E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohen katër kompani për shkelje të ligjit të konkurrencës

Prishtinë, 4 gusht - Komisioni kosovar i konkurrencës është duke zhvilluar hetime për katër raste, ku dyshohet se kompanitë kanë bërë marrëveshje për fiksim çmimesh dhe ndarje të tregut.
Kompanitë vendore dhe udhëheqësit e tyre sivjet mund të përballen me gjoba të mëdha në rast se vërtetohet se kanë bërë marrëveshje të jashtëligjshme për përcaktim të çmimeve apo ndarje të tregut. Kryetari i Komisionit kosovar të konkurrencës, Osman Ejupi, thotë se janë duke hetuar katër raste: shitjen e arkave fiskale, industrinë e naftës, kompanitë e sigurimeve, dhe sektorin bankar, raporton RTK.
Kosova është përcaktuar për konkurrencë të lirë të tregut, dhe kjo është rregulluar me ligjin e konkurrencës. Prandaj gjobat ndaj atyre që shkelin këtë ligj janë mjaft të mëdha, thotë Ejupi.
“Në bazë të ligjit që është në fuqi, dhe ne e kemi draftuar atë dhe presim që brenda dy muajve të miratohet përfundimisht, parashohim gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive deri në 150-200 mijë euro për kompanitë, ndërsa me draftimin e ri të ligjit, gjobat do të jenë më të rënda, d.m.th. duke filluar nga 1, 2 deri në 10 për qind të bruto qarkullimit vjetor të ndërmarrjeve”, pohon Ejupi.
Ejupi thotë se edhe për investitorët e huaj, qeveria duhet të krijojë kushte të barabarta në treg, ndonëse ka raste kur investitorëve u garantohet qasje ekskluzive në treg për periudha të caktuara.
“Por nëse ne krijojmë favore për raste të caktuara, atëherë ajo nuk është e mirëfilltë, bie ndesh me ligjin dhe shumë rregulla tjera ekonomike sepse të gjithë investitorët duhet të kenë kushte të barabarta, një terren të barabartë, një kuadër ligjor të barabartë për një garë të barabartë në tregun e Kosovës”, thotë Ejupi.
Komisioni kosovar i konkurrencës është themeluar në mars të vitit të kaluar në bazë të ligjit për konkurrencën 2004/36. Ky komision vitin e kaluar ka shfuqizuar marrëveshjen për fiksim të çmimit në industrinë e prodhimit të bukës, te kompanitë e sigurimeve ka anuluar marrëveshjen për polisa kufitare, ka shfuqizuar një udhëzim administrativ të ministrisë së transportit për kontrollim teknik të automjeteve në komunat ku qytetarët banojnë, dhe ka ndryshuar një rregull të BQK-së që u mundësonte kompanive të sigurimeve të merren vesh për shitje të produkteve të caktuara. Por në këto raste nuk janë shqiptuar masa ndëshkimore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›