E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka japoneze për bashkëpunimin ndërkombëtar (JBIC) e gatshme të financojë projekte në Shqipëri në të gjitha fushat

Kryeministri Berisha zhvilloi paraditen e sotme një takim me Guvernatorin  e Bankës së Japonisë për bashkëpunim Ndërkombëtar, zotin Koji Tanamin.

 Kryeministri Berisha u shpreh se një ditë më parë, ai zhvilloi një takim shumë të suskseshëm, historik, me Kryeministrin Fukuda, gjatë të cilit zoti Fukuda premtoi se qeveria japoneze do të ndihmojë Shqipërinë në të gjitha aspektet, për konsolidimin e demokracisë dhe të lirisë së tregut.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të hollësishëm të situatës ekonomike në Shqipëri,  duke theksuar në mënyrë të veçantë, se reforma e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë fushë, si dhe  revolucioni fiskal kanë bërë që Shqipëria të shënojë një rritje ekonomike vetore prej 6 %, si dhe të jetë vendi me barrën më të ulët fiskale në Evropë. Në këtë kontekst, kryeministri u ndal gjerësisht në masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit dhe shndërrimin e  Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, nëpërmjet reduktimit të praktikave burokratike dhe dixhitalizmit të një serë proceseve të rëndësishme.

Nga ana e tij, Guvernatori  e Bankës së Japonisë për bashkëpunim Ndërkombëtar, zotin Koji Tanami, në vazhdim të premtimit të Kryeministrit japonez Fukuda, informoi Kryeministrin Berisha se banka është e gatshme të fillojë menjëherë lëvrimin kredisë  së butë prej më shumë se 100 milion dollarësh, për realizimin e projektit të kanalizimeve të ujrave të zeza. Zoti Tanami e siguroi kryeministrin Berisha  se kjo bankë do të  shqyrtojë me përparësi edhe  projekte te tjera të mëdha , si financimi i HEC të vogla nga sektori privat, apo dhe në fushën e partneritetit publik,privat, etj.

Ndër të tjera, guvernatori Tanami siguroi për mbështetjen e Bankës japoneze të zhvillimit në projektin e rrugëve rurale, si dhe në  projekte që lidhen me arsimin, trajnimin, shfrytëzimin e pasurive mineraleve, etj.  “Për Japoninë, u shpreh zoti Tanami,  Shqipëria është një vend i rëndësishëm” . Unë, vazhdoi ai,  jam i kënaqur, që shoh se ky vend ka bërë hapa të mëdha përpara në përmirësimin e klimës së biznesit dhe krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja.

Guvernatori Tanami u shpreh se JBIC është e gatshme të investojë bizneset japoneze që shprehin interes të investojnë në  Shqipëri në sektorin e infrastrukturës, burimeve hidrike të energjisë, në sektorin e peshkimit etj. Gjithashtu ai u shpreh se jemi gati të financojmë bizneset japoneze që shprehin interes të financojnë në Shqipëri.

Në mënyrë të vecantë, zoti Tanami përgëzoi kryeministrin e Berisha për prezantimin dinjitoz të tij përpara përfaqesuesve të biznesit dhe u shpreh se pjesëmarrja e më shumë se 100 bizneseve të mëdha japoneze, është shenjë e entuziazmit që ka ngjallur Shqipëria tek investitorët japonezë.

Kryeministri Berisha u shpreh se ndihet i kënaqur që ka një interes të madh të investitorëve japoneze për  investime në Shqipëri, duke theksuar se masat rrisin interesin e investitorëve te huaj.

Banka japoneze për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar është një institucion që ka financuar kredi të buta në Shqipëri që nga fillimi i viteve 90.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›