E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat dhe naftëtarët - objekt hetimesh për dëmtim të konkurrencës

Prishtinë, 5 gusht – Fiksimi i çmimeve të karburanteve nëpër pompat shitëse nga naftëtarët dhe kamatat me çmime të përafërta në sektorin bankar janë pikë hetimi për Komisionin Kosovar Kundër Konkurrencës, ndërkaq së shpejti këta dy sektorë mund të jenë objekt i shqiptimit të gjobave të mëdha nga ky komision i pavarur, për shkak të marrëveshjeve për shitjen e produkteve me çmime të fiksuara. Këto marrëveshje, sipas udhëheqësve të komisionit, dëmtojnë konkurrencën mes operimit të bizneseve duke krijuar monopole çmimesh.
Osman Ejupi, kryetar i Komisionit të Konkurrencës, ka thënë se komisioni është në kërkim të ekspertëve për të zgjeruar aktivitetin e tij edhe në sektorë të tjerë, si ai i telekomunikimit dhe vendimet për t’u garantuar ekskluzivitet në treg investitorëve potencialë.
“Këto janë ato rastet më të ndjeshme, të cilat po i hetojmë për momentin. Por, në radhë të parë jemi duke u ballafaquar edhe me problemin e mungesës së ekspertëve në fusha të caktuara”, ka thënë Ejupi.
Ai ka theksuar se rasti që ka të bëjë me naftëtarët është në përfundim e sipër dhe se së shpejti Komisioni do të njoftojë për vendimin rreth hetimeve.
“Së shpejti do të njoftojmë edhe për hetimet ndaj kompanive të sigurimeve që kanë të bëjnë me shitjen e policave të sigurimit. Edhe në industrinë bankare jemi duke punuar dhe këtë gjysmëvjetor sigurisht që do të dalim me një vendim me zbërthimin e problematikës së sektorit bankar në vend, që është i vetmi vend në rajon që kamatat në kredi janë më të lartat, ndërsa kamatat në depozita janë më të ulëtat”, ka thënë Ejupi. “Kjo vetvetiu flet se këtu nuk është diçka në rregull”, ka pohuar ai.
Ejupi thotë se tani ligji definon më qartë gjobat për kompanitë që shkelin konkurrencën, të cilat, sipas tij, do të jenë tejet të larta.
“Në bazë të ligjit që tani është në fuqi ne parashohim gjoba nga 10 mijë  euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompanitë, ndërsa me ridraftimin e ligjit gjobat do të jenë më të rënda duke filluar nga një deri në dhjetë për qind të fitimit që arrijnë këto kompani”, ka theksuar ai.
Sipas Ejupit, hetimet e Komisionit mund iniciohen nga vetë anëtarët e komisionit, por edhe nga raportimet e medieve dhe ankesat e bizneseve të dëmtuara nga konkurrenca e jashtëligjshme.
Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se roli i këtij komisioni është shumë i rëndësishëm për të inkurajuar praktikat e shëndosha të biznesit, ndërsa kanë kërkuar fuqizimin e mëtejmë të tij.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se nuk mjafton që vetëm ky komision të merret me këto aktivitete kundërligjore, por, sipas tij, duhet të ketë një mbështetje edhe më të lartë institucionale për të garantuar një konkurrencë të tregut në Kosovë.
“është e vërtetë se në Kosovë ka parregullsi të natyrave të ndryshme të fiksimit të çmimeve dhe kamatave dhe shumë dukuri negative të cilat e dëmtojnë komunitetin e biznesit dhe një ekonomi e hapur çfarë pretendon të jetë ajo kosovare. Diçka të tillë nuk duhet të lejohet”, ka thënë Gërxhaliu. Ai ka theksuar se do të keqësohet edhe më tepër ambienti i biznesit në Kosovë, nëse nuk shmanget konkurrenca e kundërligjshme, ndërsa ka shtuar se kjo dukuri do të ndikojë edhe në dekurajimin e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investitorëve.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, shteti duhet të monitorojë “oligopolet” që mund të ekzistojnë, si dhe të parandalojë marrëveshjet e tilla të fshehta që dëmtojnë konkurrencën në treg.
“Të gjithë sektorët industrialë në Kosovë qëllim e kanë maksimizimin e profitit edhe se duhet të bëjnë çmos të realizojnë këtë qëllim. Në anën tjetër, ideja e shtetit është të monitorojë këto veprime dhe bashkëpunimin me qëllim të firmave për të krijuar një status quo duke e eliminuar konkurrencën”, ka thënë Lumir Abdigjiku, ekspert i institutit “Riinvest”.
Ai ka pohuar se bashkëpunimet e  tilla për fiksim të çmimeve nga kompanitë dënohen me të gjitha ligjet e BE-së, ndërkaq ka shtuar se rastet e tilla është vështirë të dëshmohen. Sipas tij, me probleme të këtilla nuk do të ballafaqohen vetëm kompanitë private, por edhe institucionet publike nëse ato aprovojnë vendime që dëmtojnë zhvillimin e konkurrencës.
Ndryshe Komisioni i Konkurrencës, organ i pavarur publik i cili ka nisur punën më 2009 pas miratimit të Ligjit mbi konkurrencën, vitin e kaluar ka raportuar në Kuvend për hetimin e katër rasteve të “nxehta”.
Kreu i këtij Komisioni, Osman Ejupi, thotë se ende nuk janë shqiptuar gjoba në lidhje me gjetjet në katër rastet e hetuara vitin e kaluar, por që, sipas tij, të gjitha vendimet për marrëveshje që kanë dëmtuar konkurrencën e tregut janë shfuqizuar. Ai ka përmendur ndërhyrjen e komisionit në shfuqizimin e marrëveshjes së furrtarëve për shitjen e bukës me çmim të njëjtë nëpër të gjitha pikat e shitjes.
Rast tjetër, sipas Ejupit,  ka qenë edhe marrëveshja e njohur e “Pulit”, të cilën e kanë krijuar kompanitë e sigurimeve për shitjen e një produkti të quajtur polica kufitare, marrëveshje kjo e jashtëligjshme që tashmë është anuluar. Komisioni i konkurrencës ka punuar edhe në hetimin e një udhëzimi administrativ të dhënë nga Ministria e Transportit, e cila ka diktuar që kontrolli teknik i automjeteve mund t’u ofrohet klientëve vetëm në zona të caktuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›