Kryeministri Berisha takohet me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Japoni, zotin Tobita Hidekazu
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Japoni, zhvilloi sot një takim me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Japoni, zotin Tobita Hidekazu.
Gjatë takimit miqësor, Kryeministri vlerësoi ndihmën e madhe që qeveria japoneze i ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme si në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe në fushën energjetike. Kryeministri vlerësoi gjithashtu dhe mbështetjen që Japonia ka dhënë për çështjen e Kosovës.
Më tej, Kryeministri Berisha e falënderoi konsullin Hidekazu dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Shqipërisë në institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të Bankës Botërore dhe Fondit Ndërkombëtar Monetar.
Kryeministri e njohu zotin Tobita Hidekazu me zhvillimet e dy viteve të fundit në Shqipëri si dhe angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke u ndalur në reformat dhe arritjet e qeverisë në fushën ekonomike Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një vend shumë tërheqës për investitorët japonezë, të cilët janë të mirëpritur për të investuar në vendin tonë.
Shqipëria, vijoi më tej Kryeministri, po ecën me siguri drejt moshës digjitale, në mënyrë të veçantë, po funksionojnë më së miri projektet për taksat elektronike, prokurimet elektronike dhe One Stop Shop, vendosja e taksës së sheshtë 10 përqind si dhe inflacioni në rreth 2.9 përqind. Kryeministri u shpreh se Shqipëria është vendi me koston më të ulët të fuqisë punëtore në Evropë.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Hidekazu me përpjekjet e qeverisë për të rritur sa më shumë interesin e investitorëve të huaj në fushën e turizmit, e cila së bashku me pasuritë minerale të vendit, përbëjnë potenciale të tjera të rëndësishme.
Më tej, Kryeministri theksoi rolin e Shqipërisë si një pikë tepër e rëndësishme për transportin në rajon, duke shfrytëzuar portet dhe korridoret që e lidhin atë me vendet e tjera të rajonit. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë për të investuar në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës.
Konsulli Tobita Hidekazu, pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, u shpreh se qeveria japoneze duhet shqyrtojë të gjitha mundësitë për çeljen e ambasadës së Japonisë në Shqipëri. Zoti Hidekazu vlerësoi se hapja e ambasadës do të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve dhe tërheqjen e kompanive japoneze për të investuar në Shqipëri.
Zoti Hidekazu i shprehu Kryeministrit përgëzimet e tij për politikat e duhura fiskale të ndjekura nga qeveria, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat e kanë bërë Shqipërinë një vende tërheqës për investimet e huaja.
Në këtë takim konsulli Hidekazu i shprehu Kryeministrit kënaqësinë për të vizituar së shpejti Shqipërinë.