E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Mustafaj si Islami i PS-së me fantazi komplotiste

 

Kryetari i PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi, reagoi dje pas akuzave të kandidatit për këtë post, Besnik Mustafaj, sipas të cilit ministri po përdoret nga Topalli kundër tij. Në një intervistë në “Ora News”, Olldashi i quajti deklaratat e ish-ministrit të Jashtëm si fantazi komplotiste, duke mos preferuar t’i komentojë. “Më kërkoni komente për fantazitë komplotiste të Besnikut...”, tha Olldashi. Në të njëjtën kohë ai iu përgjigj deklaratave të Mustafajit se po tenton të ndërhyjë në listat e delegatëve për të manipuluar procesin e zgjedhjes së kreut të degës më të madhe të PD-së. “Nuk e kam dëgjuar drejtpërdrejtë deklaratën se kam qenë në panairin e agrobiznesit në Fier, por është si puna e konferencës së shtypit të Islamit, që thotë e kanë fajin kartat që ne do humbasim zgjedhjet. Ka një procedurë statutore si do zhvillohen zgjedhjet. Është një udhëzim për mënyrën se si do zgjidhen delegatët. Delegat do të jetë çdo kryetar seksioni i PD-së në kryeqytet, bëhet fjalë për afërsisht për 650 seksione. Ata janë njerëzit më të mandatuar”, u shpreh Olldashi. Ndërkohë, lidhur me deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për garën në Tiranë, ministri i Punëve Publike tha se deklarata e kryeministrit nuk ishte në kuadrin e fushatës. “Kryetari i partisë është i lirë të ketë pëlqimet apo mospëlqimet e veta për njërin apo tjetrin kandidat, sikurse është i lirë secili prej anëtarëve të Kuvendit të PD-së së Tiranës. S’ka asgjë të keqe që një të drejtë që gjithsecili prej nesh ta shprehë me votë, ta shprehë në një rrethanë të caktuar publikisht. Berisha nuk bëri fushatë për Bumçin, por shprehu vlerësimin e tij për një kandidat në garë. Por nuk e kam dëgjuar Berishën të thotë votoni Bumçin dhe do të fitojë Aldo Bumçi”, tha më tej Olldashi. Sipas tij, qeveria është tërësisht e angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe theksoi se detyrim i ekzekutivit është vetëm krijimi i mundësisë që të gjithë qytetarët të pajisen me kartat e identitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›