Vilat qeveritare, Garda e policia dhunë pronarëve
VLORE / QEMAL BIRAKU
Konflikti për zonën e vilave qeveritare precipitoi dhunshëm ndërmjet banorëve dhe Gardës. Tri ditë më parë Gjykata e Vlorës u dha të drejtë pronarëve, duke e konsideruar të ligjshëm pretendimin e tyre për truallin ku janë të ndërtuara këto vila. Por vendimi i gjykatës nuk është njohur nga Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit, të cilët rrethuan dje këtë zonë me një mur mbi dy metra të lartë dhe tela me gjemba. Këto punime sollën irritimin e pronarëve të ligjshëm të tokës, të cilët në përpjekje për t’i ndaluar ato, u përplasën dhunshëm me forcat e gardës dhe të policisë. Duket se përplasja trup më trup i banorëve me forcat e policisë që zgjati thuajse katër orë ishte parashikuar, pasi për ndërhyrjen e rrethimit kishin ardhur që nga Tirana forcat speciale si dhe ato të Gardës së Republikës. Sipas pronarëve, të cilët disponojnë tapitë dhe gjithë dokumentacionin për këto prona, ata janë keqtrajtuar. Madje, mes të dhunuarve kishte edhe gra e fëmijë. Sipas banorëve, situata është bërë kaotike kur forcat speciale, Garda si dhe policia e Vlorës mbërritën që në orët e para të mëngjesit për të bërë rrethimin me mur të zonës. Garda nuk njohu madje as vendimin e Gjykatës së Lartë të dhënë pak muaj më parë, i cila iu njihte pronësinë e tokës familjeve Paco, Ferko e Kadëna. Konflikti për përcaktimin e pronësisë së kësaj zone vijon prej mëse tre muajsh, por ai i djeshmi ishte më i ashpër, deri dhe në përplasje fizike midis palëve. Madje, banorët, mes të cilëve gra e fëmijë pësuan plagë. Policia e Vlorës shoqëroi dy të rinj dhe një të moshuar. Ata u futën forcërisht në furgon nga forcat e rendit. Pas kësaj Garda vijoi me rrethimin e tokës, e cila u “zyrtarizua” në pronësi të kësaj të fundit. Rrethimi me tela me gjemba e më pas me mur është bërë pasi policia largoi dhunshëm pronarët protestues. Ata akuzuan shtetin dhe drejtësinë për këto akte të dhunshme, duke iu grabitur atyre pronën. Banorët kërkuan me ngulm dokumentacionet që disponon Garda për këto prona, pasi sipas tyre, janë vetëm këto tre familje që kanë certifikatën e pronësisë. “Para tre ditësh kemi fituar në Gjykatën e Vlorës gjyqin ndaj Gardës për këto prona, ndërkohë që rreth 6 muaj më parë ne e kemi fituar të drejtën e pronësisë edhe në Gjykatën e Lartë”, u shprehën banorët. Sipas tyre, marrja me forcë e kësaj toke është e paligjshme. Përleshjet midis pronarëve, gardës, policisë dhe forcave speciale kanë zgjatur rreth katër orë, ndërsa pronarët e tokës deklaruan se çështja nuk do të ndërpritet nga ana e tyre. Gjatë gjithë kohës së bashku me forcat e policisë i pranishëm ishte edhe drejtori i policisë së Vlorës Vehbi Bushati. Sipas banorëve, punonjësit e policisë kishin marrë urdhër që t’i largonin ata nga toka e tyre në mënyrë të dhunshme për të lejuar punonjësit e një firme private të vazhdonin punimet për rrethimin e zonës së vilave. Ndërkohë pronarët akuzuan drejtoreshën e vilave qeveritare për vjedhjen e tokave, për të cilën disponojnë të gjithë dokumentacionin, që i bën ata pronarë të ligjshëm të saj.