E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon në Tokio Kryeministrin japonez Yasua Fukuda

-          Kryeministri Fukuda thekson se ndihma e qeverisë japoneze do të jetë e vazhdueshme, për të kontribuar në suksesin e reformave të qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Tokio një takim me Kryeministrin japonez Yasua Fukuda.

Kryeministri Fukuda e cilësoi vizitën e Kryeministrit Berisha, e para e një kryeministri shqiptar në Japoni, si historike. Ai vlerësoi angazhimin personal dhe politik të Kryeministrit Berisha në 15 vitet e fundit për ndërtimin e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen e Japonisë në këto përpjekje.

Duke shprehur vlerësimet për rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në NATO dhe BE, Kryeministri Fukuda shprehu mbështetjen e Japonisë në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha falënderoi Kryeministrin Fukuda për ftesën për këtë vizitë historike në vendin e tij. Zoti Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Japonisë në fusha të ndryshme si në bujqësi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe energjetikë. Ndihma e Japonisë, tha Kryeministri, ka qenë e vyer edhe për sa i përket mbështetjes që ajo i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të institucioneve financiare ndërkombëtare.  

Kryeministri e njohu homologun e tij japonez me reformat e qeverisë, duke u ndalur veçanërisht në reformën fiskale, vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, me një rritje ekonomike 6 për qind, dixhitalizimin e procedurave me aplikimin e e-taksave, e-doganave, e-prokurimet etj.. Duke theksuar se të gjitha këto reforma po e shndërrojnë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, Kryeministri u shpreh se investitorët japonezë do të gjejnë këtu një mjedis atraktiv dhe mbështetës për investimet e tyre.

Shqipëria ka potenciale të mëdha në fushën e shfrytëzimit të burimeve minerare, me pasuri të mëdha në hekur, nikel, bakër, sikundër, me një bregdet prej 400 kilometra ende të pashfrytëzuar, ajo ofron potenciale të jashtëzakonshme edhe në fushën e turizmit, u shpreh Kryeministri. Një tjetër fushë, ku sipërmarrësit japonezë janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri, është edhe ajo energjetike, ku vendi është veçanërisht i pasur në burime ujore.

Kryeministri Fukuda siguroi se ndihma e qeverisë japoneze do të jetë e vazhdueshme, për të kontribuar në suksesin e reformave të qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, Kryeministri Fukuda i bëri të ditur Kryeministrit Berisha se qeveria japoneze do të japë një kredi të butë prej 12 miliard jen për projektin e sistemit të kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë, si dhe do të shqyrtojë mbështetjen e projekteve të tjera në energjetikë, arsim, në fushë e minierave, të mjedisit etj..

Kryeministri Berisha i kërkoi homologut Fukuda që Japonia të konsiderojë hapjen e ambasadës së saj në Shqipëri si inkurajim për investitorët japonezë dhe për të lehtësuar edhe më tej mundësitë e investimeve të tyre. Nga ana e tij, Kryeministri Fukuda u shpreh se do të inkurajojë investitorët e vendit të tij të përfitojnë nga potencialet e mëdha reale që ofron Shqipëria, veçanërisht në fushën e turizmit, të tekstileve etj..

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për Kosovën dhe mundësitë e angazhimit të Japonisë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin për paqen dhe zhvillimin e rajonit.

Kryeministri Fukuda shtroi një darkë për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte.

Kryeministri Berisha, në krye të një delegacioni në përbërje të të cilit janë Ministri i Punëve të Jashtme z.Lulzim Basha, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, z.Genc Ruli dhe zyrtarë të lartë të kryeministrisë, po zhvillon një vizitë zyrtare në Japoni.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›