E Diel, 1 Nëntor 2026

Voton kryeministri Berisha: Ta shndërrojmë këtë ditë në ditë festë dhe mirëkuptimi

TIRANE – Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, iu drejtua qendrës së votimit në “Liceun Artistik” rreth orës 09:44. Pasi hodhi fletën në kutinë e votimit, kryeministri Berisha u ndal përpara gazetarëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të demonstrojnë në këto votime vlerat e tyre qytetare. Kryeministri u bëri apel të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të PD-së që të bëjnë gjithçka për ta shndërruar këtë ditë në festë dhe në ditë mirëkuptimi.

Lideri i PD-së ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke i siguruar ata se çdo votë do të respektohet plotësisht.
“Votova 44, preka fatin. Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime, të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. Të votojnë për alternativën që gjykojnë më të mirë. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë, për mirëqenien e tyre, për integrimin, punësimin. Falenderoj me mirënjohjen më të thellë emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës, për të votuar sot për Shqipërinë e katër viteve që vijnë.”- deklaroi kryeministri Berisha.

TIRANË, PRITET VOTIMI I LIDERËVE TË POLITIKËS, JA QV-TË KU VOTOJNË
Ora: 08:53 - Procesi i votimit nisi në orën 07:00 në pothuajse të gjitha qendrat e votimit, ashtu siç ishte parashikuar. Ndërkohë pritet që të votojnë edhe krerët më të lartë të shtetit, por edhe kryetarët e partive kryesore në vend.

Kështu, mësohet se Presidenti i vendit Bujar Nishani pritet të votojë në orën 10.00 në qendrën e votimit 1766/2 në shkollën e mesme “Andon Zako Cajupi” në Tiranë. Kreu i së djathtës, Sali Berisha do të votojë në qendrën e votimit ngritur tek “Liceu Artistik” rreth orës 10.00, pasi në këtë orar pritet edhe takimi i zotit Berisha me kryesuesin e delegacionin AD HOC të Parlamentit Europian, Eduard Kukan.

Ndërsa lideri i së majtës, Edi Rama pritet të votojë në shkollën “Pjetër Budi". Pasi të hedhin votën e tyre, drejtuesit politikë, pritet të bëjnë edhe deklaratat e para në lidhje me procesin e zgjedhjeve.

Kreu i LSI-së Ilir Meta pritet të votojë në njësinë 5 në kopshtin numër 10 te ish-blloku, ndërsa kreu i FRD-së Bamir Topi pritet të votojë në shkollën "Servete Maçi" në Tiranë. Lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu pritet të votojë në orën 9.00 në shkollën “Pjetër Budi”.

(vijon)
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›