E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e sondazheve për zgjedhjet

Dritan Prifti 

Disa herë kam dashur të shkruaj për sondazhet që po bëjnë disa kompani vendase dhe të huaja për zgjedhjet e 28 qershorit, por hezitoja. Meqë LSI ka marrë kompaninë Greenberg Quinlar and Rosner, ajo që ka drejtuar fushatat fituese të Obamës, Klinton apo Bler, unë jam ndjerë i qetë me sondazhet e përmuajshme që kjo kompani prestigjioze bën për LSI. Këto sondazhe e nxjerrin LSI 2 deri 3 herë më shumë se sondazhet e Gani Bobit, Zogby, IPR Marketing apo ndonjë tjetri. Duke pasur këto rezultate të sakta, unë nuk kisha ndjerë nevojën të përballesha me të tjerët, me ata që manipulojnë pandershmërisht opinionin publik shqiptar, për interesa të atyre që paguajnë sondazhet.
Por sot një kompani sondazhesh më telefonoi në shtëpi, dhe sigurisht pa e ditur se kush isha, filloi të më bëjë pyetjet e sondazhit. Më pyeti nëse “në zgjedhjet e ardhshme do të votoj për Partinë Socialiste apo për Partinë Demokratike?”. Unë i thashë “për Lëvizjen Socialiste për Integrim”. Intervistuesja më tha: “Zotëri duhet të zgjedhësh njërën nga dy partitë vetëm”. Me të qeshur i thashë: “Nëse ju keni vendosur që në zgjedhje marrin pjesë vetëm ato dy parti, unë nuk jam dakord të votoj”. Pa e zgjatur më tej dhe pa marrë përgjigje tjetër, intervistuesja më tha: “Kalojmë tek pyetja tjetër. Midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, cilin do preferonit për Kryeministër?”. Me të qeshur i thashë: “Ilir Metën do zgjidhja”. “Zotëri më vjen keq, por Ilir Meta nuk është kandidat”, ma ktheu intervistuesja. “Meqë ju keni vendosur që Ilir Meta të mos jetë kandidat, unë s’po votoj përsëri”, i thashë. E pyeta intervistuesen se për cilën kompani punonte, por nuk ma tregoi me saktësi. Pas kësaj vazhdova sondazhin për mirësjellje deri në fund, duke u tallur me përgjigjet. Për hir të së vërtetës, nuk e kuptova nëse sondazhi bëhej për llogari të PS apo PD.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kuptohet që duan një demokraci në Shqipëri vetëm me dy parti politike. Për interesat e tyre të ngushta, kjo mund të jetë demokratike. Por me këto sondazhe, të paguara për të shtrembëruar apo fshehur realitetin, gënjehet hapur qytetari shqiptar. Ato televizione që japin hapësirë për të shfaqur këto gënjeshtra, përsëri gënjejnë qytetarin shqiptar. Kështu shpjegohet fakti që PS dhe PD dalin si mbi 40% nëpër sondazhe, kur asnjëra nga këto parti veç e veç nuk kalojnë 35% të votave, në sondazhet e vërtetë që nuk bëhen për të manipuluar nëpërmjet televizioneve.
Sondazhi i fundit i Gani Bobit ishte skandaloz përsa i përket profesionalizmit. Ai nxirrte Berishën fitues, kur sot Berisha është 30% në popull. Me një shqipe të mjerë, Shkëlzen Maliqi përpiqej të sqaronte sondazhin. Pjesa skandaloze për profesionalizëm ishte ajo kur me një sondazh të bërë në nivel kombëtar me 1.200 të intervistuar, GB donte të ndante mandatet me sistemin proporcional rajonal. Edhe një student i dobët i lëndës mbi sondazhet politike e ka të qartë, që me një kampion të intervistuarish më pak se 300 vetë, nuk mund të nxjerrësh asnjë rezultat të besueshëm dhe shkencor për rezultatet zgjedhore rajonale. Nëse GB pyeti 1.200 vetë në shkallë vendi, për 12 rajone elektorale që ka sot Shqipëria, i bie mesatarisht 100 të intervistuar për rajon. Me këtë nivel zero të profesionalizmit, GB guxoi të nxjerrë një rezultat të shpërndarjes së vendeve në Parlament sipas rajoneve. Shkëlzen Maliqi tha se në këtë rast mundësia e gabimit është 10%. Ky është një skandal tjetër, sepse me marzh gabimi 10% asnjë sondazh nuk quhet shkencor dhe i besueshëm. Unë kam studiuar ne Universitetin e Harvardit, shkollën më të mirë të Botës, ku ka studiuar Presidenti Obama dhe ai Bush. Këto sondazhe nuk mund të më bëjnë mua për budalla. Por këto nuk bëjnë asnjë shqiptar për budalla. Gani Bobi do të thotë Gani Fasulja (Bobi) në një gjuhë të një shteti ballkanik, dhe kuptohet pse ky sondazh mban erë të keqe.
Edhe sondazhi Zogby nuk mbetet pas për ortakëritë politike të tij. Ky sondazh bëhet nga një kompani shqiptare, që quhet IDRA, e cila ka punuar 5 vjetët e fundit për Bashkinë e Tiranës. Asnjë amerikan nuk kontrollon mbledhjen e të dhënave, të cilat janë plotësisht në dorë të shqiptarëve. Amerikanët pasi marrin të dhënat e miqve të Bashkisë Tiranë, i përpunojnë ato për të nxjerrë rezultatet. Edi Ramës i duhen këto lloj rezultatesh për të motivuar ata që do ketë nëpër listat e PS, por jo në tre të parët e listës. Edi Rama ka bërë kontratë me Gallup për të bërë sondazhe për PS, por këto janë konfidenciale, dhe nuk i sheh asnjë në PS, përveç atij. Edi e di të vërtetën, por nuk është mirë që sondazhet që i serviren shqiptarëve të jenë të pavërteta.
Edhe tek sondazhi IPR Marketing binte në sy tendenca për të pyetur vetëm për PS dhe PD, apo Rama dhe Berisha. Aty më bëri përshtypje të keqe fakti që PBDNJ ishte futur në koalicion me PS, kur kjo parti akoma nuk është shprehur për koalicionin. Duket që porosia ishte dhënë që PS të fryhej pak mbi realitetin. Parti si PSD, PDS apo të tjera ishin futur deri në 2%, kur në sondazhet reale ato janë 0.3%, d.m.th më pak se gjysmë për qind. 
Në sondazhet që bën GQR International për LSI, del për shembull që Ilir Meta vlerësohet nga 67% e shqiptarëve si kryeministri më i mirë në 18 vjetët e fundit, dhe nga 90% e shqiptarëve si burrë shteti që mban fjalën e dhënë. Nisur nga nevoja që ka Shqipëria sot në krizë për një kryeministër të aftë dhe që mban fjalën, është e pamundur që LSI të jetë 5% (Zogby), 6.2% (Gani Bobi) apo 10% (IPR Marketing). LSI sot, përveç faktit 100% të sigurt si çelësi i pushtetit pas 28 qershorit, është në një pozicion të mundshëm për të qenë një nga 2 forcat e para fituese të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Përfundimisht, sondazhet që bëhen për t’u dhënë nëpër televizione në Shqipëri janë të pabesueshëm. Ato bëhen për të nxjerrë rezultatet që urdhëron paguesi i tyre. Për këtë arsye LSI nuk paguan sondazhe për t’i nxjerrë në televizion. Për këtë arsye rreth 90% e shqiptarëve nuk i besojnë sondazhet e bëra publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›