E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, 6 herë më pak kredi për sektorin e ndërtimit se në 2009

Banka Shqipërisë: Në fund të shkurtit, kredia për individët ishte në total, 139 miliardë lekë

Sektori i ndërtimit është ka hasur barriera të forta në sektorin e kreditimit. Gjatë muajit shkurt kreditë për ndërtimin ishin 6 herë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ngërç është kryesisht kredia për ndërtimin,

e cila këtë vit është  6 herë më pak se sa një vit më parë. Banka e Shqipërisë thotë zyrtarisht se situata e likuditetit në bankat private është e mirë, sidomos tani kur depozitat kanë rifilluar të rriten. Nga na tjetër rritja është minimale, disa herë më e ulët se sa mesatarja e 5 viteve të fundit në kreditë në total për ekonominë. Gjatë shkurtit është regjistruar një rritje prej 8 për qind më shumë se sa shkurti i vitit 2009, por periudhën shkurt 2008-shkurt 2009, rritja ka qenë 33 për qind. Politika shtrënguese e bankave ka prekur më shumë individët. Në fund të shkurtit, kredia për individët ishte në total, 139 miliardë lekë, vetëm 1.4 për qind më shumë se sa shkurti i 2009-ës. Një vit më parë norma e rritjes ka qenë 25 për qind.  Mungesa e kreditit tashmë nuk ka të bëjë më me mungesën e parasë në banka, por më shumë i atribuohet politikës së kujdesshme të bankave private, për të evituar përkeqësimin e treguesit të kredive të pashlyera, i cili në dy vjet është trefishuar.


Kreditë
Të marrësh një kredi për shtëpi në lekë duhet ti  paguash bankës trefishin e asaj në fund të maturimit. Normat e interesave të përdorura nga bankat i bëjnë kreditë për shtëpi në lekë gati të papërballueshme për klientët me të ardhura normale. Ashtu si edhe për euron edhe për lekun ne krahasuam këstet që ofrojnë katër bankat më të mëdha tregtare. Në një prej bankave që operojnë në Shqipëri produkti i kredisë prej 100 milionë lekë të vjetra e ofrojnë me një këst mesatar mujor 1 milion e 171 mijë e 580 lekë. Nëse këtë këst e shumëzojmë me 240 muaj aq sa është afati i pagimit të kredisë del që duhet ti kthejmë bankës plot 281 milion e 179 mijë e 200 lekë, shifër kjo e përafërt me trefishin e asaj që marrim. Në rastin e dyta kësti mujor për kredinë 100 milion lekë të vjetra rezulton të kërkohet 1 milion e 120 mijë lekë të vjetra. Pas 20 vitesh këtu duhet të kthehen për kredinë e marrë 269 milionë e 280 mijë lekë po të vjetra si interesa dhe principal. Në rastin e tretë për të njëjtën shumë dhe të njëjtën periudhë një këst mujor prej 1 milion e 74 mijë e 710 lekë të vjetra. Përllogaritja mbi këtë këst nxjerr si rezultat se për kredinë që të jep banka të merr në fund të periudhës 257 milionë e 930 mijë e 400 lekë të vjetra. Kjo shifër do të thotë se banka përafërsisht merr 158 milionë lekë më shumë nga se të jep. Në një tjetër bankë për 100 milionë lekë të vjetra kjo bankë në 20 vite të merr 230 milionë e 592 mijë lekë pra me një këst mujor 960 800 lekë të vjetra. Llogaria e thjeshtë tregon se bankës i paguhen si interes kredie më shumë se 130 milion lekë.


Kreditë e këqija
Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të kija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat  zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit 2007 rritja është më shumë se tre herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.


Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›