E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramiz Alia: U nxituam për prishjen me Kinën, por Berisha i pengoi marrëdhëniet pas ‘90

 

Ferdinand Dervishi

Ramiz Alia, ish-presidenti i parë shqiptar, e ka pritur si shpesh herë këto kohë të fundit, me mendime kryeneçe, deklaratën e radhës të Kryeministrit Sali Berisha, që kishte lidhje me komunistët shqiptarë edhe pse këtë radhë ajo u artikulua publikisht në Kinën shumë, shumë të largët. “Ka një nonsens qesharak në fillim të së gjitha arsyetimeve që duhet vënë në dukje. Pra, kemi një takim të një personazhi që drejton Partisë Demokratike të Shqipërisë me Presidentin e një vendi që drejtohet nga Partia Komuniste kineze. Prandaj asgjë e thënë nga Sali Berisha, që nga ky momenat nuk duhet marrë shumë seriozisht”, dëgjohet krejtësisht i qartë artikuluar në anën tjetër të linjës telefonike zëri i njohur i ish-presidentit të parë shqiptar të pas viteve 1990. Sipas Alisë, edhe shpifjet e sharjet e fundit të Kryeministrit shqiptar në Kinën e largët janë pjesë e një fushate që ai ka nisur këto kohë të fundit në adresë të ish-komunistëve shqiptarë, me shpresë që të fitojë ndonjë votë më tepër në zgjedhjet e ardhme. Duke biseduar, Alia, shpjegon se Kryeministri Sali Berisha nuk ka qenë në asnjë rast burrëror dhe i palëkundur në qëndrimet e veta dhe se i tillë vjen në memorien e tij edhe në qëndrimet ndaj marrëdhënieve me Kinën e largët. Sipas tij, dikur, në vitet e para pas 1990, Sali Berisha ishte kundër fuqizimit të marrëdhënieve me Kinën...
Zoti Alia, Kryeministri shqiptar ka akuzuar gjatë takimeve zyrtare në Kinë komunistët shqiptarë për politikën antikombëtare dhe në linjë të kundërt me atë të Kinës së të njëjtës periudhë, kur dy vendet ishin lidhur në miqësi reciproke. A keni një koment për këtë deklaratë të fundit të Berishës?
Ka një nonsens qesharak në fillim të së gjitha arsyetimeve që duhet vënë në dukje. Pra, kemi një takim të një personazhi, që drejton Partisë Demokratike të Shqipërisë me Presidentin e një vendi që drejtohet nga Partia Komuniste kineze. Prandaj, asgjë e thënë nga Sali Berisha që nga ky moment nuk duhet marrë shumë seriozisht. Budallallëku materializohet kur Berisha thotë se “Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze kanë realizuar ndryshime të thella në vendet respektive...” E, këtu nuk ka ku të vejë më! Sepse nuk e kuptoj nëse Sali Berisha në këtë rast ka folur si ish-anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, apo si drejtues i Partisë Demokratike. Më saktë jam kurioz të di nëse duke sharë vendin e vet, a ju tha drejtuesve të shtetit kinez se edhe ai vetë kishte qenë komunist, me qëllim që t’u fitonte simpatinë?
Përse këto kohë të fundit Kryeministri shqiptar i ka shpeshtuar akuzat publike ndaj ish-komunistëve shqiptarë?
Është e vërtetë se këto kohë të fundit Kryeministri shqiptar u është rikthyer akuzave të vjetra ndaj ish-komunistëve shqiptarë. Ka pasur disa deklarata radhazi të tij. Kjo ka një shpjegim. Jemi pranë zgjedhjeve parlamentare dhe Berisha me anë të këtyre deklarimeve, si mashtrues që është, do që të gënjejë popullin për të fituar ndonjë votë. Duket e sheh që i ka ardhur fundi, sepse popullit i ka ardhur radha ta gjykojë, sepse veç të këqija ka sjellë. Ndërsa me këto akuza të lëshuara në Kinë, Berisha po e afirmon veten edhe si një mashtrues i kalibrit ndërkombëtar. Nga ana tjetër unë nuk kam parë kurrë në jetën time një burrë shteti, i cili i ndodhur në mes të krerëve të shteteve të huaja, të nisë të hedhë baltë mbi të shkuarën e vendit të vet, pra është njëlloj sikur të hedhësh baltë mbi veten.
Në deklaratën e Berishës thuhet gjithashtu se “Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës”. Pyetja është: A u mbetet ish-komunistëve shqiptarë faji, apo më shumë se kaq, i reduktimit në minimum të marrëdhënieve, sidomos ekonomike, me Kinën, në vitet ‘70”?
Ishte faji i të dyja palëve. E kam sqaruar edhe në një intervistë të ditëve të fundit në televizionin “ORA NEWS”. U nxituam të dy palët dhe keqardhja ishte reciproke. Pati konsiderata politike dypalëshe. Ne konsideruam veprimin politik të kinezëve sidomos në marrëdhëniet e reja të tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse ata vetë binin në kundërshtim me politikën e tyre të tri botëve. Ishte gjithsesi një nxitim yni. Nga ana tjetër edhe kinezët i morën shumë ashpër vërejtjet tona dhe u nxituan edhe ata në dëmtimin e marrëdhënieve. Këto janë tashmë të ditura dhe të njohura, por në marrëdhëniet e reja, pra në marrëdhëniet e pas vitit 1990, ka histori të tjera që duhet të mos harrohen...
Mund të na e tregoni më shkoqur këtë moment?
Nuk është ndonjë fakt i panjohur. Të gjithë bashkëkohësit mund të kujtojnë se në fillimin e viteve 1990, kur nisën të riforcoheshin lidhjet me kinezët, ishte Partia Demokratike dhe personalisht Sali Berisha, i njëjti që është duke na treguar përralla, i cili ishte kundër fuqizimit të marrëdhënieve me Kinën. Kujtoj shprehjen e tij që është fiksuar nga të gjithë: Pse, përsëri po shkojmë te Kina!?

