Bankat: Do rrisim interesat e kredive
Fabiola Çela
Bankat do të rrisin interesat e kredive. Shkak për këtë është frika e moskthimit të kredisë si dhe mungesa e valutës. Për këtë vit bankat kanë parashikuar që kredia në lekë të pësojë rritje në krahasim me kredinë në valutë. Në vrojtimin e kryer nga Banka e Shqipërisë me bankat e nivelit të dytë këto të fundit kanë deklaruar se këtë vit janë rritur ndjeshëm kostot e kreditimit.
Vrojtimi
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit vit bankat kanë parashikuar që bizneset apo dhe individët do të marrin më shumë kredi në lekë. “Nisur nga monedha me të cilën miratohet kredia, ekspertët e bankave kanë parashikuar një ritëm më të lartë të kreditimit në lekë, krahasuar me kreditimin në valutë. Ritmet e rritjes së kreditimit në valutë parashikohen të jenë më të ulëta gjatë gjysmës së parë të vitit 2009”, thuhet në vrojtimin e kryer nga Banka e Shqipërisë. Për sa i përket normës së interesit të kredisë, bankat kanë parashikuar rritje më të theksuar për normën e interesit të kredisë në monedhë të huaj. “Pritshmëritë për një normë interesi më të lartë në përgjithësi udhëhiqen nga vlerësimi i bankave për shtrenjtimin e kostos së fondeve dhe nga perceptimi i shtuar për rrezikun”, thuhet në vrojtimin e BSH-së. Për sa i përket faktorëve që janë vlerësuar nga bankat si më të rëndësishëm, për nxitjen e kërkesës së bizneseve për kreditimin në valutë, diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë të huaj kanë dhënë kontributin kryesor. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2008 është shtuar dhe kontributi i gjendjes së likuiditetit në valutë të vetë bankave dhe pritjet e tyre për drejtimin dhe madhësinë e ndryshimit të normave të interesit, në kërkesën e bizneseve për kreditim në valutë. Sipas vrojtimit të kryer nga banka qendrore, faktori kryesor që ka nxitur kërkesën për kredi në monedhë të huaj nga individët, bazuar në opinionet e bankave, është diferenca në normat e interesit, megjithëse ndikimi i këtij faktori është ulur krahasuar me vrojtimin e kaluar. Bankat kanë vlerësuar burimin e të ardhurave të individëve në valutë dhe gjendjen e likuiditetit të valutës të vetë bankës, si faktorët që kanë rritur kontributin e tyre në kërkesën e individëve për kredi në monedhë të huaj, krahasuar me vrojtimin paraardhës. Për këtë vit, ekspertët e bankave kanë parashikuar që monedha vendase të zhvlerësohet. “Pritjet për kursin e këmbimit, pritjet për drejtimin dhe madhësinë e ndryshimit të normave referencë të interesit si dhe ndërgjegjësimi për zhvillimet ekonomike, si për shembull, zhvlerësimi i lekut janë faktorë që kanë ulur disi ndikimin në kërkesën e individëve për kredi në valutë”, thuhet në vrojtim.
Kriza, Sindikata në Shkodër, protesta më 1 maj
SHKODER – Data 1 maj këtë vit do të përcillet me protesta nga Konfederata Sindikale e Shkodrës. Ky vendim u mor si rezultat i gjendjes së vështirë ekonomike që po kalon Shkodra. Ka qenë Fatmir Smajli, kryetar i Konfederatës Sindikale, i cili pohoi nisjen e protestave masive në ditën e punëtorëve. Sipas Smajlit, vetëm në muajin prill kanë mbetur pa punë 200 punëtorë. Nga analiza e situatës që po kalon Shkodra pohohet se kriza është duke u ndjerë më shumë në sektorin e ndërtimit, atë të këpucëve, rrobaqepësisë dhe për fasonët. “Bizneset e fuqishme në Shkodër që kanë rreth 70% të të punësuarve në Shkodër janë paralizuar duke lajmëruar se do të bëjnë shkurtime të shumta. Shkaku i këtyre shkurtimeve është pamundësia për të paguar pagat e punonjësve, pasi mallrat kanë mbetur stoqe”, tha dje Fatmir Smajli. Po sipas Smajlit në Shkodër, rreth 40 për qind e popullsisë është e papunë. “Ndërkohë që numri i të papunëve po shtohet Shkodra po shkon drejt një situate të paparashikuar. Duhet patjetër që në këto kushte shteti të ndërhyjë për të zbutur gjendjen e krijuar. Aktualisht po ndodh e kundërta. Shteti me ligjet e tij po çon vetë bizneset drejt falimentimit”. Bizneset e vogla që të licensohen duhet që të bëjnë sigurime për dy persona, ndërkohë që deri tani është dashur sigurimi vetëm për një person. Ky kusht, sipas kreut të Konfederatës i vë bizneset e vogla në vështirësi të madhe dhe po i çon drejt mbylljes së tyre. r.d