë “bashkë me kënaqësitë dhe gëzimin, delegacioni merr me vete edhe përgjegjësitë për të bërë reformat e kërkuara për plotësimin e standardeve që kërkon NATO-ja, siç është krijimi i shtetit ligjor dhe plotësimi i standardeve”. Sipas Leskajt, në këtë takim është vënë theksi edhe mbi rolin e luajtur nga opozita shqiptare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, një rol ky që është vlerësuar maksimalisht nga përfaqësuesit e lartë të NATO-s. “Sigurisht marrja e ftesës sjell edhe shumë kërkesa, të cilat duhet të plotësohen nga ana jonë dhe duhet punuar edhe që kjo ftesë të ratifikohet nga 26 vendet anëtare të NATO-s. Delegacioni shqiptar tashmë do të lërë Bukureshtin, duke marrë me vete edhe këto përgjegjësi”, ka përfunduar kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj.