E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat: Të ulet norma bazë e interesit

Ulja e nivelit të inflacionit, si dhe rreziku i krizës financiare në botë, mund të përbëjnë arsyet e uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në këtë kuptim, bankierët kërkojnë nga BSH-ja që të rishikojë normën bazë të lekut, i cili në harkun e një viti pësoi rritje me 0.75 për qind. Aktualisht norma bazë e interesit për lekun është 6.25 për qind, që për bankat e nivelit të dytë konsiderohet i lartë. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave në Shqipëri, Elvin Meka, u shpreh dje për "Top Channel" se niveli i inflacionit ka pësuar ulje, ndërsa po mbahet nën kontrollin e BSH-së. Meka shtoi se dy elementët që lidhen me inflacionin mund të çojnë drejt uljes së normave bazë të lekut, duke qenë se ndryshimi i tyre erdhi për shkak të luhatshmërisë të stabilitetit të çmimeve. Një tjetër fakt lidhet me cenimin e rënies ekonomike për shkak të krizës financiare që ka pllakosur vende të mëdha ekonomike. Bankierë të tjerë mendojnë se kriza ekonomike mund të prekë Shqipërinë, për aq kohë sa ekonomia e saj nuk është e izoluar. Duke marrë shkas nga masat e marra për uljen e interesave të euros dhe dollarit nga bankat qendrore përkatëse, bankat e nivelit të dytë presin një reagim edhe nga BSH-ja. Një ulje e interesave të lekut padyshim që do të ndikonte në përmirësimin e kushteve në dhënien e kredive. Aktualisht, niveli mesatar i interesave të kredisë në lekë është rreth 13-14 për qind në vit, ndërsa për monedhat e huaja 6-7 për qind.

Vet Banka e Shqipërisë nuk e përjashton një mundësi të tillë, duke u nisur nga ndryshimet e situatës ekonomike në vend. Deklaratat e fundit të guvernatorit Ardian Fullani kanë pasur një kuptim të qartë: së shpejti do të ketë ulje të interesave. Mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së do të jetë fundi i muajit janar, ku rend dite do të jetë vendimi mbi politikën monetare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›