“PD e Partia Komuniste e Kinës ndryshuan dy vendet”
Kryeministri Berisha tha dje në Kinë se Partia Demokratike në Tiranë dhe Partia Komuniste në Pekin realizuan ndryshime të mëdha në dy vendet respektive. Kreu i qeverisë e bëri deklaratën gjatë takimit me zv/kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Hui Liangyu. “Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze morën përsipër dhe realizuan ndryshime të mëdha epokale në vendet e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë gjatë këtij takimi. Duke vlerësuar zhvillimin e madh të Kinës, Kryeministri tha se asnjë vend në historinë e njerëzimit nuk ka arritur të nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz, si Kina, pas përqafimit të doktrinës së DHP. Kjo përbën një fitore të madhe për Kinën, por edhe për gjithë njerëzimin. Kryeministri tha se ndihej krenar që vizitonte Kinën në jubileun e 60 vjetorit të marrëdhënieve midis vendeve tona. Shqipëria e sheh Kinën si faktor stabiliteti dhe paqeje në botë. “Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina kanë lidhje miqësore tradicionale prej 60 vitesh dhe qeveria shqiptare e çmon shumë miqësinë e popullit kinez. Ai nënvizoi faktin që në kohë të vështira, populli kinez e ka ndihmuar shumë kombin shqiptar dhe i shprehu popullit kinez mirënjohjen më të thellë për ndihmën e dhënë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, kreu i qeverisë u shpreh se në kohën kur Kina ndërtoi qytetin e Shenzenit, në Shqipëri Enver Hoxha ndërtonte bunkerë. “Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës. Por, nënvizoi Kryeministri, pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë”, thuhet më tej në njoftimin për takimin me kreun e shtetit kinez.

Ftesa
“Në këtë takim, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin e Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, për një vizitë në Shqipëri, duke theksuar se ai do të gjejë mikpritjen dhe ngrohtësinë e një populli mik si populli shqiptar. Presidenti i Kinës, Jintao, pranoi me kënaqësi ftesën dhe premtoi se do ta vizitonte shumë shpejtë Shqipërinë”, thuhet në njoftimin për shtyp, lidhur me takimin e kreut të qeverisë me presidentin. kinez.

Buda
Gjatë vizitës në vendin e largët aziatik, kreu i qeverisë u fal edhe në tempullin e Budës. “Buda është për ne simbol i mbarësisë, natyrisht u luta jo vetëm për zgjedhjet por në tërësi, është Zoti i një besimi që ndjell mbarësi, mirëkuptim, tolerancë dhe unë pata shumë kënaqësi për këto momente që kalova në këtë tempull, ndër më mbresëlënësit, që kam vizituar në jetën time. Do të rikthehem këtu të vizitoj si turist këtë tempull”, u shpreh Berisha.

