E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, si do rimbursohen pensionistët

 

zirina llambro

Zbardhet skema e kompensimit për të gjithë qytetarët që do të pajisen me karta identiteti. ISSH dhe Posta Shqiptare, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, të disa ditëve më parë, nënshkruan dje marrëveshjen. Me anë të saj do të bëhet e mundur pajisja e të gjithë pensionistëve pa pasaportë me kuponin e aplikimit për kartë identiteti që nga 1 maji 2009. Përpos kësaj  do të jepet rimbursim për të gjithë ata që kanë aplikuar përpara kësaj date për letërnjoftimin. “Aktualisht kanë rezultuar pa pasaportë 350 mijë pensionistë, nga të cilët 50 mijë kanë aplikuar deri në këto momente. Përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë pension minimal, pra masa e pensionit të tyre është 9515 lekë në muaj, pensionistët që janë mbi nivelin minimal, por që kanë në ngarkim të tyre njerëz pa të ardhura”, u shpreh Drejtoresha e ISSH, Evelina Koldashi. Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Goreja, tha se Posta ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të realizuar këtë proces. “Janë emetuar rreth 500 mijë kupona për aplikimin për karta identiteti dhe pasaportave biometrike. Posta Shqiptare ka gjithë kapacitetet e nevojshme”, tha Goreja.
Rimbursimi
Sipas skemës së bërë publike dje, pensionistët që nuk kanë aplikuar ende për kartat  do të pajisen  me kuponin ditën e marrjes së pensionit. Të gjithë pensionistët që janë pa pasaportë dhe që kanë pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit do të rimbursohen me 1000 lekë, ndërsa do t’u mbahet nga pagesa mujore në momentin e tërheqjes së pensionit vetëm shuma prej 200 lekësh. Ndërkaq, do të rimbursohen në masën 400 lekë të gjithë personat pa pasaportë, që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti, si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura. Sa i përket pagesës së kompensimit, ajo  bëhet për aplikimet e kryera deri më 20 qershor 2009 apo letërnjoftimet e marra deri më 28 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas datës 20 qershor 2009, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për këtë qëllim është e paligjshme. Ndërkohë, sipas marrëveshjes së djeshme, personat që e kanë kryer aplikimin apo e kanë marrë letërnjoftimin do të marrin kompensimin, në masën e njohur në muajin pasardhës. Kjo  pasi të kenë dorëzuar në zyrat e tërheqjes së pagesës mujore të pensionit kopjen e formularit të aplikimit ose kopjen e letërnjoftimit të marrë. Aplikimi në afatet e vendosura nga vendimi  i Këshillit të Ministrave  më datë 15 prill, do të verifikohet nga punonjësit e Postës Shqiptare me datën që mban letërnjoftimi i marrë ose fatura e aplikimit për pajisjen me këtë dokument. Ndërkohë disa ditë më parë, Kryeministri i vendit Sali Berisha bëri me dije edhe sanksionet që do të ndërmerren në rast se shkelet vendimi i qeverisë. “ Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t’u jepet pensioni tjetër. Ne ua japim paradhënie në mirëbesim”, ka deklaruar kreu i qeverisë. Të njëjtin paralajmërim, ai u bëri edhe studentëve. Sipas tij, ata  nuk do të hyjnë në provim nëse nuk marrin kartat i identitetit. Sa i përket personave që marrin ndihmë ekonomike, qeveria ka vendosur të shtojë në ndihmë ekonomike të muajit që vjen, në përputhje me faturat që do të sjellin, të gjithë shumën e përdorur për blerjen e kuponëve dhe në ndihmën mujore ekonomike, atyre që kanë detyrimin për të paguar do t’u mbahen 200 lekë. Kjo për çdo person në ndihmë ekonomike në familje. Nëse një familje ka 5 votues, në ndihmën ekonomike do të derdhen 5 mijë lekë dhe ajo do të paguajë gjithsej 1 mijë lekë për kuponët.

si do ndahen

Rimbursimi do t’u jepet të gjithë pensionistëve që aplikojnë para datës 1 maj.

Pensionistët që nuk kanë aplikuar ende  do të pajisen  me kuponin ditën e marrjes së pensionit.

Pensionistët që janë pa pasaportë dhe që kanë pension minimal në qytet, pensionistët e fshatit do të rimbursohen me 1000 lekë.

Do t’u mbahet nga pagesa mujore në momentin e tërheqjes së pensionit vetëm shuma prej 200 lekësh.

Do të rimbursohen në masën 400 lekë të gjithë personat pa pasaportë, që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti,

Do të përfitojnë rimbursimi në masën 400 lekë personat të cilët janë pa të ardhura.

Afatet
Pagesa e kompensimit do të bëhet për aplikimet e kryera deri më 20 qershor 2009 apo letërnjoftimet e marra deri më 28 qershor 2009.

Për aplikimet e bëra pas datës 20 qershor 2009, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për këtë qëllim është e paligjshme.

Personat që e kanë kryer aplikimin apo e kanë marrë letërnjoftimin do të marrin kompensimin, në masën e njohur në muajin pasardhës.

Kaçani: Nuk do ketë penalizime në provime për studentët pa karta
“Studentët nuk do të penalizohen nëse nuk pajisen me karta identiteti brenda afateve të vendosura”. Këtë deklaratë bëri dje  Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, vetëm disa ditë pasi Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi të kundërtën. Sipas këtij të fundit, nëse studentët pa pasaporta nuk do të pajiseshin me karta brenda afateve, atëherë ata nuk do të futeshin në provime. Por sipas Kaçanit, studentët futen në provime vetëm me librezën e notave dhe duke plotësuar detyrimet ndaj universitetit gjatë vitit akademike. “Mospajisja me karta identiteti deri në datën 1 maj nuk do të sjellë penalizime për studentët, pasi këtë e vendos vetëm senati i universiteteve”, tha Kaçani. Sipas tij, çdo student futet në provim me një dokument identifikues dhe dokumenti i identifikimit që i lëshon Universiteti Politeknik i Tiranës çdo studenti është libreza e notave, çka do të thotë se çdo student i pajisur me librezën e notave ka të drejtë të futet në provim dhe asnjeri nuk mund ta pengojë këtë proces. Ndërkohë Kacani sqaroi se për studentët e rinj që do të regjistrohen në universitete në muajin shtator për vitin akademik 2009-2010, do të vendoset si kusht karta e identitetit. “Unë mbështes idenë që për studentët e rinj që vijnë në shtator, dokument identifikimi të jetë karta e identitetit në mënyrë që ta fillojmë nga e para me studentët e rinj”, tha Kaçani. Sakaq burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije se është gati lista e studentëve pa pasaportë, e cila shkon në 4600 studentë. Sot pritet që ky universitetet do të shpërndajë kuponat për studentë, me vlerën 200 lekë. Studentët janë një nga kategoritë përfituese sa i përket çmimit të kartave të identitetit. Ata paguajnë vetëm 1/6 e vlerës reale të kuponit për pajisjen me këto karta.

“Jo demagogji me kartat 200 lekë”
 “Kartat 200 lekë për studentët të mos bëhen demagogji”. Kështu kanë reaguar dje përfaqësuesit e Parlamentit Rinor. “Koha e përfitimit nga vendimi i qeverisë  është shumë e shkurtër (kanë mbetur edhe 10 ditë), çka bën që vetëm një pjesë e shumë e vogël e studentëve të përfitojnë nga kjo nismë”, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas parlamentit rinor, skema e rimbursimit është shumë e paqartë duke vënë në dyshim mundësinë reale për zbatim. “Janë të paqarta për studentët procedurat që duhen ndjekur për rimbursim, dokumentet e nevojshme, afatet.  Nëse rimbursimi i studentëve do të ndodhë nëpër Universitete, do të donim të dinim si e ka parashikuar Qeveria rimbursimin e Universiteteve Publike dhe Private (duke pasur parasysh që këto të fundit janë krejt të pavarura nga buxheti i shtetit”, shprehen përfaqësuesit e parlamentit rinor.

PS: Qeveria, një javë kohë për kartat

BLEDAR HOTI

Maxhoranca dhe opozita përplasen për çështjen e kartave të identitetit, duke mos gjetur ende konsensus. PS-ja kërkon heqjen brenda javës të kësaj takse, ndërsa PD-ja shprehet se procesi po ecën normalisht dhe se premtojnë për pajisjen e shtetasve shqiptarë me këtë dokument. Partia Socialiste i kërkoi sërish dje Kryeministrit Sali Berisha, duke dalë me anë të një ultimatumi, heqjen brenda kësaj jave atë që ajo e cilëson si taksë të votës. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami shprehet se, “kryeministri duhet të heqë dorë nga hilet në zgjedhjet e 28 qershorit”. “Disa ditë rresht me shqetësim i kemi kërkuar me të gjitha mënyrat Kryeministrit të reflektojë, për të hequr taksën e votës dhe të çlirojë zgjedhjet nga makthi i vjetër i manipulimeve. Kryeministri duke bërë shurdhin po vë edhe këtë radhë zgjedhjet në rrezik. Ai përfundimisht po merr përgjegjësinë e rëndë të prishjes së tyre. Berisha nuk po e dëgjon zërin e votuesve të varfër, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Duke i shpërfillur ato po afron çdo ditë dështimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Islami. Zyrtari socialist i cilësoi jo të qarta vendimet e fundit të qeverisë, duke theksuar se ato janë përpjekje e radhës të kryeministrit dhe stilin e vjetër për të manipuluar zgjedhjet, por në mënyrë më të kamufluar. “Për të vërtetuar se PS-ja nuk ka frikë nga humbja dhe nuk ndjen asnjë panik, i propozoj Kryeministrit Berisha të pranojë pa hezitim heqjen e taksës së votës, duke e garantuar njëkohësisht se opozita nuk ka asnjë kërkesë tjetër për kartat e identitetit”, deklaroi Islami. Partia Socialiste edhe në këto kushte të vështira, sipas sekretarit për Zgjedhjet, i ka bërë thirrje të gjithë atyre votuesve që kanë mundësi financiare të përballojnë këtë taksë, të aplikojnë për kartën e identitetit. “Njëkohësisht kujtoj se ky akt duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se fundi i kësaj jave, sepse pranimi i heqjes së kësaj takse kur nuk do të kishte më kohë fizike për të kryer aplikimet do të ishte veprimi hileqar i radhës për të mashtruar kryesisht partnerët ndërkombëtarë dhe arritur të njëjtin synim, por këtë radhë duke përdorur mungesën e kohës”, theksoi Islami. Për socialistët, “PD, e frikësuar nga humbja kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, përmes pengimit të votuesve të marrin pjesë në zgjedhje dhe pajisjes selektive të militantëve të saj me karta identiteti, sepse ajo është e ndërgjegjshme për humbjen, e cila është e pashmangshme nëse të gjithë kanë mundësi të votojnë. Prapa këtij dështimi të zgjedhjeve lexohen qartas përpjekjet e Kryeministrit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke ndryshuar rezultatin e tyre përmes kartave të identitetit”. Islami shtoi se, “PS-ja ka qenë e thjeshtë dhe e qartë: çdo votues pa pasaportë të pajiset falas deri në zgjedhje me kartë identiteti, si mjeti i vetëm për të votuar dhe për të shmangur manipulimet. Funksionet e tjera të kartës së identitetit të trajtohen pas përfundimit të zgjedhjeve”. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Ferdinand Xhaferri, duke reaguar ndaj qëndrimit të PS-së shtoi se, “procesi i kartave të identitetit po ecën shumë mirë”. “Bazuar në vendimet e aktet ligjore nga ana e qeverisë, numri i aplikimeve është shumë i lartë. Ne garantojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që nuk kanë pasaporta do të pajisen me karta. Edi Rama nuk ka shpëtim”. Një javë më parë qeveria uli çmimin e kartave për një sërë kategorish, për studentët dhe pensionistët, duke bërë që të paguajnë një shumë prej 200 lekësh të reja për dokumentin e ri të identifikimit. Ndërsa ka ofruar karta falas për të gjithë ato qytetarë që trajtohen me ndihmë sociale, si dhe për të verbrit, tetraplegjikët, komunitetet romë dhe egjiptian. Në të njëjtën kohë me karta falas do të pajisen edhe të burgosurit, si dhe ato shtetas shqiptarë që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. 

Bogdani: Veliaj, megafon i politikës së vjetër
Kreu i Forumit Rinor të PD-së, Gert Bogdani, e cilësoi si mashtrim deklaratën e kreut të G99, se qeveria po vendos taksë për votën me kartat e reja të identitetit. “Është për të ardhur keq që një i ri, por tashmë i vjetruar, i cili akuzohet nga ish-kolegët e tij të “MJAFT” se u pasurua me paratë e kësaj organizate, bëhet megafon i politikës të vjetruar të z. Rama dhe përsërit trillimin se pagesa për letër-njoftimin elektronik është taksë për votën. Hipokrizia arrin kulmin kur përmend edhe Amerikën, ku ai duhet ta dijë mirë, se edhe për t’u pajisur me kartë studenti duhet të paguash një tarifë”, tha Bogdani. Sipas tij, “tellallët e z. Rama, me zhurmën e tyre duan veçse të fshehin trefishimin e taksave vendore të pastrimit dhe gjelbërimit. Në fund të ditës, ata dhe z. Rama duan veçse t’i shohin qytetarët shqiptarë në radha pa fund, duke pritur për një certifikatë dhe jo si qytetarë evropianë, siç u takon”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›