Kryeministri Berisha prezanton para biznesit japonez potencialet e Shqipërisë
Kryeministri Berisha bëri sot një prezantim të reformave ekonomike dhe fiskale, si dhe të masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për tërheqjen e investimeve të huaja, në një takim me përfaqësues të biznesit dhe të kompanive më të mëdha japoneze si Panasonik, Mitsubishi, Marubeni etj..
Gjatë prezantimit të tij “Potencialet e Shqipërinë në thithjen e investimeve të huaja”, Kryeministri Berisha falënderoi homologun e tij Fukuda për pritjen e ngrohtë që i rezervoi delegacionit shqiptar dhe premtimin që ai bëri për ta ndihmuar Shqipërinë në të gjitha fushat, si dhe qeverinë japoneze për ndihmën bujare që i kanë dhënë vendin tonë në rrugën e konsolidimit të demokracisë.
“Shqipëria, - tha Kryeministri - është një realitet i ri, një demokraci e re që funksionon, me një ekonomi tregu funksionues”.
Kryeministri Berisha tha se në dy vjet Shqipëria është transformuar nga një shtet ku krimi nuk dënohej, në një nga vendet më të sigurta në Evropë, me indikatorët më të ulët të kriminalitetit. Në sajë të reformave të ndërmarra, luftës me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vijoi Kryeministri, u bë e mundur që në vitin 2006, Shqipëria të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Ne kemi krijuar partneritet me NATO-n dhe kemi shumë shpresë se do të marrim ftesën për anëtarësim në NATO, në muajin prill.
Në prezantimin e tij, Kryeministri u ndal gjerësisht në reformat ekonomike dhe fiskale si reduktimi i procedurave burokratike për biznesin, krijimi i “One Stop Shop”, krijimi i një baze ligjore të standardeve evropiane për investimet, miratimi i ligjit të ri për partneritetin publik privat, ulja e barrës fiskale, ulja e taksave për biznesit e vogël 50 për qind, ulja e tatimit mbi fitimin nga 25 në 10 për qind, e tatimit mbi të ardhurat personale nga 23 në 10 për qind, ulja e kontributit për sigurimet shoqërore 30 për qind. Shqipëria, tha Kryeministri, tashmë paraqet një realitet të ri.
“Ndryshimet që Shqipëria ka pësuar në këto dy vjet faktohen edhe nga prezenca e dhjetëra e qindra kompanive të huaja në Shqipëri si në sistemin bankar, në energjetikë, në ndërtimin e hidrocentraleve etj.. Shqipëria është një vend dinamik, me një rritje ekonomike 6 për qind, inflacion 2.9 për qind, eksportet u rritën 27 për qind dhe shkalla e kreditimit të ekonomisë është ndër më të lartat në botë. Vitin e kaluar investimet e huaja janë rritur 37 për qind dhe si mesatare ishin 3 herë më të mëdha se mesatarja e 10 viteve të fundit. Shqipëria është histori suksesi,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha i njohu biznesmenët japonezë edhe me nismën e qeverisë “Shqipëria një euro”, e cila krijon hapësira të mëdha për investitorët e huaj. Shqipëria, tha Kryeministri, paraqet potenciale të jashtëzakonshme në shumë fusha, sikundër, e vendosur gjeografikisht afër tregut të madh të BE-së, me tregun më të favorshëm, më të ri, dinamik, të mirëedukuar dhe të mirëarsimuar të punës në Europë, ajo po shndërrohet në një vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj.
Një fushë me interes të veçantë për të investuar në Shqipëri është edhe ajo e turizmit, me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar.
Shqipëria, - tha Kryeministri - ndonëse ka potenciale të shumta në burime hidrike dhe pavarësisht se 98 për qind e energjisë prodhohet nga burime ujore, vetëm 1/3 e këtij potenciali është eksploruar. Më shume se 90 mijë kilovat/orë nuk shfrytëzohen dhe kjo është një fushë që mund të shihet me interes nga investitorët.
Kryeministri theksoi se vendi ynë ka gjithashtu një pozicion shumë të mirë në rajon për sa i përket energjisë, duke qenë afër konsumatorë të mëdhenj si Italia. “Ne kemi projekte që Shqipëria të bëhet një nyje energjetike në rajon. Me investimet që kemi bërë në korridore qendrore, sidomos me korridorin Durrës-Prishtinë e deri në Serbinë e Jugut, portet shqiptare bëhen portet më të rëndësishme të rajonit, nga Novi Pazari deri në Sofje. Rruga më e shkurtër për të dalë në det kalon nga Shqipëria,” u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri ftoi sipërmarrësit japonezë të konkurrojnë në procesin e privatizimeve që do të zhvillohen gjatë këtij viti. “Këtë vit, ne e kemi shpallur vitin e privatizimeve të mëdha, midis të cilave të kompanisë ARMO, INSIG etj. dhe mirëpresim investitorët japoneze të konkurrojnë në këto privatizime.”
Duke u ndalur në nismën tjetër të qeverisë, në sjelljen e Shqipërisë në moshën dixhitale, Kryeministri tha se deri në fund të vitit të gjitha shkollat shqiptare do të kenë internet, janë dixhitalizuar shërbimet dhe po ecet përpara me projektin e-government.
Në vazhdim të pyetjeve të shumta të biznesmenëve, Kryeministri Berisha u shpreh se në takimin që pati me Kryeministrin Fukuda u fol edhe projekte të rëndësishme në arsim, për trajnimin në Japoni të ekspertëve shqiptare, si dhe për potencialin që Shqipëria ka në kultivimin e peshkut.
Kryeministri shprehu kënaqësinë për entuziazmin që sipërmarrësit japonezë treguan për potencialet që Shqipëria ofron për të investuar në fusha të ndryshme.