Berisha, rekord me Murin Kinez

adi shkembi

Në ditën e fundit të vizitës në Kinë, Kryeministri Berisha vizitoi Murin e Madh Kinez, i cili është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Kreu i qeverisë ka ngjitur i vetëm mbi 1500 shkallë të këtij muri dhe ka arritur në pikën më të lartë, ç’ka sipas përfaqësuesve vendas, përbën majën, e cila nuk është ngjitur ndonjëherë nga ndonjë përfaqësues shteti që e ka vizituar. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë parë nga afër këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës. Duke folur për mediat nga kjo majë, kreu i qeverisë e ka krahasuar këtë ngjitje me ngjitjen në politikë. “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur, se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare”, u shpreh Berisha. Në përfundim të vizitës, kryeministrit i është dhënë certifikata e ngjitjes në majën më të lartë nga autoritetet kineze, ndërkohë që kreu i ekzekutivit ka qenë i vetmi që ka marrë certifikatën, pasi asnjë nga ministrat që e shoqëronin Ruli, Basha dhe Bode nuk kanë mundur ta ndjekë pas. Gjatë ditës së djeshme, Berisha u takua me Presidentin e Kinës dhe zv.kryeministrin. Në takimin me kreun e shtetit të tretë në botë, për nga vëllimi i ekonomisë, Berisha e njohu atë me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit, duke theksuar se janë bërë përparime të mëdha në fushën ekonomike, ku vetëm në periudhën dhjetor 2008- janar 2009, janë nënshkruar 3.5 miliard dollarë kontrata në fushën e energjisë dhe fusha të tjera. Nga ana e tij, Presidenti i Kinës theksoi se marrëdhëniet dypalëshe, gjatë  qeverisjes së kryesuar nga Berisha, në katër vitet e fundit kanë marrë një hov të ri. “Ai vlerësoi se drejtimi i Kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dy palëve. Në këtë kontekst, nënvizoi z. Hu Jintao, kjo vizitë përbën një pikënisje të re historike për zgjerimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat e ekonomisë, tregtisë së ndërsjellë, shkëmbimeve kulturore etj, një hap i ri i miqësisë sonë në shekullin e 21- të”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Ndërsa zv.kryeministri i Kinës, Hui Liangyu, gjatë takimit me kreun e qeverisë shqiptare u shpreh se ekonomia kineze është sot e treta në botë për nga vëllimi, me një rritje mesatare vjetore prej 9.6 për qind dhe rritje mesatare të të ardhurave me 14.1 për qind. Qeveria kineze, shtoi ai, ka vullnet të plotë të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat si; në ekonomi, tregti, teknologji hitech, bujqësi, kulturë etj.

Zonë e lirë për Kinën

Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për ti krijuar hapësirat e nevojshme Kinës për një zonë të lirë ekonomike në Shqipëri. Sipas njoftimit për shtyp të faqes së Këshillit të Ministrave “në takim u diskutua edhe për investimet në Shqipëri, ku Kryeministri Berisha e njohu me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe e siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet në vend. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria shqiptare është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, si dhe për ti krijuar atij gjithë lehtësitë e nevojshme”.

Berisha, takime me Sarkozi e Karamanlis
Ditët e fundit të muajit prill pritet të shoqërohen nga një axhendë tejet e ngjeshur për kryeministrin Berisha. Zyra e shtypit dhe informacionit në Këshillin e Ministrave bëri të ditur dje se pas tre ditësh kreu i qeverisë do të takojë në Paris Presidentin e Francës, Nikola Sarkozi. “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha,  do të zhvillojë një vizitë pune 1 ditore në Francë, ku do të pritet në një takim të posaçëm, më datën 24 prill nga Presidenti i Republikës së Francës, Nikola Sarkozy, në Pallatin Elysee”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë, dy ditë më vonë, më 26 prill, kreu i qeverisë do të presë në Tiranë homologun e tij grek, Kosta Karamanlis gjatë një vizite dy ditore. Ai do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë që nga viti 1991, kur Micotaqis u takua me krerët e lartë të shtetit në Tiranë. Madje kjo vizitë vjen menjëherë pas dy vizitave që ai do të kryejë në Qipro (22-23 prill) dhe në samitin e Sofjes për çështjen e “Gazit natyror për Evropën, siguria dhe bashkëpunimi” në datat 24-25 prill. Kjo vizitë e kreut të ekzekutivit grek në vendin tonë bëhet në një moment kur Shqipëria sapo është anëtarësuar me të drejta të plota në NATO. Që nga 4 prilli, për Greqinë, Shqipëria është partneri më i afërt strategjik në rajonin e nxehtë të Evropës jug-lindore. Ndërkohë më 28 prill, në orën 10:45 kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në Pragë, ku gjatë takimit me autoritetet e larta çeke do të dorëzojë edhe kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›